Ndërlidhjet

Alarmet për bomba zbrazin shkollat e mesme në Shkup


Shkollë në Maqedoninë e Veriut - Fotografi ilustruese.
Shkollë në Maqedoninë e Veriut - Fotografi ilustruese.

Për tri ditë me radhë përfshirë edhe të premten, nëntë shkolla të mesme në Shkup kanë marrë alarme për vendosje të mjeteve shpërthyese, bombave, në objektet e tyre.

Shkollat e mesme në Shkup këto alarme i kanë marrë përmes postave elektronike, ku është theksuar se janë vendosur mjete shpërthyese – bomba në objektet e tyre. Të gjitha paralajmërimet e dy ditëve të mëhershme, të së mërkurës dhe së enjtes, kanë rezultuar të rrejshme.

“Pas denoncimit, nga ana e zyrtarëve policorë janë ndërmarrë masa për evakuim të sigurt të nxënësve të shkollës dhe kontrolle antiterroriste dhe për zbardhjen e rastit”, theksohet ndër tjerash në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Në mesin e shkollave që të enjten kanë marrë alarme përmes postës elektronike është dhe Shkolla e mesme profesionale “Cvetan Dimov” në lagjen Çair të Shkupit.

...në shumë shkolla ka bomba, do të vdisni, kjo është hakmarrje".

Drejtori i kësaj shkolle, Visar Duraku, tha për Radion Evropa e Lirë se menjëherë pas marrjes së e-mailit për vendosje bombe, i ka informuar organet e sigurisë dhe për pak minuta kanë evakuuar të gjithë nxënësit e shkollës.

“Edhe në emailin tim si drejtor, erdhi i njëjti email që ishte dërguar në të gjitha shkollat e mesme. Pra, se në shumë shkolla ka bomba, do të vdisni kjo është hakmarrje”, tha Duraku. Ai shtoi se në postën elektronike që ka marrë, nuk ka pasur të dhëna e as kush është dërguesi i kërcënimit dhe cili është qëllimi i kërcënimit.

Duraku theksoi se fatmirësisht kjo shkollë të premten nuk ka marrë kërcënim dhe se procesi i mësimit u zhvillua me rregull.

Ndërkaq, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, të premten ka kërkuar që të veprojnë organet e sigurisë për të gjetur sa më shpejt autorët e këtyre kërcënimeve, njëherësh u kanë bërë thirrje bashkëmoshatarëve që të mos krijojnë panik.

“Paniku është armiku më i madh në këto situata. Andaj iu bëj thirrje bashkëmoshatarëve të mi që ta ruajnë gjakftohtësinë dhe t’u lejojnë organeve të rendit të kryejnë punën e tyre. Ndërkohë, i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjitha organeve kompetente të sigurisë që të zbulojnë kush fshihet pas këtyre kërcënimeve dhe të kthejnë sigurinë në mbarëvajtjen e procesit mësimor”, tha për Radion Evropa e Lirë, Lluka Paviçeviq, kryetar i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme.

Ai theksoi se këto kërcënime duhet të merren seriozisht duke pasur parasysh gjendjen e sigurisë në vend dhe në botë.

Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase tha se tashmë kanë arritur deri tek informacionet e para se prej ku janë dërguar emailet me alarme për vendosje bombash në adresë të shkollave të mesme.

“Më e rëndësishmja është që të arrijmë të zbulojmë të gjitha IP adresat prej ku vjen ky akt monstruoz, pa dallim nëse bëhet fjalë për sulm kibernetik mbi Maqedoninë e Veriut ose për lojëra politike, si një prej supozimeve. Pa dallim se për çfarë bëhet fjalë, askush nuk duhet të lejojë që të luajë me fatin e fëmijëve dhe të gjithë ne. Kjo është një temë e ndjeshme dhe vlerësoj se pa marrë parasysh se kush i porosit të gjitha këto, duhet të kihet në mendje se nuk mund bëhen lojëra me sistemin dhe qytetarët”, deklaroi të enjten ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Mirëpo, Zllate Dimoski, ligjërues në Fakultetin e Sigurisë në Shkup për Radion Evropa e Lirë thotë se është shumë e vështirë të mund të zbulohen kryesit e kësaj vepre.

Nëse kemi të bëjmë me aktivitete terroriste, pra nëse dëshirojnë të krijojnë destruktivitet dhe eliminim eventual të pushtetit politik, kjo është padyshim ajo që do të arrihet".


Dimoski thekson se për fat të mirë këto njoftime ishin të rrejshme, por shton se të njëjtat do të lënë pasoja në funksionimin e sistemit.

Ai thekson se si ekspert, po edhe si prind, me rëndësi të veçantë është që institucionet sa më parë të zbulojnë se kush është armiku i padukshëm që kërcënohet me sigurinë e gjeneratave të reja.

“Nëse kemi të bëjmë me aktivitete terroriste, pra nëse dëshirojnë të krijojnë destruktivitet dhe eliminim eventual të pushtetit politik, kjo është padyshim ajo që do të arrihet, kjo është njëra anë e medaljes. Qëllime të tjera do të ishin çorganizimi i të gjithë sistemit, krijimi i frikës, krijimi i panikut në institucionet e sistemit përveç asaj që kanë tashmë. Ky është qëllim i grupeve ekstremiste”, vlerëson Dimovski.

Alarmet për vendosje bombash në shkollat e mesme në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut kanë krijuar shqetësim te prindërit, të cilët janë në dilemë nëse duhet t’i dërgojnë fëmijët në shkolla gjatë javës që vjen derisa të zbardhet ky rast plotësisht.

Alarmet e rreme për vendosje bombash në rajon

Njoftime kërcënuese për vendosje të mjeteve shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet. Policia e Kosovës ka konfirmuar se kërcënimet për bomba të vendosura në disa shkolla kanë qenë të rrejshme.

Mali i Zi ishte ndër shtetet e para në Ballkan që pranoi kërcënime serioze për mjete shpërthyese nëpër institucione publike e private që nga fundi i muajit mars.

Më 1 prill, atje u evakuuan nxënësit dhe personeli nga dy shkolla pas një emaili kërcënues se ishin vendosur bomba.

Edhe objektet publike në Beograd të Serbisë kanë qenë cak i raportimeve të rreme për vendosje bombash. Policia nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të të gjithë alarmeve për bomba, por besohet se janë pranuar qindra raportime të tilla.

Edhe në Kroaci është raportuar për një kërcënim të rremë për vendosje të mjetit shpërthyes në një qendër tregtare në Zagreb më 18 maj.

Në shkurt, punëtorët e një gjykate në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, ishin evakuuar nga objekti nën kërcënimin për bombë, i cili po ashtu doli të ishte alarm i rremë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG