Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor edhe në rigjykim ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi dhe e ka dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim në rastin e njohur “Gylenistët”, sipas Betimit për Drejtësi, medium i specializuar për raportim në fushën e drejtësisë.
Ndaj tij është shqiptuar edhe një dënim plotësues, - ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike për katër vjet, pas përfundimit të dënimit me burgim.
Gashi ishte dënuar me masë të njëjtë burgimi – katër vjet e tetë muaj - edhe në korrik të vitit 2023 për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin leje qëndrimi dhe leje pune në Kosovë.
Vendimi në procedurën e rigjykimit është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.
Gashi është raportuar se nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por vetëm mbrojtësi i tij, avokati Driton Musliu.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thuhej se Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës, duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej tyre, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.
Në shpalljen e vendimit më 2023, nga akuza ishin liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.
Aktakuza u ngrit pasi më 29 mars të vitit 2018, pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e gjashtë shtetasve turq.
Dëbimi i tyre është thënë të jetë bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.
Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit, për të cilin veprim më vonë gjykata tha se ishte i jashtëligjshëm.
Nga pesë shtetasit turq, tre prej tyre posedonin leje të përhershme të qëndrimit, përkatësisht Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez, ndërsa dy prej tyre Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan kishin leje të përkohshme.
Familjet e gjashtë shtetasve turq ngritën një padi ndaj institucioneve të Kosovës në vitin 2018 për arrestim dhe ndalim arbitrar të familjarëve të tyre.
Disa nga familjarët kanë kërkuar azil në Kosovë e disa të tjerë janë larguar drejt vendeve evropiane.
Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars të vitit 2018 u dënuan nga gjykatat atje me gjithsej 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.
Gjykatat në Turqi, shumicës prej tyre iu shqiptuan nga 8 vjet burgim, kurse njërit, Mustafa Erdem, drejtor i përgjithshëm i institucionit “Gulistan” në Kosovë, më 5 qershor iu shqiptua dënimi prej 15 vjetësh.
Shkollat "Mehmet Akif" në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor "Gulistan".
"Gulistan" ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e klerikut fetar turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Mbështetësit e Gulenit, i cili vdiq në tetor të vitit 2024, konsiderohen terroristë nga Turqia, ndërkaq Lëvizja Hizmet, që ka miliona mbështetës, në Turqi është shpallur terroriste.