Ndërlidhjet

Apeli në Shqipëri vendos më 25 qershor për ankesën e Belerit kundër dënimit me burg


Alfred Beleri, kryetari i zgjedhur të bashkisë së Himarës, ulur në një dhomën mbrapa grilave në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, teksa gjykatësit e shqyrtojnë kërkesën e tij kundër dënimit me dy vjet burgim për vjedhje votash, 14 qershor 2024.
Alfred Beleri, kryetari i zgjedhur të bashkisë së Himarës, ulur në një dhomën mbrapa grilave në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, teksa gjykatësit e shqyrtojnë kërkesën e tij kundër dënimit me dy vjet burgim për vjedhje votash, 14 qershor 2024.

Gjykata e Posaçme e Apelit në Shqipëri tha të premten se do të vendosë më 25 qershor për ankesën e Alfred Belerit, kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, kundër dënimit me dy vjet burgim për vjedhje votash.

Në mars, Gjykata e Posaçme e dënoi Belerin me dy vjet burgim për akuzën e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Ankesa e mbrojtjes së Belerit kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë u shqyrtua të premten nga Gjykata e Apelit në Tiranë, e cila tha se vendimin do ta bëjë të ditur më 25 qershor.

Beleri dhe avokatët e tij mbrojtës i kanë cilësuar akuzat si politike dhe të pabazuara.

"Provat ndaj meje janë minipuluar. Unë ndërgjegjen e kam të qetë dhe ju, kur ta shpallni vendimin, shpresoj ta keni ndërgjegjen e qetë", tha Beleri gjatë seancës.

Prokurori Adnan Xholi kërkoi që Apeli ta mbajë në fuqi dënimin e shkallës së parë kundër Belerit.

Në seancën e së premtes morën pjesë familjarë dhe mbështetës të Belerit, përfshirë edhe ambasadoren greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi (e para djathtas) duke shkuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku pritet të vendoset për ankesën e Alfred Belerit ndaj dënimit me burg, 14 qershor 2024.
Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi (e para djathtas) duke shkuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku pritet të vendoset për ankesën e Alfred Belerit ndaj dënimit me burg, 14 qershor 2024.

Beleri fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re, në zgjedhjet e qershorit.

Kreu i shoqatës së minoritetit grek në Shqipëri “Omonia”, Marin Suli, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se Beleri ka deklaruar se, nëse shpallet i pafajshëm, ai "do ta zgjedhë mandatin e kryebashkiakut të Himarës" para ulëses së eurodeputetit.

Zgjedhja e Alfred Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika - si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Alfred Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës - qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë - në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash.

Pavarësisht se ishte në paraburgim atëkohë, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua asnjëherë. Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burgim.

Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG