Ndërlidhjet

Qytetarët maqedonas s'iu besojnë institucioneve shtetërore


Ndërtesa e Qeverisë maqedonase. Për humbjen e besimit në institucionet shtetërore, qytetarët maqedonas fajësojnë partitë politike dhe liderët e tyre.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut thonë se partitë politike dhe liderët e tyre janë fajtorët kryesorë për humbjen e besimit në institucionet shtetërore dhe pritjeve për një të ardhme më të mirë.

Sipas një sondazhi të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), një organizatë joqeveritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 58 për qind e qytetarëve maqedonas të anketuar kanë thënë se ky shtet po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa vetëm 4 për qind kanë thënë se kanë besim në pushtetin gjyqësor, e në prokurori vetëm 3 për qind. Rënie të besimit, sipas anketës, ka edhe ndaj të gjitha ministrive dhe institucioneve tjera.

“Unë e dua vendim tim dhe më vjen shumë keq që kemi ardhur deri këtu. Gjithçka po shkatërrohet. Deri në këtë gjendje, që njerëzit të mos kenë shpresë, kemi ardhur vetëm për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, shpresës së humbur te qytetarët se mund të bëhet më mirë. Fajin për këtë e kanë partitë politike, përplasjet mes liderëve të tyre. Ata nuk mbajnë asnjë llogari për qytetarët pasi mendjen e kanë te vetja e tyre dhe ja ku kemi ardhur në situatë që njerëzit të mos duan të qëndrojnë në vendin e tyre”, thotë Lidija Georgieva, infermiere.

“Te ne në Maqedoni [të Veriut] nuk funksionon asgjë, as gjyqësori e asgjë tjetër. Këtu asgjë nuk respektohet, madje njeriu nuk guxon as të flasë, sepse çdoherë do ta bëjnë fajtor. Prandaj, për gjendjen në të cilën ndodhemi, duhet të flasin, të përgjigjen ata që na sollën këtë gjendje. Ne duam jetë më të mirë, duam kushte më të mira, por fatkeqësisht këto janë të paarritshme dhe fajtorë janë pikërisht ata që e kanë humbur besimin e popullit”, thotë Stole Petkovski, pensionist.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha të mërkurën se anketa është një gjë e mirë pasi të gjithë mund ta gjejnë veten në të, që të përmirësohen apo të veprojnë sipas perceptimit të qytetarëve.

Ai tha se vlerëson se rënia e besimit të qytetarëve ndaj punës së Qeverisë ka të bëjë me krizën ekonomike, inflacionin dhe rënien e standardit që, sipas Kovaçevskit, nuk është pasojë e një mosmenaxhimi nga ana e Qeverisë që ai drejton.

“Ne gjendemi në periudhën e krizës më të rëndë ekonomike dhe energjetike që nga Lufta e Dytë Botërore. Të gjithë jemi të vetëdijshëm me rritjen e inflacionit dhe të çmimeve dhe e gjithë kjo është reflektuar edhe në perceptimin e qytetarëve. Por, të gjitha masat që kemi ndërmarrë për t’u përballur me krizën, subvencionet, rritjen e pagave dhe të pensioneve, besoj se do të kenë ndikim pozitiv te qytetarët dhe hulumtimi i radhës do të jetë më i mirë. Unë nuk mund ta komentoj humbjen e besimit të qytetarëve në gjyqësor pasi është pushtet i pavarur siç nuk mund të komentoj as çështjet e tjera që janë përfshirë në këtë hulumtim”, deklaroi Kovaçevski.

Për dallim nga kreu i Qeverisë, dëshpërimi i qytetarëve, sipas Hristijan Mickoskit, kryetar i VMRO DPMNE-së, është “argument plotësues mbi nevojën për zgjedhje të shpejta parlamentare për rrëzimin e kësaj qeverie të korruptuar”.

Sipas sondazhit të IRI-t, qytetarët maqedonas si politikanin më popullor kanë zgjedhur ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, që është arratisur në Hungari për shkak të akuzave për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës, për çka edhe është dënuar me 9 vjet burgim.

Zhaneta Trajkoska, drejtuese e Institutit për Studime të Komunikimit, tha se rënia e besimit të qytetarëve në institucione është rezultat i humbjes së shpresës, si dhe dëshpërimit të qytetarëve nga kjo që po ndodh në shtetin tonë. Ajo veçon korrupsionin e lartë, krizën ekonomike dhe uljen e standardit jetësor.

Sipas saj, edhe më dëshpëruese janë të dhënat se qytetarët duan periudhën kur Maqedonia e Veriut qeverisej nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

“Është vërtet shqetësuese dhe seriozisht dëshpëruese të kesh një politikan të dënuar dhe të arratisur, me të cilin kemi jetuar në një kohë shumë të errët, të rikthehet në mënyrë kaq të madhe dhe me kërcimin më të madh në perceptimin e qytetarëve për nga popullariteti”, tha Trajkoska.

Ajo tha se besimi më i madh i qytetarëve, bazuar nga anketën e IRI-t duhet të jetë alarm për liderët e tjerë politikë, sepse ata janë fajtorët më të mëdhenj për dëshpërimin kaq të madh të qytetarëve dhe kthimin e tyre në periudhën e para gjashtë viteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG