Ndërlidhjet

Aktualizohen hetimet e këshilltarit Mueller në Senatin amerikan


Këshilltari i posaçëm Robert Mueller, i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet në SHBA, duke dalë nga Capitol Hill. 21 qershor, 2017
Këshilltari i posaçëm Robert Mueller, i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet në SHBA, duke dalë nga Capitol Hill. 21 qershor, 2017

Senatori amerikan, Mark Warner, e ka paralajmëruar presidentin amerikan, Donald Trump të mos e shkarkojë këshilltarin special Robert Mueller dhe të mos përdorë faljen për personat që po heton këshilltari.

Duke folur para Senatit, demokrati Warner ka thënë para Komitetit për Inteligjencë se rritja e kritikave për hetimet e Muellerit nga Shtëpia e Bardhë dhe republikanët, po dërgon në përgatitjen e terrenit për shkarkimin apo ndërhyrjen në hetimet e tij.

Ai ka paralajmëruar se çdo tentim për ta larguar këshilltarin Mueller, “ka mundësi që të provokojë një krizë kushtetuese”.

Trump në vazhdimësi ka thënë se nuk e ka në plan ta bëjë një gjë të tillë, ndonëse ka deklaruar se ka fuqi në rast se ka nevojë.

Bazuar në ligjin amerikan për këshilltarët specialë, presidentit Trump nuk i lejohet që drejtpërdrejt ta shkarkojë Muellerin, mirëpo kritikët kanë thënë se ai mund të kërkojë një gjë të tillë nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë dhe nëse ata nuk e miratojnë kërkesën, Trump mund t’i shkarkojë zyrtarët në fjalë.

Gjatë të ashtuquajturës “Masakara e së shtunës mbrëma” më 1973, presidenti Richard Nixon kishte kërkuar nga prokurori dhe zëvendësprokurori i përgjithshëm që ta shkarkojë hetuesin e skandalit Watergate.

Ata kishin refuzuar të marrin një vendim të tillë duke dhënë dorëheqje.

“Gjatë javëve të kaluara, janë ngritur disa zëra të papërgjegjshëm që kanë kërkuar nga presidenti Trump të ndërpresë hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller”, ka thënë Warner duke shtuar se thirrjet duket të kenë qenë “të koordinuara”.

“Presidenti ka thënë se nuk planifikon ta shkarkojë Muellerin, mirëpo vëmendja e tij në këtë fushë përbën shqetësim”, ka thënë Warner duke përmendur se Trump e ka larguar nga pozita drejtorin e FBI-së, James Comey, i cili ka udhëhequr hetimet për Rusinë më herët gjatë këtij viti.

“Unë jam i sigurt se shumë prej kolegëve të mi nuk kanë besuar se ai do ta shkarkonte Jim Comey”, ka shtuar Warner.

Sa i përket faljes, disa thashetheme kanë qarkulluar në Uashington për atë se Trump mund t’i falë ata që janë pjesë e hetimeve, duke përfshirë ish-udhëheqësin e fushatës së tij Paul Manafort, i cili është përmendur nga Mueller, apo ish-këshilltarin për siguri kombëtare, Michael Flynn, i cili ka pranuar fajësinë për deklarata të rrejshme ndaj FBI-së dhe tani po bashkëpunon në hetimet e Muellerit.

Mirëpo, avokatët e Shtëpisë së Bardhë kanë përsëritur në vazhdimësi se presidenti nuk është duke planifikuar ndonjë falje për dikë.

Republikanët dhe aleatët e ngushtë të Trumpit kanë sulmuar hetimet e Muellerit dhe ekipit të tij duke thënë se në Departamentin e Drejtësisë duhet të diskutohen gjëra me më shumë prioritet.

Ndonëse emërimi i Muellerit ka pasur mbështetjen e të dy partive në Kongres, Warner ka thënë se republikanët kanë rritur qasjen armiqësore ndaj hetimeve.

Sidoqoftë, shumica e republikanëve në Kongres nuk kanë kërkuar shkarkimin e Muellerit, dhe disa prej tyre vazhdojnë të bëjnë thirrje që të mos ketë intervenim në hetime.

“Unë besoj se kur e gjitha të përfundojë, Mueller do të ndjekë vetëm gjëra të vërteta dhe do ta bëjë atë në rrugë të drejtë dhe të balancuar”, ka thënë senatori republikan Marco Rubio në Komitetin e Senatit për Inteligjencë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG