Ndërlidhjet

Aktakuzë ndaj tre personave për vrasjen e trefishtë në Gllogjan


Autobusi që u sulmua në Gllogjan të Deçanit në nëntor të vitit 2021.
Autobusi që u sulmua në Gllogjan të Deçanit në nëntor të vitit 2021.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vrasjen e tre personave më 26 nëntor 2021 në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Në një konferencë për media më 5 maj, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, njoftoi se pas hetimeve prej një viti e gjysmë, kanë ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë kundër Kastriot Mehmetajt dhe Kreshnik Mehmetajt.

Aktakuzë u ngrit edhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në këtë vepër penale.

Prokurorja Gashi dha edhe detaje të tjera nga hetimi i vrasjeve dhe foli edhe për motivin e mundshëm.

“Nuk ka indikacione për një sulm terrorist. Kemi të bëjmë me një ekzekutues, me shumë gjasë të maskuar. Target i sulmit ishte shoferi i autobusit”, tha ajo dhe shtoi se sulmi ishte mirë i planifikuar.

Çfarë ndodhi në Gllogjan?

Vrasja e tre personave kishte ndodhur pas një sulmi të armatosur ndaj një autobusi që po bartte edhe nxënës në Gllogjan.

Të vrarë mbetën dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Autoritetet atëbotë ofruan shpërblim prej 20.000 eurosh për këdo që jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorëve të këtij sulmi.

XS
SM
MD
LG