Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.
Sipas njoftimit, J.V., D.V., dhe I.D akuzohen për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.
Aktakuza thotë se J.V. dhe D.V., së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv [rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’] në brendësi të kanalit”.
“J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër-Lepenc, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, u tha në njoftimin për media.
Çfarë është Ibër-Lepenci?
Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, me seli në Prishtinë, është një ndërmarrje që furnizon me ujë të papërpunuar industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë, si dhe prodhon energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit.
Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt, 1967.
Ndërtimi i këtij sistemi u bë në dy faza: Faza e Ibrit, e cila përfundoi më 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk u realizua.
Kjo ndërmarrje sot është shoqëri aksionare, 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës.
Prokuroria Speciale tha se J.V. akuzohet po ashtu për spiunazh, pasi sipas saj, ai deri në momentin e arrestimit, “në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”.
Hetimi për këtë rast, sipas Prokurorisë, u krye në bashkëpunim me partnerët evropianë.
Lidhur me shpërthimin, autoritetet kishin arrestuar dhjetëra persona të dyshuar dhe kishin sekuestruar armë dhe eksplozivë.
Por, deri më tani dihej se për këtë rast ishin dërguar në paraburgim vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, që janë dy nga tre të akuzuarit.
Pas shpërthimit në Varragë të Zubin Potokut, autoritetet në Kosovë e fajësuan Serbinë për rastin, por Beogradi i mohoi akuzat.
Kosova e konsideron shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit si akt terrorist.
Pas shpërthimit, Shtetet e Bashkuara se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin, por se ishte herët për nxjerrjen e përfundimeve. SHBA-ja atëbotë po ashtu tha se në hetime ishin përfshirë edhe agjentët e Byros Federale të Hetimit (FBI).
Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, furnizon me ujë disa qytete të Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Kjo ndërmarrje është në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës.