Ndërlidhjet

Sveçla: Është arrestuar një ish-pjesëtar i MPB-së serbe lidhur me rrëmbimin e Vukashinoviqit


Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i MPB-së të Serbisë lidhur me “kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq”.

Sipas Sveçlës, i arrestuar V.M., ishte integruar në Policinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje. Sipas tij, ai u arrestua gjatë një operacioni të Policisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në Leshak.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Millan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi”, shkroi Sveçla në Facebook.

Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviq dyshohet se u rrëmbye në brendësi të territorit të Kosovës më 1 nëntor.

“Në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Institucionet tona profesionale kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim”, shkroi Sveçla.

Ai tha se dyshohet që V.M. ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe të ushtrisë, “ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”.

Autoritetet e Kosovës më herët i kishin bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni ndaj Beogradit pas plagosjes dhe rrëmbimit të dyshuar të Vukashinoviqit nga Xhandarmëria e Serbisë.

Dyshohet se Vukashinoviq u plagos dhe më pas u rrëmbye më 1 nëntor në fshatin Jellakcë afër Leposaviqit, para se të dërgohej më pas në spitalin e Prokuples, e më vonë në Qendrën Klinike të Nishit.

Serbia nuk ka reaguar për këtë rast.

Familja e Vukashinoviqit, përmes avokatit Ivan Niniq, kanë dorëzuar padi në Prokurorinë e Lartë Publike të Prokuples

Niniq ka thënë se meqë shteti serb ka heshtur, padia është dorëzuar kundër personave të panjohur, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ose Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023.

Vukashinoviq ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës.

Pasi autoritetet bën publike rastin e Vukashinoviqit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ai u sulmua sepse “është kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Radio Evropa e Lirë, duke përdorur mjete forenzike për identifikimin e fytyrës, ka vërtetuar se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që kishte pasur, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV nga Serbia.

Gjatë asaj interviste, ai kishte deklaruar se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe, dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presioneve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi sepse kishte refuzuar të jepte dorëheqje.

“Kanë shpifur për shumë gjëra, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam këtu në Kosovë, e anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG