Ndërlidhjet

Aktakuzë kundër R.H për mosdeklarim të pasurisë


Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka thënë të premten se prokurori i këtij institucioni ka ngritur aktakuzë kundër R.H, për veprën penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Këto të hyra duhet të raportohen në Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit.

Sipas mediave lokale në Kosovë, aktakuza është ngritur ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Vetë ministrja Hajdari nuk është deklaruar për këtë gjë.

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Deri më tash, duke mos përfshirë mjekët dhe profesorët, deklarimin e pasurisë në Kosovë e kanë bërë rreth 5 mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse.

Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Kosova nuk ka ende ligj për verifikimin prejardhjes së pasurisë.

XS
SM
MD
LG