Ndërlidhjet

Rashiti: Situatë e paqartë drejt përmbylljes së konfliktit Kosovë-Serbi


Naim Rashiti, fotografi nga arkivi.

Ndonëse janë bërë dhjetë vjet që nga fillimi i dialogut, është situatë shumë e paqartë se nga shkon ky proces i përmbylljes së konfliktit Kosovë-Serbi, thotë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika. Sipas tij, pozicionet e palëve janë skajshmërish të kundërta ndërkaq Bashkimi Evropian nuk ka asgjë në tavolinë që mund t’u ofrojë palëve.

Çështja kryesore në ridizajnim të qasjes ndaj dialogut për Qeverinë e tanishme të Kosovës, sipas tij është se a do të ketë progres në të dhe a do të ecë dialogu. Rashiti thekson se në qoftë se Serbia i hapë arkivat për të pagjeturit, ashtu siç është paralajmëruar, kjo do të ishte shumë domethënëse dhe do të ndërtonte premisa shumë të fuqishme për dialog.

Duke komentuar nismën Ballkani i Hapur, ai thotë që Shtetet e Bashkuara nuk janë kundër kësaj nisme, por jo edhe që domosdo e mbështesin atë.

Moratoriumin mbi çështjet e njohjeve dhe anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë, për të cilin SHBA-ja i ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që ta vazhdojnë, Rashiti e sheh si instrument për intensifikimit të dialogut.

Dialogu i paformësuar dhe pa substancë

Radio Evropa e Lirë: Pas takimit të fundit, më 8 shtator, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në bisedimet në Bruksel, zyrtarë të BE-së që ndërmjetësojnë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë deklaruar se pozicionet e palëve në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta. Në fazën e tanishme, a është procesi i dialogut në vendnumëro?

Naim Rashiti: Procesi i dialogut është në vendnumëro për kohë të gjatë. Edhe në qeverisjen e (ish-kryeministrit Avdullah) Hotit, kur filloi dialogu, meqë kishte një pajtim për një kornizë të re, shpejt hasi në qorrsokak, për faktin se u hapën temat e vështira për Kosovën dhe të paqarta për palën tjetër apo temat që nuk e definonin qartë dialogun. Edhe tani, me Qeverinë e re të (kryeministrit Albin) Kurtit, përtej problemit të kornizës së dialogut të paqartë, kemi pozicione të paqarta, të padefinuara të Qeverisë Kurti edhe të Serbisë, por kemi edhe të Bashkimit Evropian apo faktorit ndërkombëtar. Në veçanti, nëse flasim për Qeverinë e Kosovës, natyrisht, pas shumë vitesh opozitë ndaj një procesi të tillë, ka për një përcaktim për të ndryshuar qasjen në dialog, për të ndërtuar tërësisht një frymë tjetër të dialogut dhe parametra tjerë të dialogut. Se a do t’ia arrijë, mbetet të shohim, nuk e dimë. Por, ky është qëndrimi dhe pozicioni politik i qeverisë.

Megjithatë, mund të themi që dhjetë vjet pas dialogut, pas ndryshimit të qeverive të ndryshme, ndryshimeve politike, jemi në situatë shumë të paqartë se nga shkon procesi i dialogut dhe përmbylljes së konfliktit Kosovë-Serbi. Me një Serbi, e cila gjithnjë e më shumë bëhet agresive, me një Kosovë të papërcaktuar se si duhet ta mbyllim këtë proces dhe me BE-në, e cila nuk ka asgjë në tavolinë për njërën apo palën tjetër, në veçanti për Kosovën. Kështu që, përkundër investimit të madh që bëhet, dialogu është ende jo i formësuar për të ditur rrugëtimin e tij apo edhe për të ditur kornizën përfundimtare.

Radio Evropa e Lirë: Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte paralajmëruar si i mundshëm për këtë muaj, por tashmë është thënë që nuk do të mbahet. A shihni disponim të palëve për ta vazhduar dialogun më seriozisht apo kjo që po ndodhë deri më tash është sa për sy e faqe?

Naim Rashiti: Tani, nuk mund të themi sa për sy e faqe apo për të plotësuar metodologjinë e mbajtjes së takimeve. Më shumë ka paqartësi në qëndrime dhe pozicione, si dhe nuk ka substancë në dialog. Nuk ka asnjë element të pajtueshëm në mes palëve për t’u ulur në tavolinë. Në momentet që nuk ka pajtim apo ka mospajtime të mëdha, siç ka ndodhur në takimet e fundit, tensionet vetëm sa rriten. Derisa të ndërtohet një kornizë, një proces i pajtueshëm, se me cilat tema do të diskutohet, me çfarë dinamike do të diskutohen ato, me çfarë kornize do të formësohen ato tema, nuk e besoj që do të kemi ndonjë takim përmbajtësor ndërmjet liderëve të të dy vendeve.

Korniza e domosdoshme e dialogut

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ajo kornizë duhet të iniciohet nga dikush...

Naim Rashiti: Herën e kaluar, në Qeverinë Hoti, patëm një kornizë të lehtësuar nga (i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav) Lajçak dhe në kuadër të Samitit të Berlinit që u mbajt me dy liderët, (presidenti francez, Emmanuel) Macron dhe zonja (kancelare e Gjermanisë, Angela) Merkel, me të dy liderët e Kosovës. Aty kishte një përcaktim të kornizës sa për të ndërtuar dialogun, për të krijuar parakushtet për dialog, por nuk zgjati shumë. Tani nuk kemi. Unë mendoj që përpjekja duhet të bëhet në këtë pikë, që duke kuptuar se Qeveria Kurti ka qëndrime relativisht ndryshe nga qeveritë e kaluara për dialogun, megjithatë duhet të ulet së bashku me faktorët ndërkombëtarë, me kryeqendrat kryesore, që të përcaktojnë një kornizë të dialogut për më tutje. Derisa nuk kemi diçka të tillë, nuk e besoj që mund të kemi një dialog shumë dinamik.

Duke mos i ditur detajet e takimeve apo detajet e tyre, megjithatë mendoj që shkuarja në takime pa agjenda për të cilat ekziston pajtimi, vetëm sa do të shkaktojë dëm. Nëse është e pamundur që të kemi një kornizë për përmbyllje të procesit, atëherë duhet të shohim se çfarë është e mundur. Sidomos nga aspekti human dhe nga aspekti i interesave dhe përfitimit të qytetarëve, gjë që është proklamuar shumë fuqishëm nga qeveria e kryeministrit Kurti, se do të bëhet një dialog, si një koncept i të bërit dialog për të lehtësuar jetën e qytetarëve ose zgjidhjen e probleme të qytetarëve. Ndoshta edhe aty ka elemente ku mund të ulen palët dhe t’i zgjidhin problemet. Për shembull, menaxhimi i përbashkët i kufirit (IBM), kufijtë, targat, të pagjeturit dhe elemente të tjera që reflektojnë pozitivisht te qytetarët. Dhe, gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë ose në përpjekje për të bashkëpunuar ngushtë me BE-në, të gjenden se cilat janë modalitetet, me të cilat Kosova do të negocionte me Serbinë dhe që përfitimet të ishin të drejtpërdrejta edhe në drejtim të zgjidhjes së tensioneve dhe problemeve me Serbinë, por edhe në drejtim të BE-së.

“Kurti po e zbaton atë që ka thënë”

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni dhe vlerësoni qasjen e kryeministrit Kurti në dialogun me Serbinë dhe cila mund të jenë kahja e procesit, marrë parasysh qëndrimet e tij?

Naim Rashiti: Kryeministri Kurti vjen nga një opozitarizëm i fuqishëm ndaj këtij procesi dhe ai po e zbaton atë që e ka thënë, në pjesën kryesore, sesa i përket dialogut nuk do ta bëjë atë siç është bërë më herët dhe nuk do të ketë qasje ndaj dialogut siç është bërë më herët, por do të ketë riaranzhim të temave, të qasjes, e kështu me radhë.

Kemi parë që edhe qeveritë e kaluara e kanë bërë këtë. Kur ka nisur dialogu me ish-kryeministrin (Hashim) Thaçi, shumë njerëz nuk janë pajtuar me metodologjinë e atij dialogu. Pastaj edhe me zotin (ish –kryeministrin Isa) Mustafa. Pastaj edhe me zotin Thaçi kur kaloi nga dialogu teknik në dialogun politik për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshinte kompromise të mëdha të të dy palëve dhe kështu me radhë. Pastaj pamë një qasje tjetër të ish-kryeministrit (Ramush) Haradinaj.

Ideja është që ne kemi ngecur gjatë tërë procesit, jo me fajin tonë tërësisht, por me definicionin që i kemi dhënë dialogut dhe kemi ngecur në avancimin e këtyre qasjeve dhe agjendave që i kemi ndërtuar. Çështja kryesore në këtë ridizajnim të qasjes ndaj dialogut dhe ripërkufizim të qasjes ndaj dialogut për qeverinë e tanishme është se a do të ketë progres në të dhe a do të ecë dialogu. Ndryshimin e qasjes dhe ndërtimin e një qasje të re, nëse nuk ka progres në dialog dhe nuk i arrihen qëllimet e Kosovës për ta ripozicionuar veten në raport me Serbinë dhe në raport me BE-në, atëherë pas një ose dy vjetësh do të trajtojmë ngjashëm me qasjet që kishim edhe më herët.

Hapja e arkivave për të pagjeturit ndërton premisa të fuqishme për dialogun

Radio Evropa e Lirë: Në takimin e fundit të dy delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, pala serbe ka shprehur pajtimin – të paktën kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi – për hapjen e të gjitha arkivave në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Sipas jush, sa mund të jetë kjo e realizueshme marrë parasysh që deri më tash pala serbe nuk e ka bërë këtë?

Naim Rashiti: Tani, unë në i di detajet. Nuk e di çka ka ndodhur në këto takime, nuk i di përgatitjet që janë bërë dhe a ka pasur ndonjë progres. Edhe Qeveria Hoti, por edhe ish-presidenti Thaçi e kanë pasur në parim një pajtim me Serbinë për t’i hapur arkivat, që çështja të pagjeturve të fillojë të zgjidhet. Bile, ka qenë një segment i definuar mirë që të ketë arbitrazh, një rol ndërmjetësues i arbitrit, siç është BE-ja, që të lehtësojë dhe në një farë forme të jetë mekanizëm i fuqishëm. Nuk e di se e kujt është kjo marrëveshje pajtimi, a kemi riformulim të marrëveshjeve të kaluara apo kemi përkufizim të ri në mes palëve. Por, po të ndodhte, do të ishte shumë domethënëse, sepse është një prej çështjeve më të ndjeshme, do të ndërtonte premisa shumë të fuqishme për dialog, do t’i ulte tensionet, do të shprehte vullnetin dhe gatishmërinë e palëve për dialog dhe do të ishte në linjë me atë që e ka proklamuar kryeministri (Kurti) për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve. Pra, nëse zbatohet. Janë bërë përpjekje të vazhdueshme me Serbinë që kjo të zbatohet. Besoj që Kosova, jo vetëm në raport me dialogun, por duhet të mobilizojë edhe mbështetjen në kuadër të BE-së për të shtyrë përpara këtë temë.

Fati i të pagjeturve, në mëshirën e arkivave serbe
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:30 0:00

Mënyra më e mirë për t’i dëshmuar faktorit ndërkombëtar, për ta mobilizuar mbështetjen ndërkombëtare, për ta mobilizuar presionin ndaj Serbisë, do të ishte që Kosova, krahas këtij procesi, të marrë pjesë në mënyrë aktive për të gjitha temat, për të ndërtuar procesin e qartë drejt përmbylljes së dialogut. Pra, të vijmë në situatën ku ky formulim i pajtuar – nëse bëhet i pajtuar apo në çdo situatë që bëhet i pajtuar – të futet në dokumentet e BE-së si kriter në raport me Serbinë. Në momentin që futet diçka e tillë, siç është edhe Kapitulli 35 (përfshin të gjithë procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën), si dhe të shohim një përkufizim se Serbia është pajtuar për t’i hapur arkivat, ndërkaq që Raporti i Progresit do ta monitorojë Serbinë çdo vit, do të kemi pastaj një instrument legal të BE-së përtej formatit të dialogut, për ta monitoruar Serbinë.

Asociacioni, “guri i rëndë në proces të dialogut”

Radio Evropa e Lirë: Pala serbe vazhdon të insistojë në çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. A po i shmanget pala e Kosovës kësaj teme dhe a mendoni se megjithatë kjo çështje nuk do të mund të anashkalohet?

Naim Rashiti: Tani kemi një situatë shumë të vështirë sa i përket Asociacionit. Kemi një konsensus të zgjeruar për të mos e bërë Asociacionin, së paku jo në formatin për të cilin është pajtimi dhe së paku, por së paku, në formatin e një procesi të dinamikës së ngadalshme. Serbia insiston me çdo kusht që Asociacioni të bëhet tash dhe jo në përmbyllje të dialogut, sepse do të provojë që ta zgjerojë Asociacionin gjatë rrugëtimit të përmbylljes së dialogut. Ndërsa, Kosova, eventualisht – ndonëse qëndrimet e politikës janë shumë të paqarta – do ta zbatojë Asociacionin si pjesë të marrëveshjes finale ndërmjet dy vendeve. Është situata më e vështirë, më e paqartë, për faktin që nuk kemi qëndrime politike të qarta dhe ka mbetur si një guri i rëndë në proces të dialogut e që në fakt, në mënyrën si ka ardhur dhe si është politizuar, më shumë është bërë pengesë për Kosovën sesa zgjidhje e problemeve për të.

SHBA-ja jo domosdo e mbështet Ballkanin e Hapur

Radio Evropa e Lirë: Nisma e quajtur Ballkani i Hapur që më herët quhej mini-Shengen, është kundërshtuar nga Qeveria aktuale e Kosovës. Në çfarë pozicioni e vë Kosovën ky kundërshtim përballë vendeve të rajonit që janë pjesë e kësaj nisme, por edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë?

Naim Rashiti: Është e qartë si kristali se po të kishin filluar negociatat (me BE-në) Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të kishim Ballkan të Hapur. Tani, vendet, të cilat u tradhtuan në njëfarë forme nga ky proces, po provojnë të gjejnë veten, të krijojnë agjenda që së paku të ruajnë dinamikën e procesit.

Ballkani i hapur apo mini-Shengeni ka rrjedhur si iniciativë e mëhershme, në mungesë të progresit të agjendave tjera dhe mbi të cilën, administrata e kaluar (e Shteteve të Bashkuara të Amerikës) kishte ndërtuar pjesëmarrjen, përkrahjen, për faktin e përfshirjes së saj në Marrëveshjen e Uashingtonit. Përgjatë rrugës, kaloi në mbështetje të saj, si një përpjekje për të lehtësuar tensionet ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe në veçanti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, BE-ja, në parim, ishte kundër si dhe të gjitha vendet e saj, në parim, ishin kundër.

Edhe administrata e re e SHBA-së, për faktin se i mbështet fuqishëm proceset e BE-së, jo domosdo e mbështet një proces të tillë. Nuk e kundërshton, por nuk është në vijën e ish-administratës së kaluar. Prandaj, do të shohim edhe tash me vizitën e zonjës (kancelares gjermane, Angela) Merkel në Tiranë, që fokusi do të jetë tregu i përbashkët i Ballkanit Perëndimor, agjendë e cila prapë ishte ndërtuar për t’iu kundërvënë mini-Shengenit, në një periudhë kur paraqiste kundërthënie ndërmjet agjendave të ndryshme. Fokusi i BE-së dhe i të gjitha agjendave do të jetë tregu i përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, asnjë nga këto agjenda nuk do të ecin, nëse nuk ka vullnet politik të vendeve.

Kot është Ballkani i Hapur sepse korrupsioni, kontrolli i elitave politike në Serbi e në Shqipëri do ta bëjë të pamundur heqjen e barrierave kufitare, sepse janë burim për ta.

Pastaj, fakti që vendet tjera nuk marrin pjesë, kjo mbetet iniciativë gjysmake dhe do të jetë pa efekt për rajonin. Do të bëhen përpjekje për t’iu kthyer një agjende të përbashkët, por qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë aq të dobëta në bashkëpunimin rajonal dhe të pakoordinuara, sa që efektet e tyre do të mbeten shumë për të dëshiruar apo minimal. Pra, në njëfarë forme, vetëm agjendë politike e elitave dhe kaq.

Tani, Kosova është edhe më keq, sepse ka një qasje joaktive, regresive dhe shumë pasive në raport me agjendat rajonale dhe nuk ka qëndrim politik për këto agjenda apo iniciativa rajonale. Këtu mbetet Kosova shumë e cunguar. Bashkëpunimi rajonal, duke mos qenë asnjëherë si kompensim i zgjidhjes së problemeve bilaterale – sepse ky është problemi kryesor i Kosovës me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën dhe jo bashkëpunimi rajonal – paralel me procesin e dialogut, Kosova duhet t’i intensifikojë përpjekjet për nismat rajonale, sepse është një instrument i rritjes së prezencës së saj në rajon. Në veçanti, është një instrument i forcimit të agjendave rajonale që kanë të bëjnë edhe me Bashkimin Evropian. Më pak e zëshme në rajon Kosova, më pak e zëshme në agjendat evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Departamenti amerikan i Shtetit e inkurajoi Kosovën dhe Serbinë, që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes dhe anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë, që ishte pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit të vitit të kaluar në Uashington. A shihni shenja se palët mund ta vazhdojnë këtë moratorium, marrë parasysh që zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës tashmë kanë deklaruar se këtij moratoriumi i ka skaduar afati më 4 shtator?

Moratoriumi si instrument për intensifikim të dialogut

Naim Rashiti: Ka një keqkuptim për moratoriumin. Në kohën kur është bërë marrëveshja është presupozuar se do të ketë dialog intensiv dhe në 12 muajt, 16 muajt apo 20 muajt vijues do të ketë marrëveshje finale. Marrëveshja e Uashingtonit ka qenë si një hyrje në marrëveshjen finale, e ndërtuar si koncept. Moratoriumi ka qenë për të krijuar disa parakushte që palët të angazhohen në dialog dhe të mos e dëmtojnë qëndrimet e njëra-tjetrës. Do të thotë, moratoriumi është instrument i intensifikimit të dialogut. Thirrjet e fundit të administratës amerikane nuk kanë për qëllim të ruajnë thelbin apo t’i mbesin besnik marrëveshjes së 4 shtatorit, por kanë qëllim që të investojnë në dialog, në përputhje me letrat e SHBA-së ,që kanë ardhur vazhdimisht dhe kështu me radhë. Ky duhet të jetë mesazhi kryesor, pra, ‘mos u merrni me agjendat tjera, fokusohuni në dialog dhe provoni sa më shpejt ta përshpejtoni dialogun.

Çështje tjetër që është e paqartë është se moratoriumi ka qenë për anëtarësim në organizata, për shkak se edhe ashtu Kosova ishte në një situatë të rëndë dhe është në situatë të rëndë dhe ka pak parametra pozitiv për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Por, jo në aspektin e njohjeve bilaterale. Për këtë Izraeli ishte përjashtim, sepse është çështje bilaterale. Pra, një vend i caktuar nesër vendos ta njohë Kosovën dhe kaq. Kosova me diplomacinë e saj inteligjente do të duhej të vazhdonte të lobonte, të rriste mbështetjen, mirëkuptimin nga vendet që ta njihnin. Moratoriumi ka të bëjë me INTERPOL-in, me UNESCO-n dhe organizata të ngjashme, të cilat vazhdimisht kanë sjellë tensione në kohët e fundit.

Por, Kosova duhet ta bëjë pjesën e vet. Politika e jashtme të vazhdojë lobimin për njohje, qeveria, politika institucionale dhe politika përfaqësuese, të vazhdojnë investimin në dialog. Gjithashtu, që agjendat evropiane të intensifikohen, pra, cilado, ERA 2, zbatimi i MSA-së, bashkëpunimi bilateral me vendet tjera, sepse jemi në një situatë ku Kosova shihet me shumë skepticizëm nga vendet e BE-së si e pafuqishme për t’u marrë me agjendat e saj të shtetndërtimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG