Ndërlidhjet

Ahmeti: Duhet të jemi të kujdesshëm me ndryshimet kushtetuese


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, foto nga arkivi.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë edhe partitë politike duhet të jenë të kujdesshëm në procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që të jetësohet Marrëveshja e emrit me Greqinë. Në këtë intervistë, Ahmeti thotë po ashtu se nuk është momenti i duhur që të hapet Kushtetuta, sa i përket heqjes së fjalisë ku gjuha shqipe përkufizohet si gjuhë që flitet nga 20 për qind e popullsisë.

Radio Evropa e Lirë: Tanimë faza e dytë e ndryshimeve kushtetuese kaloi, ndërkohë që vazhdon debati publik rreth draft -amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës, pastaj sërish është e nevojshme të sigurohen dy të tretat e votave për votimin e të njëjtave. Prisni të ketë probleme gjatë sigurimit të dy të tretave të votave, për të kaluar në Parlament ndryshimet kushtetuese që janë të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit?

Ali Ahmeti: Të them të vërtetën, sikur kam një farë shqetësimi, sepse ky është një proces goxha i rëndësishëm, frikohem që të mos lëndohet nga pakujdesia e institucioneve që të mos krijohet ai opinioni se ky është një proces që tanimë është i mbyllur dhe ka përfunduar. Ky proces akoma është në zhvillim dhe duhet që të gjitha institucionet shtetërore, ligjvënëse, ligjzbatuese të jenë të kujdesshëm dhe ta ruajnë nga ndonjë inflamacion i jashtëm, sepse lehtësisht mund të dëmtohet imuniteti i këtij procesi.

Radio Evropa e Lirë: Çka nënkuptoni me atë kur thoni se të gjitha institucionet duhet të jenë të kujdesshme ndaj procesit në këtë moment?

Ali Ahmeti: Nuk mund të veçoj ndonjërën, por të gjitha institucionet kanë përgjegjësi për ta ruajtur imunitetin e procesit. E thashë edhe në fillim, që nga organet drejtuese deri tek organet ligjvënëse e ligj-zbatuese. Të gjithë kemi përgjegjësi për ta ruajtur vazhdimësinë e këtij procesi dhe procesi të qëndrojë i shëndetshëm në këmbë deri në përfundim.

Ahmeti flet për ndryshimet kushtetuese
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:48 0:00

Radio Evropa e Lirë: A mund të jeni më konkret? Për cilat institucione më konkretisht mendoni?

Ali Ahmeti: Unë thashë këtu të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm, përfshirë këtu edhe partitë politike.

Radio Evropa e Lirë: Meqë jemi te ndryshimet kushtuese, një nga shtyllat kryesore të platformës së partive politike shqiptare është që gjuha shqipe të definohet në Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe jo gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës,këtë kërkesë, ndonëse në momentin që hapet Kushtetuta nuk e keni shtyrë para...Pse?

Ali Ahmeti: Unë mund të jap mendim, vlerësim, sepse e kemi analizuar si Bashkim Demokratik për Integrim po edhe me partitë e tjera shqiptare që marrin pjesë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë që nuk qëndron dhe nuk është momenti tani që në këto situata emocionale, këtij emocioni t'i shtojmë edhe një emocion duke hequr 20 përqindëshin dhe në Kushtetutë kjo të zëvendësohet me shqiptarë.

Po çka është përmbajtjesore, çka është themeltare dhe e rëndësishme për ne, që në preambulën e Republikës së Maqedonisë të hyjë Marrëveshja paqësore e Ohrit, si një nga elementet shtetformuese të këtij shteti . Do të thotë vetë Marrëveshja e Ohrit paraqet historinë më të re të Republikës së Maqedonisë dhe kjo ishte e rëndësishme, por njëherësh nuk do të krijonte dhe nuk do të krijojë në të ardhmen emocione dhe polarizim të shoqërisë.

Përndryshe 20 përqindëshi do të shndërrohet në shqiptarë në kohë më të qeta, pa ndonjë problem dhe me pajtueshmëri të plotë mund të bëhet në të ardhmen. Ashtu siç ndodhi me Universitetin e Tetovës dhe Universitetin Nënë Tereza në Shkup.

Sa shumë emocione kishte gjatë legalizimit të Universitetit të Tetovës, dhe asnjë emocion asnjë demonstrim pakënaqësie nuk u shfaq në drejtim të themelimit të Universiteti të dytë në Shkup Universitetit "Nënë Tereza".

Unë mendoj se duhet të jemi racionalë dhe nuk duhet të jemi emocionalë në këto situata dhe këto çështje duhet t'i shfrytëzojmë për qëllime të politikave ditore apo për influenca partiake.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te çështja e përqindjes së popullsisë dhe realizimit të një pjese të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni në bazë të përqindjes, cili është vlerësimi juaj rreth qëndrimit të drejtorit të Entit Shtetëror që gjatë regjistrimit të popullsisë, proces ky që duhet të realizohet gjatë vitit 2020, të hiqet paragrafi i përkatësisë etnike?

Ali Ahmeti: Grupet e punës janë takuar, sigurisht se të gjitha variantet janë duke i diskutuar. Për ne nuk ka ndonjë shqetësim edhe nëse përfshihet apo nuk përfshihet përkatësia etnike. Me rëndësi është që të bëhet një ligj i pranueshëm për të gjitha palët dhe këtë regjistrim të mos e politizojmë, njëherësh as mos i japim ngjyra partiake, por të bëhet një regjistrim komfor standardeve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG