Ndërlidhjet

SHBA-ja, Rusia, Kina dhe Pakistani bëjnë thirrje për armëpushim në Afganistan


Ish-presidenti afgan, Hamid Karzani, bashkëthemeluesi i talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar dhe përfaqësues të tjerë, marrin pjesë në konferencën e paqes për Afganistanin që po mbahet në Moskë të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina dhe Pakistani u kanë bërë thirrje, së bashku, palëve të konfliktit në Afganistan, që të arrijnë armëpushim të menjëhershëm, vetëm gjashtë javë para afatit të fundit për SHBA-në që të tërheqë trupat që ka në këtë shtet, për gati 20 vjet.

“Në këtë pikë kthese, të katër shtetet tona u bëjnë thirrje palëve që të zhvillojnë takime dhe të arrijnë marrëveshje për paqe, e cila do t’iu japë fund dekadave të luftës në Afganistan”, është thënë në deklaratën e përbashkët, të lëshuar pas takimeve të mbajtura në Moskë më 18 mars.

Në deklaratë u është bërë thirrje talibanëve dhe Qeverisë afgane që të ndalin dhunën dhe u kanë kërkuar militantëve që të mos nisin ofensivat e tyre në pranverë dhe verë.

Aty është thënë po ashtu se të katër shtetet janë të përkushtuara për të mobilizuar mbështetjen ekonomike dhe politike për Afganistanin, kur të arrihet marrëveshja për paqe.

Bisedimet në Moskë kanë pasur për qëllim të kthejnë në jetë negociatat në mes të Qeverisë afgane dhe talibanëve, që kanë nisur në shtator në Katar, por të cilat janë ndalur pas akuzave të qeverisë së kryengritësit kanë bërë pak për të ndalur dhunën.

Në takimin e 18 marsit kanë bërë pjesë anëtarë të Qeverisë afgane, ekipi negociator shtetëror, zyrtarë talibanë, si dhe përfaqësues të Rusisë, Kinës, Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara.

Konferenca në Moskë, është një prej tre konferencave që janë paraparë të mbahen para afatit të fundit të 1 majit, kur është thënë se do të tërhiqet trupat amerikane dhe ato të NATO-s nga Afganistani.

Afati për tërheqjen e trupave nga Afganistani u bë nga administrata e kaluar amerikane, e Donald Trumpit. Por, pasardhësi i tij, Joe Biden ka paralajmëruar se tërheqja e trupave deri në këtë datë mund të jetë e vështirë, veçanërisht marrë parasysh përshkallëzimin e dhunës në Afganistan.

“Unë jam në proces të marrjes së vendimit, sa i përket se kur ata (ushtarët) do të largohen”, tha Biden gjatë një interviste që u transmetua më 17 mars.

Konferenca në Moskë i paraprin një takimi në Turqi muajin e ardhshëm, që do të organizohet nga i dërguari i SHBA-së, Khalilzad.

Në këtë konferencë po merr pjesë i dërguari për paqe i SHBA-së, Zalmay Khalilzad, kreu i Këshillit Kombëtar për Pajtim të Afganistanit, Abdullah Abdullah dhe zëvendëskryetari dhe kreu i ekipit negociator të talibanëve, Mullah Baradar.

Sipas marrëveshjes mes SHBA-së dhe talibanëve, të arritur vitin e kaluar, nga Afganistani do të tërhiqen të gjitha trupat amerikane. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, talibanët ishin pajtuar që të përfshihen në bisedime të paqes me administratën e presidentit afgan, Ashraf Ghani.

Këto bisedime kanë nisur në shtator të vitit të kaluar, mirëpo deri më tani është shënuar shumë pak përparim. Si kurrë më parë e ardhmja e Afganistanit është e pasigurt, pasi muaji maj është afër, shkruan agjencia AFP.

Uashingtoni synon që procesi i paqes përfundimisht të fillojë së zbatuari në mënyrë që talibanët dhe Qeveria afgane të bien dakord për një formë të ndarjes së pushtetit. Edhe Moska ka përkrahur idenë e një qeveria të përkohshme. Por, kjo zgjidhje po refuzohet ashpër nga Qeveria afgane, përkatësisht presidenti Ghani, i cili ka thënë se mënyra e vetme për një transferim të pushteti janë zgjedhjet.

Më poshtë sjellim disa përgjigje në lidhje me dilemat e konferencës së Moskës:

Cili është qëllimi i konferencës?

Sipas, Sayed Naser Mosawi, një analist me qendër në Kabul, konferenca e Moskës është vetëm një parapërgatitje e një takimi edhe më të madh që do të mbahet në Turqi, muajin tjetër.

Ai thotë se në bisedimet në Doha të Katarit, dukej se amerikanët dhe talibanët “diktonin rregullat ashtu siç dëshironin” dhe një zhvendosje e vendit të bisedimeve, me shumë gjasë do të tregohet më i frytshëm.

“Në këtë konferencë, talibanët dhe qeveria do të kenë një mundësi të re për të shprehur apo edhe rishikuar qëndrimet e tyre të mëhershme për disa çështje të ndjeshme”, tha ai për agjencinë AFP.

Edhe ambasadori afgan në Emiratet e Bashkuara Arabe ka thënë më herët se bisedimet e paqes nuk duhet të mbahen në një vend, pasi sipas tij, talibanët kishin filluar të ndjehen “shumë rehat” në Katar. Që nga viti 2013 ata kanë një zyrë në këtë vend.

"Ne duam që talibanët të dalin nga zona e tyre e rehatisë", ka thënë ambasadori, Javid Ahmad.

Cila është situata aktuale?

Qendrat kryesore urbane të Afganistanit po përballen me një fushatë të përgjakshme terrori. Sulmet e armatosura shënjestrojnë politikanë, nëpunës civilë, akademikë, aktivistë për të drejtat dhe gazetarë.

Talibanët vazhdimisht e mohojnë përgjegjësinë për këto sulme, por qeveria kërkon që ata të fajësohen.

Stina e pranverës zakonisht paralajmëron edhe rritjen e shkallës së luftimeve në zonat rurale, ku talibanët kanë nën kontroll pjesë të mëdha të territorit.

A do të përmbushet afati i tërheqjes së trupave deri më 1 maj?

Tashmë dihet se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e mbështet një tërheqje të SHBA-së nga Afganistani, por zyrtarët e administratës kanë rezerva rreth afatit dhe po e rishikojnë atë.

Presidenti Biden e pranoi të mërkurën se do të jetë "e vështirë" të përmbushej afati për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri më 1 maj.

Në anën tjetër, talibanët e kanë mbajtur premtimin për të mos sulmuar trupat e huaja amerikane ose të tjera pasi u arrit marrëveshja. Ata thonë se afati i 1 majit është i panegociueshëm.

Analistët thonë se rezultati do të jetë një lloj kompromisi. Sipas tyre Uashingtoni do të thotë se e ka përmbushur detyrimin e tij, ndërsa në të njëjtën kohë do të lë disa ekspertë amerikanë për të këshilluar forcat afgane.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG