Ndërlidhjet

Kurti dhe Lajçak bisedojnë për rundin e ri të dialogut


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, gjatë një takimi në Qeverinë e Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, gjatë një takimi në Qeverinë e Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, për rundin e ri të bisedimeve të nivelit të lartë, që parashihet të mbahet në shtator.

Kurti dhe Lajçak u takuan në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, që po mbahet në Slloveni.

“Kisha një takim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti sot në Bled. Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogu në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.

Deklarata e 3 qershorit e liderëve të Bashkimit Evropian ka të bëjë me kërkesat kyçe të bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe rikthimin e palëve në dialog.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë ende në fuqi.

Sa i përket situatës në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Kurti, sipas një njoftimi të zyrës së tij, tha se situata tashmë është shtensionuar dhe ajo “nuk duhet të përshkallëzohet sërish”.

“Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet t'iu prijë një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”, tha Kurti, sipas njoftimit për media.

Situata në veri të Kosovës u tensionua në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit – me asistimin e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në zgjedhjet e prillit. Ky proces ishte bojkotuar nga popullata serbe dhe partitë serbe.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

HapiVeprimiKoha
1

Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t'u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Java e parë
2

Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Nga java e parë, në vazhdimësi
3

Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4

BE-ja do t'i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.

Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Në korrik, Kosova dhe BE-ja u pajtuan për hapat drejt shtensionimit, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

XS
SM
MD
LG