Ndërlidhjet

Për nëntë muaj, 76 të vdekur në aksidente trafiku


Një makinë e rrokullisur në Prishtinë.

Mosrespektimi i ligjit dhe rregullave në trafik, ka bërë që aksidentet rrugore të shndërrohen në një prej problemeve shumë serioze në Kosovë.

Vetëm gjatë muajve janar – shtator, 2019, sipas Policisë së Kosovës, 76 persona kanë vdekur në 66 aksidente, ndërsa 8.625 persona janë lënduar. Në shumicën e rasteve, sipas Policisë, fajtor është faktori njeri dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar për ngasje.

Gjatë këtij viti, përkatësisht gjatë periudhës janar – shtator, janë regjistruar gjithsej 11.732 aksidente, që në një llogaritje të thjeshtë i bie rreth 43 aksidente brenda një dite.

Autoritetet e rendit thonë se kanë shqiptuar mijëra gjoba, kryesisht për shkelje të rregullave në trafik dhe tejkalim të shpejtësisë.

Këto të dhëna janë paraqitur gjatë një prezantimi mbi sigurinë në trafikun rrugor në Kosovë.

Jeton Rexhepi, drejtor i Departamenti Rrugor në Policinë e Kosovës, tha se shumica e personave të lënduar apo që kanë përfunduar me fatalitet, janë të moshës mbi 19 vjeç. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2002 deri në vitin 2018, numri mesatar i personave që kanë humbur jetën brenda një viti është 142 veta. Marrë parasysh këtë numër të viktimave në trafik, për një vend me popullatë prej rreth 1.8 milion banorësh sa ka Kosova, Rexhepi tha se ka nevojë për një edukim dhe vetëdijesim më të madh të qytetarëve.

“Nëse flasim për periudhën janar-shtator 2019 dhe e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mund të them se përveç aksidenteve me dëme, që shënojnë një rritje për 2.6 për qind, të gjitha llojet e aksidenteve kanë shënuar rënie. Në këtë periudhë kohore, janë 76 persona që kanë humbur jetën, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 90 persona, që do të thotë se kemi 14 persona më pak”, tha Rexhepi.

*Video nga arkivi: Patrullimi i Policisë me vetura civile

Patrullimi i Policisë me vetura civile
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Megjithatë, këto shifra paraqiten si shumë shqetësuese për ekspertin e komunikacionit, Nol Dedaj, profesor në Kolegjin UBT. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se komunikacioni në Kosovë është i çrregulluar për shkak se institucionet e Kosovës nuk kanë mekanizma përkatës të parandalimit të aksidenteve.

Sipas tij, në Kosovë në kuadër të qeverisë, nuk ka një agjenci institucionale përgjegjëse që merret ekskluzivisht me masat preventive të aksidenteve, por siç thotë ai, ka institucione që publikojnë statistika.


“Nuk kanë njohuri për masa preventive, si mund të merren këto masa dhe kur, nuk ka identifikim të elementeve, të faktorëve që rrezikojnë komunikacionin. Çdoherë nga zyrtarë kompetentë thuhet se shpejtësia dhe faktori njeri janë fajtorë për aksidentet”.

“Duhet të krijohet një agjenci e sigurisë rrugore, agjenci kjo që duhet t’i paraprijë një instituti i cili duhet të merret me hulumtimin e aksidenteve të komunikacionit. Pastaj, agjencia merret me problemet në vendet e caktuara. Madje në të gjitha vendet e Evropës, ekziston harta e pikave të zeza, (vendeve të rrezikshme). Kosova këto harta nuk i ka”, shprehet Dedaj.

Përveç faktorit njeri dhe shpejtësisë, arsye tjera që çojnë në aksidente me fatalitet, thekson Dedaj, janë edhe vjetërsia e automjeteve në qarkullim, kontrollet teknike dhe veturat e paregjistruara dhe të pasiguruara.

*Video nga arkivi: Patrullimi i Policisë së Kosovës me dron

Policia patrullon me dron
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Numri i automjeteve të pasiguruara paraqitet si dukuri shqetësuese edhe për Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës. Drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate, Sami Mazreku, thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 22 milionë euro.


“Nga 2001 deri në vitin 2018, komplet sektori ka paguar 400 milionë euro dëme nga sigurimet. Këtu hyjnë edhe pjesa e dëmeve të pasiguruara që janë barrë për kompanitë e sigurimeve. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 22 milionë euro dëme, e që praqet një rritje prej 5.8 për qind krahasuar me vitin paraprak”, u shpreh Mazreku.

Shoqata e Sigurimeve në bashkëpunim më Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Infrastrukturës ka ditë që janë duke zhvilluar aktivitete vetëdijesuese për uljen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG