Ndërlidhjet

Vdes një aktivist bjellorus që ishte dënuar për protestat anti-qeveritare


Protestë në Bjellorui. 4 tetor, 2020.

Një aktivist politik në Bjellorusi, që ishte dënuar me pesë vjet burgim në fillim të këtij viti, për shkak të pjesëmarrjes në protestat anti-qeveritare, raportohet se ka vdekur.

Rrethanat e vdekjes së Vitold Ashurok ende nuk janë të qarta. Agjencia e lajmeve, Onliner dhe media të tjera, kanë raportuar se ai kishte pasur sulm në zemër, teksa po vuante dënimin në një burg në lindje të Bjellorusisë.

Ashurok, 50 vjeç, ishte anëtar i partisë opozitare Fronti Popullor i Bjellorusisë dhe koordinator në Lëvizjen “Për Liri”.

Gjatë gjykimit të mbajtur në janar, një gjykatë e gjeti atë fajtor për shkelje të urdhrit publik dhe dhunë ndaj policisë.

Liderja opozitare, që gjendet në ekzil, Svyatlana Tsikhanouskaya dënoi autoritetet e burgut, që siç tha, lejuan që Ashurok të vdes.

“Njerëzit nuk është se vetëm po vuajnë, ata po vdesin për shkak të regjimit në Bjellorusi”, tha ajo në një postim në Twitter.

Dhjetëra-mijëra bjellorusë, për muaj të tërë gjatë vitit të kaluar, protestuan pasi Alyaksandr Lukashenka shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të gushtit të vitit 2020. Rezultati i zgjedhjeve është kontestuar gjerësisht.

Tsikhanouskaya ka bërë thirrje për zgjedhje të reja, por Lukashenka ka refuzuar që ato të mbahen.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar Lukashenkan dhe dhjetëra zyrtarëve dhe biznesmenëve u janë ngrirë asetet dhe u janë refuzuar vizat.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke folur në lidhje me vdekjen e aktivistit Ashurok, tha se blloku “kërkon lirimin e menjëhershëm” të të gjithë burgosurve politikë.

XS
SM
MD
LG