Ndërlidhjet

Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-liderit boshnjak, Ejup Ganiq


Ish-lideri bosnjak, Ejup Ganiq.
Ish-lideri bosnjak, Ejup Ganiq.

Autoritetet në Sarajevë kanë ngritur aktakuza për krime lufte ndaj disa ish-politikanëve boshnjakë dhe liderëve ushtarakë për rolin e tyre në vrasjen e ushtarëve jugosllavë në fillim të luftës së Bosnjës në vitet ’90.

Prokurorët në Sarajevë kanë ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave për përfshirje në sulmin e vitit 1992, kur një konvoj i forcave të Ushtrisë Popullore Jugosllave po tërhiqej nga Sarajeva, dhe ishte i shoqëruar nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.

Në mesin e të dyshuarve janë edhe Ejup Ganiq, ish-anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës gjatë luftës, dy ish-ministra të Brendshëm dhe disa gjeneralë në pension të ushtrisë boshnjake.

Tetë ushtarë të Ushtrisë Jugosllave, punëtorë civilë dhe anëtarë të stafit mjekësor ushtarakë u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën në këtë sulm, thuhet në aktakuzë.

Sulmi i 3 majit të vitit 1992 në rrugën Dobrovolaçka ndodhi një ditë pas granatimeve të shumta në qendër të Sarajevës, granatime që u kryen nga Ushtria Jugosllave dhe forcat serbe të Bosnjës.

Ky sulm ndodhi dy muaj pasi Bosnja, përmes një referendumi, votoi për pavarësi nga Jugosllavia.

Ganiq dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë “planifikuar, sulmuar dhe kanë nxitur të tjerët që të sulmojnë konvojin e pambrojtur... që ishte i shoqëruar nga forcat paqeruajtëse të OKB-së”, dhe po ashtu kanë dështuar që të parandalojnë vrasjet dhe të dënojnë keqbërësit, thanë prokurorët.

Më 2012, prokurorët kishin pezulluar një hetim ndaj Ganiqit dhe 13 ish-liderëve boshnjakë të luftës, që dyshoheshin për krime lufte.

Lufta në Bosnjë ka lënë të vdekur pothuajse 100,000 persona dhe mbi 11,500 janë vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës.

XS
SM
MD
LG