Ndërlidhjet

Administrata Trump e kundërshton bllokimin e e urdhrit të udhëtimit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se do ta apelojë në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara vendimin e djeshëm të një gjykate federale, me të cilin vërtetohet bllokimi i ndalesës së përkohshme të udhëtimit në Amerikë për shtetasit e gjashtë vendeve me popullatë shumicë myslimane.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ishte “brenda autoritetit ligjor për ta mbajtur të sigurt vendin”, duke urdhëruar ndalesë të udhëtimit, disa javë pasi u inaugurua në postin e presidentit.

“Nga presidenti nuk kërkohet të pranoj njerëz nga vendet që sponzorizojnë ose strehojnë terrorizëm, derisa ai të përcaktojë se ata mund të verifikohen në mënyrë përkatëse dhe të mos paraqesin rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, tha Sessions.

Gjykata Federale e Apelit në Riçmond të Virxhinias, të enjten, e ka vërtetuar një vendim të një gjykate më të ulët për parandalimin e fuqizimit të ndalesës së udhëtimit, duke thënë se ishte “një urdhër ekzekutiv, që në kontekst ndeshet me jotolerancën fetare, me ndjenjën armiqësore dhe diskriminimin”.

Me këtë masë parashihej të imponohej një ndalesë 90-ditëshe për udhtëarët nga Irani, Siria, Sudani, Libia, Somalia dhe Jemeni, që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Me këtë plan, po ashtu, suspendohej programi për refugjatë i Shteteve të Bashkuara për 120 ditë.

Në vendimin e gjyqtarëve 10:3, kjo gjykatë e apelit tha se nuk ishte e bindur se synimi i masës kishte “më tepër të bënte me sigurinë kombëtare sesa me zbatimin e premtimit të presidentit për ndalesën e myslimanëve”.

“Kongresi i ka siguruar presidentit autoritet të gjerë për ta ndalur hyrjen e personave të jashtëm, por ky autoritet nuk është absolut”, ka shkruar shefi i gjyqtarëve, Roger L. Gregory.

Prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, ka theksuar se tre gjyqtarë, që nuk ishin pajtuar me shumicën, janë pajtuar me argumentet e administraatës se urdhri i udhëtimit ishte “ndërmarrje kushtetuese e detyrës së presidentit për t’i mbrojtur komunitetet tona nga terrorizmi”.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump shpeshherë ka folur se dëshiron ndalesë totale për myslimanët që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Tash, çështje kryesore është nëse këto komente nga fushata mund të përdoren për të treguar se ndalesa në mënyrë jokushtetuese i merr në shënjestër myslimanët, për shkak të religjionit të tyre.

Ndalesa e udhëtimit ka shkaktuar protesta në SHBA në muajin janar.
Ndalesa e udhëtimit ka shkaktuar protesta në SHBA në muajin janar.

Ndalesa e fundit ishte e korrigjuar në krahasim me urdhrin e Trumpit, të publikuar në muajin janar, me të cilin ishin bllokuar udhëtarët nga shtatë vende me shumicë myslimane, përfshirë Irakun, dhe të gjithë refugjatët. Në urdhrin e ri janë eliminuar referencat lidhur me religjion.

Kritikët thonë se ndryshimet nuk ishin të mjaftueshme për eliminimin e problemeve juridike të ndërlidhura me urdhrin.

Gjykatat e Apelit në rajonet e tjera ende janë duke e shqyrtuar këtë rast.

Vendimet e mëtejshme kundër ndalesës së udhëtimit mund të paralajmërojnë kundërshtim më të ashpër për administratën, derisa ajo e dërgon rastin në Gjykatën Supreme.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG