Ndërlidhjet

Kurti: Nuk ka datë për takimin me Vuçiqin 


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për media më 30 qershor në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur ai do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një konferencë për media në Prishtinë, më 17 shtator, Kurti deklaroi se me Vuçiqin do të takohet më 6 tetor në samitin e Sllovenisë, midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ndërkaq tregoi se për cilat tema nuk ka diskutuar me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili po viziton Kosovën.

“Nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave. Kemi diskutuar për propozimet tona që i kemi dhënën për raportet me Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. S’kemi diskutuar as për reciprocitetin”, tha Kurti, duke shtuar se nuk është diskutuar as për katër marrëveshjet, që janë në diskutim e sipër në Bruksel.

Në takimin e fundit në Bruksel më 7 dhe 8 shtator, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel të negociatorëve, përfaqësuesi i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se palët janë pajtuar që të hapen arkivat në Serbi dhe Kosova të hapë arkivat shtetërore “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, me qëllim që të ndihmohet në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka arkiva për UÇK-në.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se Serbia po insiston që në marrëveshjet rajonale, të mos përmenden shprehje si “qytetar, territor, qeveri, shtet apo vend”, pasi sipas tij, “ata (zyrtarët serbë) kundërshtojnë çka do që edhe aludon në barazi me Kosovën”.

“Me Qeverinë e Kosovës, të cilën e udhëheq unë, natyrisht që nuk mund të vazhdojë avazi i vjetër i atyre qeverive të mëhershme. Unë besoj që nëse kemi probleme bilaterale ato duhet të tejkalohen në marrëveshje multilaterale të iniciativave rajonale, e jo problemet bilaterale t’i shkatërrojnë edhe iniciativat rajonale siç ekziston tendenca”, tha Kurti.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

XS
SM
MD
LG