Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se nevojiten diskutime serioze nëse partitë duan që përnjëmend ta zgjedhin presidentin e ri të shtetit.
Haxhiu, që vjen nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, tha se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje sepse qytetarët kanë mbajtur votime në dhjetor.
“Nevojiten diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë”, tha Haxhiu për mediat më 27 mars.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese publikoi një aktgjykim, duke u thënë deputetëve se kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje.
Çështja u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi më 6 mars, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pasi deputetët dështuan të zgjidhnin paraardhësin e Osmanit. Kushtetuesja gjeti se dekreti i Osmanit nuk ka prodhuar ndonjë efekt juridik.
Kryeparlamentarja Haxhiu tha se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur dhe ajo do të vazhdojë “sapo të krijohen kushtet”.
Haxhiu tha se kryeministri Kurti, njëherësh kreu i LVV-së, veçse ka kërkuar takime me subjektet opozitare.
Kurti u dërgoi ftesa krerëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike në kohën kur ende nuk ishte publikuar aktgjykimi. Të dy partitë u shprehën të gatshme për takim pas aktgjykimit, por që nga publikimi i aktgjykimit nuk është paralajmëruar ndonjë takim.
“Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy rundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu.
Më 5 mars, LVV-ja propozoi dy kandidatë për president, zëvendëskryeministrin, njëherësh kryediplomatin e Kosovës, Glauk Konjufcën, dhe deputeten Fatmire Kollçaku. Megjithatë, emrat e tyre nuk u hodhën në votim, pasi nuk kishte kuorum.
Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?
Në aktgjykimin e saj, gjykata më e lartë në vend tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.
“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.
Video: A do ta zgjedhin deputetët presidentin e ri apo do të mbahen zgjedhje të reja?
Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “ jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual".
“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, u tha në vendim.
Pas aktgjykimit, LVV-ja tha se ky moment duhet të shfrytëzohet “për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”.
Nga PDK-ja thanë se e respektojnë vendimin dhe në ditët në vijim do të bëjnë publikë vendimet politike që do të ndërmarrin.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit bie mbi LVV-në, duke shtuar se për këtë çështje duhet marrëveshje politike mes partive.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, përfundon mandatin e saj pesëvjeçar në krye të shtetit më 5 prill.
Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.
Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.