Ndërlidhjet

Deputeti Zemaj përfshihet në një incident fizik me një qytetar


Deputeti Armend Zemaj. Foto nga arkivi.
Deputeti Armend Zemaj. Foto nga arkivi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik me një qytetar më 24 tetor, teksa ishte duke dhënë një intervistë. Nga Policia thanë se palët e përfshira në konflikt janë intervistuar.

Pas kësaj ngjarjeje, Zemaj ka kërkuar falje publike.

“Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do e vërtetojë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi Zemaj në Facebook.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për kryeqytetin, Enis Pllana, tha për Radion Evropa e Lirë se ngjarja ndodhi rreth orës 15:00.

"Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici", tha Pllana.

Zemaj ishte duke dhënë një intervistë për Gazetën Blic, njoftoi udhëheqësi i kësaj media, Astrit Gashi.

Sipas gazetarit Gashi, pas incidentit fizik mes Zemajt dhe qytetarit është lajmëruar policia dhe autoritetet kanë marrë pamjet e xhiruara nga kamerat.

Disa orë më vonë, kjo media publikoi videon e incidentit, kur Zemaj ishte duke dhënë intervistën në shesh dhe qytetari duke kaluar pranë tij dëgjohet duke iu referuar si "rrenca". Zemaj i përgjigjet: "Kujt po i thua rrenc". Më pas qytetari i afrohet Zemajt me grushtin e ngritur, por nuk e godet, ndërkaq deputeti e grushton atë, e shanë dhe i thotë "unë të mbys".

Në reagimin e tij në Facebook, Zemaj tha se në raste të “fyerjeve të ulëta, sigurisht do duhej ta ruaja qetësinë”, duke shtuar se dhuna në çfarëdo forme “nuk është përgjigje e drejtë”.

“Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, shkroi deputeti i LDK-së në Facebook.

LDK dënon "sulmin ndaj Zemajt"

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe LDK-ja, që e ka “dënuar ashpër sulmin e papranueshëm” ndaj Zemajt, që tha se jo vetëm që u “ofendua dhe provokua verbalisht”, por edhe “është përballur me sulm fizik ndaj tij”.

“Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit”, u tha në reagimin e partisë së Zemajt.

Kjo parti u bëri thirrje organeve të rendit që të sqarojnë rrethanat e ngjarjes.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG