Ndërlidhjet

A po e përdor Rusia gazin e vet si armë?


Sisteme të gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2. Fotografi nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka konsideruar absurd dyshimin nëse Rusia është duke përdorur burimet e energjisë si armë politike.

“Ky është absurditet i plotë, përçartje dhe shaka e motivuar politikisht”, ka thënë ai në një konferencë për energjinë, të mbajtur më 13 tetor në Moskë.

Dy javë më vonë, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka folur rreth kërcënimit të Rusisë për të ndalur furnizimet me gaz në Moldavi, vendim që ka shtyrë këtë vend aspirant për anëtarësim në BE të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Tani që çmimet e gazit natyror janë duke shënuar nivele rekorde, një dimër me pakënaqësi vetëm sa ka nisur në Evropë, i nxitur nga politikat e bllokut evropian për energji, dhe dyshimeve për furnizuesin më të madh të gazit në kontinent.

Një dimër i ashpër pret Evropën
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:09:38 0:00

Këto dyshime janë nxitur edhe nga vetë zyrtarët rusë, duke shtuar dilemat rreth synimeve specifike të Gazpromit, i cili ka monopol shtetëror të eksporteve dhe i nënshtrohet politikës së Kremlinit.

Bashkimi Evropian me 27 vende anëtare importon 40 për qind të gazit nga Rusia.

Kompania Gazprom, e cila publikisht kap vlerën e 120 miliardë dollarëve, dhe në të cilën Qeveria ruse ka aksione nën kontroll, besohet se kërkon të maksimizojë fitimet përmes eksporteve.

Megjithatë, me rritjen e çmimeve, të paktën nga vera, kompania ka vendosur të mos plotësojë kërkesën e shtuar nga konsumatorët evropianë, gjë që disa ligjvënës evropianë e kanë parë si manipulim të tregut.

Për Gazpromin, më shumë eksport nënkupton më shumë gazsjellës.

Shembull, Fuqia e Siberisë, që kalon nga jugu i Siberisë në Kinë apo TurkStream, që kalon nga Deti i Zi në Turqi dhe më pas në jug të Evropës.

Kjo gjë nënkupton edhe gazsjellësin shtesë që shkon në zemër të Evropës: Rrjedha Veriore 2, që kalon përmes Detit të Zi.

Ky gazsjellës, pothuajse i kompletuar, është duke pritur certifikimin përfundimtar nga rregullatorët gjermanë, të cilët kanë thënë se procesi mund të kompletohet në fund të vitit.

Zyrtarët rusë, përfshirë, zëvendëskryeministrin, Aleksandr Novak dhe zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, e kanë lidhur miratimin e shpejtë të gazsjellësit me stabilizim të tregjeve evropiane.

Këto komente janë parë nga disa analistë dhe kritikë si përpjekje për të shtyrë rregullatorët gjermanë që të veprojnë më shpejt.

Disa ditë para fjalimit të Putinit në Moskë, i dërguari i Rusisë në BE ka sugjeruar se politikat e bllokut evropian duhet fajësuar për krahun e ftohtë të Rusisë, diçka për të cilën më vonë është deklaruar edhe vetë Putin.

“Thelbi i çështjes është vetëm mbi baza frazeologjike”, ka thënë Vladimir Chizhov për Financial Times.

“Ktheni kundërshtarin në partner dhe gjërat do të zgjidhen më lehtë… kur BE-ja të gjejë gatishmëri politike për ta bërë këtë gjë, ajo e di ku mund të na gjejë”.

“Vetëm Moska vështirë se mund të fajësohet për çmime të larta dhe mungesa”, ka thënë Stephen Sestanovich, ish-ambasador amerikan për ish-Bashkimin Sovjetik, në një analizë të shkruar javën e kaluar.

“Megjithatë, kjo situatë konfirmon gatishmërinë e Rusisë për të shfrytëzuar dobësitë e konsumatorëve – siç është parë në herët me rastin e Ukrainës dhe Estonisë”.

Çmimet rriten. Evropa shqetësohet.

Vetëm pesë ditë pas fjalimit të Putinit, më 18 tetor, analistët e tregut kanë shikuar me kujdes afatet e tregtimit, përkatësisht kompanitë që kanë bërë rezervime për furnizime për muajin e ardhshëm.

Ekspertët kanë thënë se me kapacitetin aktual të Rusisë, përmes gazsjellësve që kalojnë në Ukrainë dhe Poloni, ky shtet ka mundësi që me lehtësi të shfrytëzojë rrjetin dhe që përmes përmbushjes së kërkesave të rrisë fitimin.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka thënë se Moska mund të shpërndajë 15 për qind më shumë gaz sesa është duke ndarë tani.

Mirëpo Gazpromi nuk ka vepruar ashtu. Çmimet janë rritur. Konsumatorët evropianë janë shqetësuar edhe më shumë.

Gazpromi nuk u është përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar këtë situatë.

Rezerva të pakta

Përgjatë verës, analistët kanë paralajmëruar se dimri në Evropë mund të jetë turbulent me rritje të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit.

Në mesin e sqarimeve për mungesën e interesimit të Gazpromit për të rritur furnizimet, ka qenë edhe ajo se Rusia ka nevojë të rrisë rezervat për muajt e dimrit.

Sapo kjo gjë të jetë kompletuar, është thënë se Gazprom mund të rrisë furnizimet në Evropë, ku rezervat e gazit kanë qenë të vogla si rrallë ndonjëherë.

Në një takim të zhvilluar më 28 tetor në mes të shefit të Gazpromit, Aleksei Miller, Putin i ka kërkuar atij që të furnizojë me gaz Austrinë dhe Gjermaninë pas 8 nëntorit – kur rezervat e Rusisë pritet të mbushen.

Në ditën pasuese, çmimet kanë rënë për gati 29 për qind në një qendër kryesore evropiane për tregti, sipas organizatës, Independent Commodity Intelligence Services.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë kryesisht armiqësore kur janë pyetur rreth varësisë së Evropës në gazin rus dhe sidomos për rreziqet potenciale nga një gazsjellës i dytë në Detin Baltik.

Megjithatë, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë më herët gjatë vitit se nuk është në favor të bllokimit të gazsjellësit pothuajse të kompletuar, pavarësisht protestave të republikanëve në Kongres.

Këto protesta dhe akuzat se Rusia është duke i përdorur “si armë” burimet e energjisë, janë rritur edhe më shumë.

Përdorimi i energjisë si armë “është një prej gjërave që e di vetëm kur e sheh”, ka thënë për gazetarët muajin e kaluar, Amos Hochstein, zyrtar i lartë për energji në Departamentin amerikan të Shtetit.

“Mendoj se jemi afër asaj situate. Nëse Rusia ka gaz për furnizime dhe nuk e bën këtë gjë dhe do të shtojë furnizimet vetëm nëse Evropa pranon kërkesa tjera që nuk kanë lidhje me këtë çështje, atëherë është e vështirë të argumentohet e kundërta”, ka thënë ai.

Ukraina, e cila fiton qindra miliona dollarë në taksa nga kalimi i gazit rus në Evropë, e ka kundërshtuar vendimin e SHBA-së.

“Ne e kemi ditur gjithmonë se vendimi i Gazpromit për të mos dërguar gaz përmes Ukrainës ka qenë gjeopolitik në thelb. Dhe tani kemi të dhëna të mjaftueshme:”, ka thënë Serhiy Makogon, udhëheqës i Operatorit për Transmetim të Gazit të Ukrainës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Rrjedha e kundërt

Për ata që dyshojnë në synimet e Rusisë, historia është udhëzuese.

Moska ka ndalur dy herë furnizimet për Ukrainën dhe qeverinë e saj me prirje pro-perëndimore më 2000.

Kjo ndalje e furnizimeve, që pati ndodhur në muajin janar, ka prekur edhe Evropën, duke rezultuar me apartamente pa ngrohje në disa shtete.

Një ditë pas takimit të Putinit me Millerin, një tjetër ngjarje ka fituar vëmendjen e analistëve: gazi që do të duhej të nisej për Gjermani, përmes gazsjellësit në Poloni, ka ndërruar drejtim dhe është nisur drejt lindjes.

Nuk ka pasur arsyetim zyrtar për këtë gjë, që ka vazhduar edhe më 1 nëntor.

Gazprom ka thënë përmes një deklarate se është ende duke përmbushur obligimet kontraktuale.

Tom Marzec-Manser, analist për Independent Commodity Intelligence Services, e ka konsideruar këtë ndryshim si të “pazakonshëm”, mirëpo jo edhe të padëgjuar ndonjëherë.

“Sa i përket mungesës së rrjedhjes në gazsjellës, ju mund ta gjykoni vetë, lexuesit tuaj po ashtu, nëse ka element politik në të”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Gazprom ka dërguar vazhdimisht sinjale në drejtim të kundërt për të shkundur tregjet e gazit, në vend të lehtësimit të situatës”, ka thënë Leslie Palti-Guzman, presidente për energji në kompaninë, Gas Vista LLC.

Përveç shtimit të presionit te rregullatorët gjermanë për të përshpejtuar procesin e certifikimit të Rrjedhës Veriore 2, Palti-Guzman, ka thënë se Rusia mund të synojë që të minojë joshjen për dërgim të gazit natyror të lëngshëm nga SHBA-ja në Evropë, si dhe për t’iu bërë presion konsumatorëve evropianë që të nënshkruajnë kontrata afatgjata.

Çmimet e larta të gazit dhe energjisë elektrike nxisin edhe pakënaqësi populliste, ka thënë ajo.

Moldavia

Me një qeveri të re, që mbështet lidhje më të forta me Bashkimin Evropian, Moldavia është përballur me përfundim të kontratës afatgjatë me Gazpromin.

Kompania ka kërkuar tarifa shumë më të larta dhe kur Moldavia ka rezistuar, Gazprom ka zvogëluar dërgesat për një të tretën.

Kjo gjë ka shtyrë presidenten moldave, Maia Sandu, që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Më 28 tetor, pas një takimi në Bruksel me kryeministren moldave, Borrell ka akuzuar Gazpromin se po përdor “presion politik” në këmbim të çmimeve më të ulëta të gazit.

Kompania ruse, në anën tjetër, ka mohuar se politika ka rol në bisedime, duke thënë se negociatat janë zhvilluar në “kushte ekskluzivisht komerciale”.

Një ditë më vonë, Qeveria moldave është pajtuar për nënshkrim të një kontrate pesëvjeçare me çmime dukshëm më të larta.

Marzec-Manser, analist për gazin, ka thënë se ndonëse Moska ka qenë e qartë se nuk pajtohet me aspiratat perëndimore të Qeverisë së Sandus, kontrata e vjetër e Moldavisë nuk ka qenë në përputhje me standardet e BE-së.

“Nuk mundeni edhe ta keni tortën tuaj edhe ta hani atë po ashtu”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG