Ndërlidhjet

Armët e reja anti-tank për Ukrainën “do të ndihmojnë në arritjen e paqes”


Luhansk, Ukrainë

Senatori amerikan, Rob Portman, tha se armët e avancuara anti-tank të SHBA-së do t’i mundësojnë Ukrainës të mbrohet më mirë kundër agresionit rus.

Konflikti në lindje të Ukrainës po hyn në vitin e pestë, ndërsa luftimet midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë atje kanë lënë të vrarë mbi 10,300 njerëz.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Portman, republikan, tha se armët, e quajtura Javelins, do të duhet të çojnë te një marrëveshje e qëndrueshme e paqes, përfshirë përmbushjen e të ashtuquajturave Marrëveshje të Minskut.

Marrëveshjet e Minskut për paqe janë negociuar nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca dhe janë nënshkruar në shtator të 2014-ës dhe në shkurt të 2015-ës, por zbatimi i plotë i tyre nuk ka ndodhur kurrë.

“Tani do të ketë një mundësi për ukrainasit që të kenë armë shtesë dhe të jenë në gjendje të thonë se do të ketë pasoja nëse agresioni vazhdon”, tha senatori Portman.

Senatori Rob Portman
Senatori Rob Portman

Portman, nga Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, foli për Radion Evropa e Lirë përpara vizitës në Ukrainë, ku do të takojë zyrtarë të lartë të këtij vendi.

Dorëzimi i raketave Javelins vjen në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po merr qasje më të ashpër në marrëdhëniet me Rusinë.

Edhe pse Trump vazhdimisht ka bërë thirrje për lidhje më të mira, administrata e tij ka vazhduar presionin mbi Rusinë, duke pëdorur sanksione dhe mjete të tjera për të ndëshkuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë, në Siri, në fushën kibernetike dhe gjetkë.

Ukraina, për kohë të gjatë, ka kërkuar raketa Javelins dhe armë të tjera nga SHBA-ja. Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, ka hezituar t’i japë Javelins Ukrainës, nga frika se një gjë e tillë do t’i rriste armiqësitë me Rusinë dhe do ta ushqente konfliktin edhe më shumë.

Disa zyrtarë amerikanë po ashtu kanë shpreur frikë se armët mund të përfundojnë duke u zhdukur, duke rënë në duart e luftëtarëve separatistë, ose duke u shitur në treg të zi.

“Mendoj se gjëja e duhur për SHBA-në dhe të tjerët është t’i mundësojnë Ukrainës të blejë armë, për të qenë në gjendje të mbrojë veten”, tha senatori Portman.

Portman tha se konflikti, së bashku me aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, kërkojnë përgjigje të fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar.

“Është diçka rreth së cilës duhet të ngrihet e gjithë bota, përfshirë Kombet e Bashkuara, sepse kjo është vërtet hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që kemi një aktivitet të tillë pa përgjigje”, tha Portman.

Ai po ashtu tha se gjatë vizitës në Ukrainë, do t’iu bëjë presion zyrtarëve që të miratojnë reforma dhe të luftojnë më shumë korrupsionin famëkeq të këtij vendi.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG