Ndërlidhjet

Ashpërsohen kriteret për anëtarët e Komisionit anti-korrupsion


Flamuri i Maqedonisë, fotografi ilustruese.

Lufta kundër korrupsionit dikton dinamikën e përmbushjes së kritereve për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, thonë ekspertët juridikë, duke vënë theksin që Ligji për anti-korrupsion të miratohet sa më parë, në bazë të rekomandimeve të Brukselit.

Ndërkohë që Komisioni shtetërore për anti-korrupsion mbetet i bllokuar për më shumë se nëntë muaj, pasi zgjedhja e anëtarëve të rinj pritet të bëhet në bazë të kritereve më të rrepta që parasheh Ligji i ri për anti-korrupsion.

Prej marsit të vitit të kaluar, Komisioni për anti-korrupsion është jofunksional, pasi anëtarët e tij kanë dhënë dorëheqje, pas një skandali për shpërdorim të fondeve nga arka e shtetit.

Ekspertët juridikë thonë se është e patolerueshme që gati se një vit pushteti mbetet pa kontroll nga ana e Komisionit për anti-korrupsion, trup ky që duhet të monitorojë aferat korruptive të funksionarëve të shtetit.

“Duke u nisur nga detyra bazë që ka Komisioni shtetërorë për parandalimin e korrupsionit, deklarimin e pasurisë së funksionarëve për çka tani nuk kemi asnjë njohuri, nuk dimë se si kanë ndodhur gjërat në këtë drejtim, a janë dorëzuar listat dhe nga kush po e kush jo në afatin e paraparë me ligj”.

“Njëherësh janë të panjehsueshme pasojat e moskontrollimit të asaj se si e kanë ushtruar detyrën zyrtare funksionarë të caktuar, veçanërisht që kohën e fundit, përkatësisht gjatë vitit 2018, kishim disa raste në Ministrinë e Kulturës dhe atë të Arsimit që mbetën pa u hetuar për shkak se Komisioni anti-korrupsion ishte i paralizuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit anti-korrupsion.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë ka dhënë arsyet se pse vendosi që ta tërheqë nga procedura parlamentare Ligjin për anti-korrupsion.

"Qeveria e Republikës së Maqedonisë mori vendim që ta tërheqë nga Kuvendi, propozim-ligjin për parandalim të korrupsionit dhe përplasjen e interesave dhe përmes procedurës së përsëritur ky propozim-ligj, nga pakoja reformuese nga legjislativi, të marrë shenjën evropiane që të përshpejtohet procedura për miratimin e tij në mënyrë që sa më shpejtë të zgjidhën anëtarët e Komisioni i ri shtetëror për parandalim të korrupsionit sipas kritereve të reja të caktuara në vendimin e ri ligjor”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë.

Por, ekspertët janë të ndarë sa i përket asaj se kriteret më të ashpra do të mundësojnë ose jo që të zgjidhen anëtarë, të cilët do të kenë kredibilitet dhe forcë juridike që të kontrollojnë çdo veprim të pushtetarëve dhe të vihen në ndjekje nëse ka indice se ata kanë shpërdorur detyrën zyrtare.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev, thotë se Ligji i ri për anti-korrupsion nuk mund të sjellë rezultatet e duhura, nëse nuk reformohen të gjitha institucionet që merren me luftën kundër korrupsionit.

“E shihni se çka ndodh, organet përkatëse nuk veprojnë edhe pasi të marrin informacion se ka veprime kriminale në ndonjë institucion apo nga ndonjë zyrtar i caktuar. Duhet të shpërbëhet i tërë sistemi që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe i njëjti të reformohet në bazë të kritereve të përcaktuara nga faktori ndërkombëtar, në një proces tejet transparent. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë se Maqedonia do të ecë në rrugën e mbarë, sa i përket luftës kundër korrupsionit”, thotë Iliev.

Ndërkaq, Arif Musa konsideron se përzgjedhja e anëtarëve të këtij trupi përmes kritereve profesionale dhe rritja e kompetencave, paraqet një bazë të mirë për të qenë funksional ky organ.

“Po që së kriteret janë rigoroze, përzgjedhja e anëtarëve të rinj bëhet në bazë të profesionalizmit, atëherë me siguri edhe përgjegjësia që do të ketë komisioni dhe anëtarët e komisionit do të jetë më e madhe. Veprimi i tyre do të jetë më efikas. Njëherësh, shpresoj se me këtë propozim-ligj, gjatë procedurës parlamentare do të zgjerohen kompetencat e Komisionit për parandalimin e korrupsionit”, thotë Musa.

Ndryshe në bazë të Ligjit për anti-korrupsion, personat që do të kandidojnë për anëtarë të Komisionit për parandalimin e korrupsionit, do të intervistohet publikisht, në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime, i cili listën finale do ta dorëzojë në seancën plenare për votim.

Ekspertët thonë se seancat publike, do ta detyrojnë Kuvendin, që anëtarët e rinj të zgjidhen në bazë të kualitetit profesional dhe jo afërsisë politike që anëtarët e Komisionit anti-korrupsion mund të kenë.

XS
SM
MD
LG