Ndërlidhjet

Kurti: Nuk kam synuar që përmes kërkesës për zgjedhje ta sjell njohjen e Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me kërkesën që Qeveria serbe t’i drejtohet asaj të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, nuk ka synuar që të sjellë njohjen e pavarësisë nga Serbia.

“Unë kurrë nuk kam synuar që nëpërmes këtij letërkëmbimi ta sjell njohjen e Serbisë. Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, tha Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën, se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

Por, Kurti tha se ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ai tha se Beogradi nuk ka pranuar që Qeveria e tij t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar, por ka tentuar që këtë ta bëjë në nivel të zyrtarëve ndërlidhës.

“Ne kemi thënë që zyrat ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd do të mund të shfrytëzoheshin si kanale logjistike të komunikimit, mirëpo komunikimi normal duhet të jetë qeveri me qeveri. Në vend se të drejtohen qeveri me qeveri, ata kanë synuar që të jetë zyrtari ndërlidhës me zyrtarin ndërlidhës”, tha Kurti.

Ndërkaq, duke komentuar lajmin se Qeveria e Kosovës ka refuzuar propozimin e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Kurti tha se edhe shtetet e Quint-it kanë kërkuar që të ketë një marrëveshje.

“Quint kërkon po ashtu marrëveshje. Edhe ata janë të pajtimit që duhet të ekzistojë njëfarë dakordimi i të dy palëve”, tha Kurti.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me përfaqësuesit serbë të Kosovës, tha se serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi për zgjedhjet e 3 prillit.

Qeveria Kurti po ashtu kishte refuzuar që të lejojë votimin në Kosovë për një referendum të Serbisë që u mbajt më herët gjatë këtij viti, duke thënë se serbët, me shtetësi të dyfishtë mund të votonin përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

XS
SM
MD
LG