Ndërlidhjet

TRENIN:"RUSIA NUK DO TË PRANOJ ZGJIDHJE TË IMPONUAR PËR KOSOVËN"


Dmitrij TRENIN, Instituti Karnegi, zyra në Moskë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Trenin, presidenti Putin ka deklaruar së fundi se Rusia nuk do ngurrojë të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit nëse zgjidhja për Kosovën është e paparanueshme për të. A është ky një skenar i mundshëm?

DMITRIJ TRENIN
Përpara se një skenar i tillë të bëhet realitet një mori zhvillimesh duhet të ndodhin në tryezën e negociatave. Vetoja nuk do të ndodhë nëse qeveria serbe pranon pavarësinë e Kosovës. Nëse Beogradi nuk e pranon një zgjidhje të tillë dhe negociatat dështojnë atëherë dhe Rusia nuk do të pranojë që t'i imponohet Serbisë shkëputja e Kosovës. Rusia nuk do ta pranojë këtë imponim.

RADIO EVROPA E LIRË
Diplomacia ruse ka kërkuar që parimet e përdorura për zgjidhjen e statusit të Kosovës të jenë të vlefshme dhe për Osetinë Jugore e Abkazinë. A është kjo taktikë e diplomacisë ruse, kur ekspertë ndërkombëtarë thonë se mund të godasë vetë Rusinë në rastin e Çeçenisë...

DMITRIJ TRENIN
Mendoj se Çeçenia është rast i ndryshëm nga të tjerat pasi sot në Çeçeni ka një qeveri pro ruse që po bëhet autoriteti real atje.
Por ta lëmë Çeçeninë mënjëanë dhe t'i kthehemi deklaratave të zotit Putin dhe qëndrimit rus. Ata thonë se nuk mund ta trajtosh Kosovën si rast unik. Gjendja në Kaukaz dhe Moldavi në sytë e administratës ruse ka shumë ngjashmëri me Kosovën. Çfardo qëndrimi që të merret për statusin e Kosovës do ketë ndikime në Transdistier, Abkazi dhe Nagorni Karabak.
E që të jem i sinqertë është e vështirë ta hedhësh poshtë këtë logjikë. Personalisht mendoj se çdo rast duhet trajtuar në mënyrë të veçantë, por duhet pranuar fakti se këtu kemi një problem që duhet adresuar. Problemi i Kosovës duhet adresuar dhe për mua riintegrimi i Kosovës apo Karabakut është i pakuptimtë ndaj kërkohet të jemi më kreativ dhe t'i japim fund diskutimit për raste unike, por çdo rast ta trajtojmë si të veçantë me gjithë vëmendjen që i takon.

RADIO EVROPA E LIRË
Një numër ekspertësh ndërkombëtarë thonë se Rusia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, me kusht që të fitojë diçka në shkëmbim në planin politik a ekonomik. Në cilat rrethana Rusia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, edhe nëse një zgjidhje e tillë nuk pranohet nga Beogradi?

DMITRIJ TRENIN
Është e vështirë për mua të paramendojë një situatë ku qeveria serbe nuk do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, e Rusia po. Kjo për mua ka pak gjasa të ndodhë. Nëse qeveria serbe do veprojë nën presion, apo në kushte të caktuara vendos ta pranojë pavarësinë atëherë kjo do ndikojë në qëndrimin e qeverisë ruse lidhur me territoret që duan të shkëputen në ish Bashkimin Sovjetik.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka kontradiktë në qëndrimin e Rusisë kur ajo është pajtuar me qëndrimet e Grupit të Kontaktit se nuk ka kthim të Kosovës në vitin 1999, nuk ka coptim të Kosovës, parime që sipas ekspertëve çojnë drejt pavarësisë. Nga ana tjetër ju përsëritët se Rusia nuk do pranojë qëndrimet e papranueshme për Beogradin...

DMITRIJ TRENIN
Nuk shoh asnjë kontradiktë. Do të ishte precedent për qeverinë ruse të binte dakord për diçka e cila kundërshtohet nga një vend i njohur ndërkombëtarisht, siç është Serbia. Moska po ndjek këtë politikë gjatë gjithë kohës. Rusët nuk do bien dakord me diçka që shkon kundër vullnetit të një vendi pasi do krijonte precedent.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Rusia do mbështesë qëndrimin e Serbisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të binin dakord për pavarësinë e Kosovës? A mendoni se Rusia do ta kundërshtonte këtë qëndrim për hir të Beogradit?

DMITRIJ TRENIN
Nuk do ta kundërshtonte për hir të Beogradit, por për hir të një parimi të rëndësishëm në politikën e jashtme ruse. Mund të mos jemi dakord me këtë parim, por sipas tij asnjë shtet i huaj nuk mund të detyrojë tjetërkënd të marrë vendime që cënojnë sovranitetin e shteteve të njohura. Kjo do të kishte pasoja serioze, pasi mund të supozojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vlerësojnë se edhe një pjesë e Rusisë meriton pavarësinë në kundërshtim me vullnetin e qeverisë ruse, çfarë është e papranueshme për Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë interesat ekonomike të Rusisë në Ballkan e veçanërisht në Serbi dhe sa ndikim kanë këto interesa në përcaktimin e politikës së jashtme?

DMITRIJ TRENIN
Interesat ekonomike ruse në rajon janë tepër të vogla. Ato mund të përmblidhen në faktin se vendet e rajonit janë konsumatore të gazit rus. Disa prej tyre mund të jenë dhe vende tranziti për gazin rus drejt tregut perëndimor. Kjo është e tëra. Nuk kemi të bëjmë me interesa të mëdha ekonomike të Rusisë në Ballkan.
Sërish do të theksoja se interesi rus apo qëndrimi rus është politik dhe ligjor e njerëzit në Kremlin e marrin këtë shumë seriozisht.
Por nëse zhvillimet në Kosovë ecin në drejtimin që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosin për Kosovën në kundërshtim me qëndrimin e Serbisë dhe nuk e marrin seriozisht kundërshtimin rus atëherë Moska ka një argument shumë të fuqishëm në politikat e saj ndaj Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Rusët nuk do ta pranojnë faktin se Kosova është rast unik dhe se Abkazia e Osetia Jugore meritojnë trajtim ndryshe. Nuk po them se Rusia në mënyrë të njëanshëm do të njohë statusin e këtyre territoreve, por pozicioni rus do duket më i fuqishëm, derisa dhe qëndrimet e popullsive në këto territore do marrin një hov nga pavarësia e Kosovës.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG