Ndërlidhjet

Afganët përballen edhe me pasojat e ngrohjes globale


Një djalosh duke qëndruar në tokë të thatë në provincën Bagdis. 15 tetor 2021.
Një djalosh duke qëndruar në tokë të thatë në provincën Bagdis. 15 tetor 2021.

Kur Qudratullah ka humbur fermën e familjes së tij në veri të Afganistanit, më herët gjatë këtij viti, shkak nuk ka qenë lufta.

Ai është përballur me këtë situatë për shkak të thatësisë së madhe – një prej kushteve ekstreme klimatike në Afganistan.

I zhvendosuri 58-vjeçar, dikur ka mbajtur një familje prej 18 anëtarësh me të korrat dhe bagëtinë që ka rritur në tokën e tij në fshatin Beto të provincës Jovzjan.

I papunë dhe i dëshpëruar, ai është duke kërkuar punë në kryeqytetin e provincës Sheberghan.

“Për shkak të thatësisë, neve na është dashur të largohemi nga ferma jonë”, ka thënë Qudratullah për Radion Azadi të Rados Evropa e Lirë.

“Nuk kemi pasur të ardhura tjera. Gjithçka që kemi mbjellë, është shkatërruar. Nuk kemi pasur ujë dhe asgjë për të ngrënë”.

“Nuk më mbeti asgjë nga bagëtia”, ka thënë Qudratullah.

"S'kemi asgjë për dimër": Kriza humanitare troket në Afganistan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

“Më është dashur t’i shesë të gjitha. Edhe nëse do të kishim pasur një apo dy, situata ka qenë aq e keqe, saqë nuk do të mund t’i mbanim ato”.

Qudratullah nuk është vetëm.

Ish-fermeri ka thënë se shumë njerëz në zonën e tij kanë kaluar më shpejt në zonën e qytetit.

“Uria dhe etja kanë detyruar njerëzit që të largohen nga shtëpitë e tyre”, ka thënë ai.

“Fëmijët janë duke vuajtur për bukë. Njerëzit nuk kanë asgjë për të ngrënë”.

Duke vënë theksin te kushtet e rënda klimatike në Afganistan, shirat e rrëmbyeshëm kanë goditur me raste të njëjtat zona që tani po përballen me thatësi.

Vite më parë, shirat kanë vërshuar shtëpinë e Qudratullahut dhe fqinjëve të tij.

Atëbotë, nuk ka pasur infrastrukturë për të ndalur përmbytjet ose për t’i mbledhur reshjet në ndonjë rezervuar për përdorim të mëvonshëm.

Rajoni Darzab ka qenë nën kontrollin e talibanëve për vite dhe militantët kanë bërë shumë pak për t’iu ndihmuar banorëve lokalë gjatë përballjes me kushtet ekstreme klimatike, prej marrjes së pushtetit në Afganistan në muajin gusht, ka thënë Qudratullah.

Ai ka thënë se jeta e tij tani është një rrëmujë e vazhdueshme.

“Vetëm një person që zhvendoset e di çfarë nënkupton zhvendosja”, ka thënë ai.

“Është shumë e vështirë. Varem vetëm nga Zoti. Nuk e kemi askënd që mund të na ndihmojë”.

Miliona persona në rrezik

Ekspertë për klimën parashikojnë se jeta për një pjesë të madhe të popullsisë së Afganistanit prej 38 milionë banorësh, mund të jetë sikurse e Qudratullahut në të ardhmen, për shkak të ndryshimeve klimatike.

Temperatura mesatare është rritur në Afganistan në 1.8 gradë Celsius në periudhën 1950-2010, që përbën dyfishin e temperaturës mestare globale.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë qenë prezentë për disa dekada në Afganistan.

Mirëpo sipas ekspertëve, shirat e rrëmbyeshëm mund të mos jenë më aq prezentë në këtë shtet.

Ata presin përkeqësim të thatësisë, duke prekur 85 për qind të afganëve që varen nga bujqësia për të mbijetuar.

I kombinuar me pandeminë e koronavirusit, luftën dhe krizën ekonomike, që ka goditur Afganistanin prej marrjes së pushtetit nga talibanët, moti ekstrem ka përballur miliona persona me uri.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 23 milionë afganë janë në krizë apo do të përballen me “emergjencë për ushqim në periudhën nëntor 2021- mars 2022”.

“Shitja e organeve”

Njëri prej tyre është Mohammad, fermer 25-vjeçar nga provinca Farah.

“Thatësia ka ndikuar shumë në drunj dhe në bagëti”, ka thënë Mohammad për Radion Azadi.

“Korrjet e grurit kanë rënë shumë të vogla këtë vit, në krahasim me të kaluarin. Kafshët e mia nuk kishin çfarë të hanin. Andaj i kam shitur me çmim të lirë”.

"S'ka zgjidhje tjetër": Varfëria detyron afganët t'i shesin vajzat e tyre
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:21 0:00

“Kjo thatësi është më e rëndë sesa e vjetëve të kaluar”, ka shtuar Mohammad.

“Reshjet vjetore po bien. Shumë njerëz kanë hapur puse shumë thellë në tokë. Por edhe ato po thahen, ditë pas dite”.

Radio Azadi ka dokumentuar disa raste kur banorët në perëndim të Afganistanit kanë shitur njërën veshkë për të ndihmuar familjen që të mbijetojë.

“Faleminderit Zotit, kjo gjë nuk na ka prekur neve në atë shkallë që të shesim organe, siç kanë bërë të tjerët”, ka thënë Mohammad.

Një burrë duke ecur në provincën Badgis.
Një burrë duke ecur në provincën Badgis.

Delefgacion i heshtur afgan

Para se talibanët të merrnin pushtetin, Agjencia afgane për Mbrojtje të Ambientit (NEPA), pati planifikuar që të dërgojë gjashtë delegatë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën, e cila është mbajtur në Glasgou të Skocisë nga 31 tetori deri më 12 nëntor.

Ekipi ka pasur synim që të kërkojë më shumë ndihmë financiare për të përmirësuar menaxhimin e ujërave, ashtu që fermerët afganë të mos kenë probleme me thatësi.

Mirëpo i gjithë delegacioni afgan – pesë burra dhe një grua – kanë ikur në shtetet fqinje kur talibanët kanë pushtuar Kabulin më 15 gusht.

Delegatët janë informuar vetëm disa ditë para Konferencës së OKB-së për Klimën që janë refuzuar aplikacionet e tyre për ta përfaqësuar Afganistanin, duke lënë shtetin të papërfaqësuar në samitin global.

Ahmad Samim Hoshmand, specialist për ozonin në NEPA, i cili ka udhëhequr Qeverinë e kaluar të Afganistanit në Konferencën e Madridit për ndryshime klimatike, ka thënë se Afganistani është “një ndër shtetet më të cenueshme në botë” ndaj ndryshimeve klimatike, duke cituar klimën e ndryshueshme dhe mungesën e infrastrukturës për t’u përballur me ngrohjen globale.

“Jam 100 për qind i sigurt se kur i shtoni konfliktin kësaj situate, Afganistani është shteti më i cenueshëm”, ka thënë ai për mediumin me bazë në Shtetet e Bashkuara, Vox.

“Të dhënat tregojnë se shteti është duke u përballur me pasiguri për ushqim, ujë, ka thatësi dhe me raste edhe shira të rrëmbyeshëm”, ka thënë ai.

“Të gjitha këto çështje janë të lidhura me ndryshimet klimatike, dhe në vjetët e fundit, ne jemi përballur me situatë edhe më të rëndë”.

Hoshmand ka thënë se ka edhe ndikim jo të drejtpërdrejtë si pasojë e ndryshimeve klimatike në shoqërinë afgane.

“Dhuna, konflikti, abuzimi me të drejta të njeriut dhe martesat e të miturve janë të lidhura me ndryshimet klimatike”, ka thënë ai.

“Kur fermerët humbin kafshët e tyre, ata bëjnë gjithçka për të mbijetuar”.

Në marrëveshjen e arritur në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën, më 13 nëntor, nuk janë adresuar shqetësimet për Afganistanin apo shtete tjera të varfra dhe apo me çka mund të përballen këto shtete si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Dymbëdhjetë qeveri, përfshirë Shtetet e Bashkuara, janë zotuar për ndarje të 413 milionë dollarëve për të financuar në klimë.

Mirëpo delegatët e Konferencës kanë refuzuar që të krijojnë mekanizma financiarë të bazuar në idenë e “kompensimit” për të mbuluar shpenzimet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Hoshmand ka thënë se duhet të ketë pasur hapësirë për Afganistanin në Konferencë, sesa që të mbetet një “ulëse e zbrazët”, duke argumentuar se ky shtet ka nevojë urgjente për mbështetje financiare, për t’u përballur me ndryshimet klimatike.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG