Ndërlidhjet

Autoritetet maqedonase me masa kundër migrantëve ilegalë


Migrantët përplasen me policinë në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë
Migrantët përplasen me policinë në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë

Nga dikasteri i policisë së Maqedonisë së Veriut theksojnë se së fundmi janë shtuar aktivitetet e sigurisë përgjatë kufirit me Greqinë për të parandaluar çdo tentim të migrantëve që ilegalisht të futen në shtet.

Autoritetet kanë theksuar se gjendja është stabile dhe se shteti ka kapacitete të mjaftueshme për tu përballur me një valë të mundshme migrantësh, megjithatë kanë theksuar se nuk ka rritje të numrit të tentimeve për hyrje ilegale.

Këto reagime vijnë pasi gjatë fundjavës së kaluar (të shtunën) policia e Greqisë ishte përplasur me një grup të migrantëve dhe refugjatëve që ishin vendosur në një kamp në një zonë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, për të lëvizur drejtë Evropës.

Jasmin Rexhepi nga organizata joqeveritare LEGIS, e cila në fokus ka përkujdesjen ndaj migrantëve, për Radion Evropa e Lirë thotë se protestat e migrantëve në Greqi duhet parë si përpjekje për aktualizimin e gjendjes së vështirë në kampet ku po qëndrojnë migrantët në këtë vend dhe statusin e tyre të pazgjidhur.

“Ata akoma nuk e dinë nëse do t'u njihet e drejta e azilit në këtë shtet apo do tu mundësohet të vazhdojnë rrugën në ndonjë vend të Evropës që kanë vënë si qëllim. Prej këtu buron dhe revolta e tyre”, thotë Rexhepi.

Ai thekson se një pjesë e migrantëve që ndodhen në Greqi ilegalisht synojnë ta kalojnë territorin e e Maqedonisë së Veriut për të arritur në shtetet evropiane edhe pse rruga ballkanike është e mbylllur.

“Gjatë muajve të fundit 200 apo 300 migrantë në ditë synojnë ilegalisht të futen në territorin e Maqedonisë”, thotë Rexhepi duke theksuar se megjithatë nuk ka vend për panikë.

Gjatë vitit të kaluar, sipas statistikave zyrtare, rreth 16 mijë e 900 migrantë kanë synuar që ilegalisht të futen në territorin e Maqedonisë së Veriut në kufirin me Greqinë.

Sashko Kocev, drejtues i Iniciativës Rajonale për Migracionin, azil dhe refugjatë (MARRI) thotë se Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar përparim të theksuar sa i përket përforcimit të kapaciteteve dhe burimeve njerzore për t’u përballë me një fluks eventualisht më të madh të migrantëve.

“Republika e Maqedonisë së Veriut, por edhe i tërë rajoni, përfshi këtu vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë më të përgatitur që të përballen me një valë të re migrantësh nëse do të jetë e nevojshme”, ka bërë të ditur Kocev, duke nënvizuar se përgjatë kufirit jugor të shtetit me Greqinë në vazhdimësi patrullojnë policë nga shumë vende të Evropës.

XS
SM
MD
LG