Ndërlidhjet

ANDERSON:"PAKOJA E STATUSIT SHPALOSET NË TETOR"


Alex ANDERSON, shef i GNK (ICG) në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, Grupi i Kontaktit ka autorizuar zotin Ahtisari për të propozuar planin për statusin dhe për të arritur një zgjidhje deri në fund të këtij viti. Sa do t’i ndihmojnë procesit këto orientime?

ALEX ANDERSON
Kjo bën që procesi të mbetet në rrugën që pritej dhe pak a shumë ishte përgatitur nga Grupi i Kontaktit. Javën e kaluar në Vjenë ne pamë takimin e drejtpërdrejtë të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me decentralizimin që kaloi në diçka të papritur, pasi UNOSEK dhe Albert Rohan deklaruan se nuk shohin se si do të jetë e mundur të mbahen bisedime të tilla më tej. Në njëfarë mënyre kjo pritej, ndërsa koha për ta thënë këtë ishte perfekte, pasi askush nuk kishte pritur që Prishtina dhe Beogradi të pajtoheshin, madje as për detaje aq teknike si decentralizimi, por sidoqoftë, tani jemi në fazën kur Ahtisari dhe UNOSEK duhet ta përpunojnë një propozim arbitrazhi për statusin e Kosovës. Duket se ata e kanë marrë mandatin që u nevojitet të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe kjo do t’ua mundësojë atyre që t’ua paraqesin këtë propozim edhe Prishtinës edhe Beogradit gjatë tetorit, të marrin komentet dhe përgjigjet nga të dyja palët. Në njërën anë Prishtina do të kërkojë “të marrë frymë” lidhur me koncesionet që duhet të bëjë, ndërsa sa i përket Beogradit pritet refuzimi për të pranuar pakon e pavarësisë që Ahtisari duket se do ta ofrojë. Pas kësaj, Ahtisari do të kthehet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, diku në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit për të paraqitur propozimin e tij të korrigjuar në bazë të sugjerimeve nga Prishtina dhe Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe a mendoni se kjo do të përmbyllet deri në fund të këtij viti?

ALEX ANDERSON
Kjo në fakt është porosia që vjen nga Grupi i Kontaktit. Mbetet të shihet, por ka disa vështirësi teknike. Ne ende nuk e dimë se si do ta luajë këtë lojë Rusia, pasi edhe pse ata e kanë nënshkruar deklaratën e djeshme, ne ende e shohim ministrin e Jashtëm Lavrov që thotë se ai nuk do të pranojë zgjidhjen e imponuar dhe se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, prandaj është tepër e vështirë të parashihet nëse mund të ketë zgjidhje të tillë në shtigje afatmesme apo edhe afatgjata. Sa u përket detajeve teknike lidhur me atë se çfarë do të jetë saktësisht rezoluta e Këshillit të Sigurimit që do ta zëvendësojë rezolutën 1244 dhe si ajo do të negociohet dhe a do të kalojë nëpër vështirësi të cilat mund të shkaktojnë vonesa të konsiderueshme kjo ende mbetet e papërcaktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, ju po flisni për një zgjidhje të imponuar. Çfarë mund të jetë reagimi nga akëcila palë në një rast të tillë?

ALEX ANDERSON
Kur flasim për zgjidhjen e imponuar ka mënyra të ndryshme për ta vështruar atë. Unë mendoj se pritjet në Prishtinë se rezoluta e re do të vendosë për gjithçka dhe se ajo vetvetiu do ta njohë pavarësinë e Kosovës, se do t’i sigurojë Kosovës ulëse në Kombet e Bashkuara e të tjera duket të mos jenë shumë të mundshme. Rezoluta e KS më shumë do të jetë një veprim për të ofruar mandat për një prani të re ndërkombëtare me autorizime të kufizuara për ta zëvendësuar UNMIK-un si dhe për strukturat e reja ndërkombëtare do t’u jepet mandati për ta ndihmuar Kosovën, siç është rasti me NATO-n përmes mandatit të vazhduar të KFOR-it me mandat tjetër. Kështu që kjo rezolutë vetvetiu nuk do të bëjë gjëra të mëdha që kosovarët po i presin. Çështja e njohjes së Kosovës dhe pavarësisë së saj më shumë do të lihet pak a shumë jashtë rezolutës dhe do t’i lihet iniciativës individuale të vendeve të caktuara apo grupeve të shteteve, duke pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktorin kryesor në këtë rast, por edhe Bashkimin Evropian si tërësi. Do t’i takojë presidencës gjermane të Bashkimit Evropian që të organizojë njohje të përgjithshme të Kosovës nga Bashkimi Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, shqetësimet lidhur me sigurinë në Kosovë janë shtuar pas sulmeve me bomba në Gjilan dhe në Klinë. Si e shihni ju procesin për statusin, nga kjo pikëpamje?

ALEX ANDERSON
Unë e di se ka pasur një farë dëshpërimi në bashkësinë ndërkombëtare lidhur me reagimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj sulmeve në Klinë. Të përkujtojmë se ka pasur një sulm me bomba që ka lënë katër serbë të lënduar vetëm dy netë më parë, pastaj një shtëpi është hedhur në erë në fshatin Shtupel të Klinës, në qershor një serb është vrarë në shtëpinë e tij në Klinë. Prandaj, edhe pse kryeministri Çeku dhe zëvendësministri i brendshëm dhe zëvendëskomisioneri i policisë Sheremet Ahmeti shkuan në vendin e ngjarjes qysh atë natë, ajo që është shumë zhgënjyese është mungesa e nismave dhe reagimeve nga spektri i gjerë politik i Kosovës ndaj këtij kërcënimi, që sipas bashkësisë ndërkombëtare është i rëndësisë kyçe. Klina është një komunë ku është parë një përparim trimërues në kuptimit të ofrimit të mundësive për kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre dhe ky përparim është kërcënuar drejtpërdrejt nga këto incidente të dhunshme. Prandaj, pavarësisht nga reagimi i kryeministrit dhe i një qarku të ngushtë qeveritar, kur shihen LDK, PDK e të tjera dhe nuk shihet ndonjë reagim apo nismë promimente në media nga ana e tyre, kjo është shumë dëshpëruese. Mirëpo, kur shikojmë një linjë tjetër sulmesh me bomba në Gjilan dhe Ferizaj, shumë njerëz i lidhin ato me luftën për pushtet, me zgjedhjet e ardhshme në Lidhjet Demokratike e cila është partia më e madhe dhe në shumë kuptime ajo e përfaqëson vetë Kosovën, duke qenë partia më e madhe. Këto sulme me bomba janë një sinjal alarmi për cilësinë e gjendjes në të cilën Kosova mund të hyjë vitin e ardhshëm. Sulmet me bomba janë sinjale nga grupet e ndryshme që veprojnë pas kandidatëve të ndryshëm për të treguar lidhjet e tyre me qeverinë dhe qeverisjen dhe cilësinë e politikës në Kosovë që është shenjë tepër zhgënjyese. Është me shumë rëndësi që sulmet kanë ndodhur në Gjilan dhe Ferizaj, që në njëfarë mënyrë si qytete garojnë si portat më të mëdha për importin e narkotikëve në Kosovë, që do të thotë se ekziston një skenë e fuqishme e krimit të organizuar në këto dy qytete.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG