Ndërlidhjet

Kurti i cilëson nxitëse deklaratat e Petkoviqit për Asociacionin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se deklaratat e bëra nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, janë deklarata nxitëse dhe nuk i kontribuojnë ligjit dhe shtetit të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi më 30 korrik se përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës do të nisin me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse Kosova nuk heq dorë nga vendimi për zëvendësimin e targave serbe dhe reciprocitetin mbi dokumentet e identifikimit të Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Prishtinë më 31 korrik, Kurti tha se qytetarët serbë në Kosovë nuk po i kërkojnë që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese, peticioni i qytetarëve dhe në anën tjetër, në zyrën time, ajo çfarë mund t’iu them, nuk ekziston asnjë letër e asnjë qytetari serb të Kosovës që thotë ‘zbatoje Asociacionin’. Asnjë. Për çdo javë marr letra nga qytetarët serbë, por asnjëra nuk është për Asociacionin. Unë ju përgjigjem qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj besoj që duhet ta kemi parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015, por gjithashtu edhe interesi publik i yni, nuk e imponon me domosdoshmërinë destabilizuese të Beogradit temën e këtillë në Kosovë”, tha Kurti.

Kosova dhe Serbia më 2013 kanë arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin, ndërkaq më 2015 palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociaicionit.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese gjeti se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që tha se mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Serbia insiston që të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërkaq kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

XS
SM
MD
LG