Autoritetet në Kosovë i kanë marrë në pyetje disa zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) të mërkurën, si pjesë e një aksioni ndaj agjencisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve.
Në një njoftim për media, Prokuroria tha se i ka marrë në pyetje tre zyrtarë, të cilët i identifikoi vetëm me inicialet I.R.J., F.L., dhe A.I.K.
Por, në mesin e tre zyrtarëve ishte edhe ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari, tha më herët për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Prokuroria tha se Rexha-Jashari dhe dy zyrtarët e tjerë dyshohen se e kishin bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘’N.K.W.P’’ ’’Sh.P.K’’ në vlerë mbi 50.000 euro.
Që të tre të dyshuarit janë liruar derisa hetimet do të vazhdojnë, sipas njoftimit.
Prokuroria tha se tre zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe për falsifikim të dokumenteve.
ARBK-ja është institucioni kryesor për regjistrimin dhe administrimin e bizneseve në Kosovë, dhe vepron nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inovacionit (MINT).
Më herët, Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINT) - e cila mbikëqyr agjencinë - tha se hetimet lidhen me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas ndërrimit të jetës së pronarit.
MINT tha se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, “stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor”.
“Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, tha ajo.