Ndërlidhjet

Beogradi dhe Varshava në kontakt pas aferës së pretenduar të spiunazhit 


Fabrika "Sloboda" në Serbi.

Departamenti konsullor i Ambasadës së Republikës së Polonisë në Beograd është njoftuar për arrestimin e dy shtetasve polakë në Serbinë qendrore, ka thënë kjo ambasadë për Radion Evropa e Lirë.

“Konsulli i Republikës së Polonisë është në kontakt me autoritetet lokale dhe policinë dhe vepron sipas procedurave standarde në raste të tilla”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ambasadës së Polonisë në Beograd ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, më 16 maj.

Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se dy shtetas polakë janë arrestuar pranë fabrikës së municionit “Sloboda” në Çaçak. Vuçiq deklaroi se ata po xhironin fabrikën pa autorizim.

Xhirimi dhe fotografimi i objekteve ushtarake në Serbi është i ndaluar.

“A janë ata piktorë dhe fotografë, megjithëse nuk e di se çfarë lloj pikture është brendësia e ‘Slobodas’. Ky është rrëfim interesant. Dhe pikërisht fabrika ‘Sloboda’. Do ta merrja me mend saktësisht se cilat dy fabrika mund të jenë dhe njëra është ‘Sloboda’. Ato që prodhojnë mbushje, mina dhe granata, sepse tani konsumohen në sasi të mëdha kudo”, tha Vuçiq.

Mediat, të cilat janë të shënjuara për bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë, kanë deklaruar se kanë qenë spiunë të një shërbimi të jashtëm, ndonëse institucionet zyrtare ende nuk janë deklaruar lidhur me rastin dhe as nuk i kanë bërë publike detajet e hetimit.

Në kontekstin mediatik, Poloninë dhe Serbinë, së fundmi, i ndërlidhin pretendimet për eksportin e armëve nga Serbia në Ukrainë, përmes një kompanie polake.

Në mes të prillit, presidenti serb, Alleksandar Vuçiq akuzoi një vend të paidentifikuar të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ukrainën se qëndronin pas pasimit të raporteve të rreme për bomba në aeroplanët e udhëtarëve të Air Serbia.

Edhe pse vetë Vuçiq nuk ka deklaruar se për cilin shtet të BE-së bëhet fjalë dhe as institucionet kompetente nuk e kanë dhënë atë informacion, disa media kanë shkruar se thirrjet për mjetet shpërthyese të vendosura, dyshohet se kanë ardhur nga Polonia.

Polonia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, si dhe kufizohet me Rusinë.

Serbia, edhe pse është vend kandidat për anëtarësim në BE, ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe mban fluturime të rregullta për në Moskë.

Çfarë dihet?

Mediat në Serbi kanë raportuar se më 14 maj në Çaçak, qytet në Serbinë qendrore, janë ndaluar dy shtetas polakë, të cilët pa autorizim i janë qasur fabrikës së armëve “Sloboda”.

Në përgjigjen e kësaj fabrike ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, më 16 maj, thuhet se zyrtarët e sigurimit të fabrikës “kanë pikasur dy persona që kryejnë veprimtari të kundërligjshme”.

“Me qëllim të sigurimit të rrethit të fabrikës, në zonën ku janë vërejtur personat e përmendur, janë dërguar zyrtarë të sigurisë. Nga biseda është konstatuar se bëhet fjalë për shtetas të huaj dhe më pas është njoftuar edhe shërbimi i Drejtorisë së Policisë së Çaçakut”, thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të fabrikës.

Gjithashtu thuhet se “personat janë marrë” nga policia në recepcionin e kompanisë.

Fabrika “Sloboda” është një ndër më kryesoret në sistemin e fabrikave të armëve të Serbisë dhe sipas autoriteteve, në vitin 2021 kishte kontraktuar projekte për eksport në vlerë prej 50 milionë euro.

Çfarë është e panjohur?

Ende nuk ka informacion zyrtar nga institucionet kompetente të Serbisë për arrestimin e shtetasve polakë. Lidhur me rastin, pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë, Prokuroria e Lartë Publike në Çaçak, Agjencia e Sigurisë Informative dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk janë përgjigjur.

Ku ndodheshin saktësisht shtetasit polakë, nëse ishte e ndaluar xhirimi dhe fotografimi në vendin ku ndodheshin, për çfarë akuzohen dhe cilat janë hapat e mëtejshëm të institucioneve kompetente, mbeten ende pyetje pa përgjigje.

XS
SM
MD
LG