Ndërlidhjet

Mungesa e një sistemi qendror të Policisë, vështirëson pagesën e kundërvajtjeve në trafik


Ilustrim

Më shumë se 400 mijë gjoba i kishte shqiptuar Policia e Kosovës për kundërvajtësit në trafik, vetëm gjatë vitit të kaluar. Por, qytetarët që marrin gjoba, kanë ankesa lidhur me formën dhe vërtetimin e pagesës së gjobës.

L.J (emër i njohur për redaksinë) i cili muaj më parë, derisa po udhëtonte në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, ishte gjobitur për shkak të problemeve me dritat në veturën e tij, thotë se gjoba nuk i ishte shlyer pas kryerjes së pagesës.

Për ta shlyer gjobën nga sistemi, ai thotë të jetë detyruar të shkojë në Mitrovicë, edhe njëherë tjetër, vetëm për të dërguar fletë-pagesën si dëshmi – gjë që, sipas tij, i ka shkaktuar shpenzime shtesë dhe humbje kohe.

“Për ta paguar gjobën, fillimisht më është dashur të shkoj në një agjenci ku bëhen pagesat dhe përveç kësaj, mua më është dashur të shkoj në një qytet tjetër, në këtë rast Mitrovicë, për të bërë shlyerjen e dënimit pasi që e kam bërë pagesën. Do të thotë, edhe pasi që e kam bërë pagesën, më është dashur të shkoj në Mitrovicë për ta bërë shlyerjen e gjobës. Kjo më ka shkaktuar humbje kohe dhe shpenzime ekstra, do të thotë rrugën për të shkuar për bërë lajmërimin që e kam paguar gjobën dhe pastaj të pres derisa ta largojnë atë nga sistemi”, shpjegon ai.

Dërgimi i fletë-pagesës së gjobës në komunën ose rajonin brenda territorit të së cilit është gjobitur, për të dëshmuar shlyerjen e borxhit, sipas tij, është i pakuptimtë.

“Mua më intereson se pse kur bëhet pagesa me një vend tjetër, në atë moment nuk bëhet edhe shlyerja e gjobës nga data-baza? Sepse do të ishte shumë më e lehtë që dënimi të fshihet nga data-baza menjëherë pas pagesës, sepse unë e shoh shumë të panevojshme të shkojmë në një qytet tjetër për ta bërë lajmërimin që e kemi bërë shlyerjen e borxhit”, thotë ai.

*Video nga arkivi: Gjoba të reja në trafik

Gjoba të reja në trafik
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Në Policinë e Kosovës thonë se zyrtari policor, i cili e shqipton gjobën, e informon kundërvajtësin për vendin, mënyrën dhe afatin e pagesës së gjobës dhe se këto informata duhet të jenë të evidentuara në fletëparaqitjen për kundërvajtje në trafikun rrugor.

Sipas tyre, kundërvajtësi, pas pagesës së gjobës, duhet të dërgojë fletë-dëshminë për pagesën në stacionin policor, i cili e ka shkruar kundërvajtjen, me qëllim që gjoba të shlyhet nga sistemi.

“Kundërvajtësi, pas pagesës së gjobës, fletë-dëshminë për pagesën, e dërgon në stacionin policor, i cili e ka shkruar kundërvajtjen me qëllim që gjoba e shqiptuar, të shlyhet nga sistemi”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni.

Megjithatë, sipas tyre, kjo nuk është mundësia e vetme.

“Të gjitha fletëpagesat për gjobat e paguara, duhet t’i dorëzoni në stacionin policor më të afërt (jo patjetër në vendin ku ju është shqiptuar gjoba) pas pagesës së gjobës, që të mund të evidentohet kjo në sistem”, thuhet në paragrafin pasues, të përgjigjes.

Krijimi i një regjistri të centralizuar nga Policia e Kosovës, ku qytetarëve do t’u mundësohej shlyerja e gjobave vetëm duke paguar në bankë, pa pasur nevojë të shkojnë në stacione policore, sipas Visar Rushitit nga “Demokracia Plus”,është zgjidhja për këtë problem.

“Në këtë rast do të duhej të ekzistonte një regjistër i centralizuar i dhënies së dënimeve, por ndoshta më me rëndësi do të ishte i shlyerjes së dënimeve. Dhe, në momentin që një qytetar e paguan një dënim, në një bankë të caktuar, atëherë nëpërmes pagesës në një konto të Policisë, në konton e përcaktuar caktuar nga ana e Policisë, atëherë me këtë do të do të duhej të mjaftonte edhe shlyerja e dënimit apo gjobës. Kjo do të duhej të regjistrohej menjëherë nga ana e Policisë dhe të mos maltretohen qytetarët që të shkojnë në një stacion më të afër apo në një regjion ku është dënuar, në stacionin përkatës, në mënyrë që të shlyhet ky dënim”, vlerëson Rushiti.

*Video nga arkivi: Policia e Kosovës patrullon me dron

Policia patrullon me dron
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Lidhur me këtë, në Policinë e Kosovës thonë se janë duke punuar në ndërlidhjen e sistemeve të pagesave për kundërvajtjet në trafik, në mënyrë që shlyerja e gjobës të bëhet automatikisht pas pagesës.

“Jemi në fazën finale të testimeve lidhur me ndërlidhjen e sistemeve të pagesave të kundërvajtjeve në trafik në mes të Policisë dhe institucioneve të autorizuara që kryejnë këto shërbime, me qëllim që evidentimi në sistem të bëhet në mënyrë automatike/online”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, nëse kundërvajtësit në trafikun rrugor paguajnë gjobën brenda 15 ditësh - nga data e shqiptimit të saj - ata paguajnë vetëm gjysmën e shumës së paraparë për kundërvajtjen e kryer. Pas këtij afati ose refuzimit të ankesës nga organet kompetente, gjoba paguhet e plotë.

XS
SM
MD
LG