Ndërlidhjet

Ballkani bëhet cak i Forumit Mysliman Evropian


Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë takimit me kryetarin e Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Wahed Niyazov në Prishtinë.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë takimit me kryetarin e Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Wahed Niyazov në Prishtinë.

Më 6 korrik të këtij viti, në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Fakultetin e Shkencave Islame, ka qëndruar për vizitë një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian (EMF) i kryesuar nga kryetari i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Delegacionin e Forumit Mysliman Evropian, e kishte pritur në takim myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij, por ata nuk e kishin shqyrtuar gjatë se çfarë paraqiste ky forum dhe kush ishte drejtuesi i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Forumi Mysliman Evropian, është organizatë që ka selinë në Bruksel, dhe është themeluar në tetor të vitit 2018.

Disa nga qëllimet e këtij Forumi, të cekura në faqen e tij të internetit janë: integrimi i migrantëve myslimanë në shoqërinë evropiane, ndihma në ndërtimin dhe zhvillimin e xhamive dhe qendrave kulturore islamike në vendet evropiane, organizimi i aktiviteteve që synojnë popullarizimin e trashëgimisë kulturore islame evropiane, zhvillimi i projekteve arsimore në internet për të arritur një audiencë më të gjerë nga të rinjtë myslimanë, zhvillimin e industrisë hallall në vendet evropiane, etj.

Drejtuesi i Forumit, Niyazov, kryeson gjithashtu Qendrën Kulturore Islamike të Moskës, një departament publik i këshillit zyrtar të myftiut rus dhe gjithashtu organ i lidhur me Kremlinin.

Në Federatën Ruse, Niyazov konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej vitit 1999 e deri në vitin 2003, ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumën ruse.

Vizitë ‘kurtuazie’ e Forumit Mysliman Evropian në BIK

Kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se tradicionalisht, dyert e Bashkësisë Islame të Kosovës janë të hapura për vizitorët dhe në këtë kuptim është pranuar për vizitë edhe delegacioni i Forumit Mysliman Evropian. Por, siç thotë ai, nuk kanë pasur informata se me kë kanë afërsi anëtarë të caktuar të këtij delegacioni dhe as me pretendimet që Niyazov është i afërt me Kremlinin.

“Jo, ne nuk jemi marrë me atë se kush është i afërt apo kush është i largët. Nuk jemi marrë me këtë punë. Kanë ardhur si delegacion për vizitë dhe kaq. Thjesht, kanë qenë për vizitë. Kanë qenë në të gjithë Ballkanin dhe jo vetëm te ne. Kanë qenë në Maqedoni (të Veriut), Shqipëri, Bosnje (e Hercegovinë), Mal të Zi. Thjesht, ka qenë takim kurtuazie, takim njoftimi. Nuk ka pasur diçka tjetër. Është një forum i ri që është bërë prej atyre dhe nuk ka diçka specifike. Kanë vizituar medresenë, fakultetin, thjesht, që të njoftohen me bashkësinë dhe asgjë tjetër”, tha kryeimami Sahiti.

Sipas një njoftimit të BIK-ut lidhur me këtë vizitë, myftiu Naim Tërnava e ka njoftuar Niyazovin për aktivitetet e BIK-ut, kurse ky i fundit është shprehur i “impresionuar nga të arriturat e Kosovës në periudhën e pasluftës” dhe ka shprehur “gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen”.

Myftiu i Bosnjës nuk e pranoi takimin

Për dallim nga myftiu i Kosovës, myftiu i Bosnje e Hercegovinës, Husein Kavazoviq nuk pranoi të takojë këtë delegacion në korrik, gjatë një vizite në këtë shtet.

Takimi është zhvilluar vetëm me disa përfaqësues të Bashkësisë Islame të Bosnjës.

“Kjo është disi një rrëfim i paqartë rus, që nuk ka lidhje me myslimanët evropianë. Ne nuk e dimë se cilat janë qëllimet e tyre. Nuk e dinim se kush janë. I kam pyetur se kush janë dhe çka dëshirojnë. Ata nuk patën përgjigje të qartë, por patën disa ide megalomane”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Razim Çoliq, drejtor i Drejtorisë për punë të jashme dhe diasporë në Bashkësinë Islame të Bosnje-Hercegovinës.

Ai shtoi se e kanë refuzuar bashkëpunimin edhe për shkak që Forumi vepron në mënyrën “që shkojnë në ndonjë shtet ku myslimanët punojnë me shekuj dhe më pas këto i shfaqin si institucione të tyre. Unë nuk pashë asgjë të mirë në atë që ata thanë”, theksoi Çoliq.

Ai gjithashtu ka theksuar se kryetari i Forumit, Niyazov, u prezantua si kryetar dhe përfaqësues i të gjithë myslimanëve në Evropë, gjë që, sipas tij, nuk është ide të cilën mund ta mbështesë Bashkësia Islame.

Në Bosnje, një rrugë me emrin e udhëheqësit çeçen Kadyrov

Megjithatë, si rezultat i vizitës së forumit në Bosnje, një rrugë në Zavidoviqi, qytet në qendër të këtij shteti, së shpejti mund të emërohet sipas presidentit të parë çeçen, Ahmad Kadyrov.

Ahmad Kadyrov
Ahmad Kadyrov

Ahmad Kadyrov, luftoi kundër Rusisë gjatë luftës së parë çeçene dhe për pavarësinë e kësaj zone, por më pas doli në krah të Moskës dhe u vra në vitin 2004.

Ahmad Kadyrov, po ashtu ishte babai i liderit aktual të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili sundon me autoritarizëm dhe është besnik i Kremlinit dhe presidentit rus Putin. Republika e Çeçenisë funksionon në kuadër të Federatës Ruse.

Kërkesa nga delegacioni i drejtuar nga Abdul -Wahed Niyazov, për emërimin e një rruge me emrin e Kadyrovit, u bë në takimin me kryetarin e Komunës së Zavidoviqit, Hashim Mujanoviq, më 9 korrik. Në këmbim të kësaj, Forumi premtoi gjysmë milioni euro për rindërtimin e një rruge dhe një pjese të urës në Zavidoviqi.

Ramzan Kadyrov
Ramzan Kadyrov

Por, ndryshe nga publikimet në rrjetet sociale nga Forumi Mysliman Evropian, kryetari i komunës së Zavidoviqit, Hashim Mujanoviq, thotë që ende asgjë nuk është finalizuar, por vetëm se është nënshkruar një memorandum për bashkëpunim.

“Thjesht, këto kanë qenë dëshirat e tyre, ofertat e tyre. Por, duke respektuar kompetencat e kryetarit të komunës dhe të kuvendit të komunës, unë nuk kam dashur të pranoj kurrfarë obligimi, marrë parasysh që kuvendi komunal është kompetent për emërimin e rrugëve, urave, shesheve e të tjera”, ka thënë Mujanoviq.

Çka është BIK-u?

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është institucion i pavarur i myslimanëve të Kosovës. Kjo bashkësi ka për qëllim organizimin e jetës fetare islame të myslimanëve në Kosovë. BIK-u është ideatore, bartëse, prezantuese, predikuese dhe realizuese e jetës fetare islame në Kosovë. BIK-u udhëhiqet nga myftiu, i cili është autoriteti më i lartë fetar mysliman. Për organizmin e jetës fetare në vend, kjo bashkësi bazohet në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës e cila mbështetje kryesore ka Kuranin, synetin e të dërguarit të Allahut Muhamedit a.s dhe rregullat e shkollës juridike hanefite si dhe rregulloret e miratuara nga organet e Bashkësisë Islame të Kosovës. Organizimi i Bashkësisë Islame fillon përmes xhemateve, të cilat përbëjnë këshillin e një xhemati të një xhamie të caktuar. BIK-u ka krijuar edhe institucionin edukativ-arsimor, nga niveli parashkollor deri tek arsimi i lartë.

Nisma për një shkollë fetare me emrin Kadyrov në Novi Pazar

Në fund të qershorit, përfaqësuesit e Forumit Mysliman Evropian, vizituan edhe Novi Pazarin, një qytet me shumicë myslimane, në jug të Serbinë. Vizita u drejtua po ashtu nga Abdul-Wahed Niyazov.

Në Novi Pazar, u arrit pajtimi me Bashkësinë Islame në Serbi (IZuS) që Forumi të ndihmonte ndërtimin e një shkolle fetare me emrin e presidentit të parë të Çeçenisë, Ahmad Kadyrov.

Shërbimi Informues i Meshihatit, përkatësisht i Bashkësisë Islame të Serbisë, në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nisma për të ndërtuar një shkollë me emrin e udhëheqësit të parë të Çeçenisë, Ahmad Kadyrov, erdhi nga mysafirët nga Forumi Evropian Mysliman.

Sahiti: Forumi nuk ka kërkuar asgjë nga BIK-u

A ka pasur kërkesa të ngjashme ose të tjera nga ky delegacion i Forumit Mysliman Evropian ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës?

Kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti ka theksuar se madje as që kanë qenë të informuar për kërkesat e këtij forumi në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi. Ai ka mohuar të ketë pasur kërkesa të tilla edhe në Kosovë.

“Jo, absolutisht, madje as që është hapur si temë. Edhe po të kishte (kërkesë), ne nuk do ta bënim. Ky thjesht ka qenë takim, vizitë kurtuazie. Për mirësjellje ne i presim, sepse ka pasur nga vende të ndryshme”, tha kryeimami Sahiti.

Aktivitet e Forumit Mysliman Evropian

Forumi Mysliman Evropian, përmes profilit zyrtar në Facebook, më 14 korrik, ka njoftuar se delegacioni i këtij forumi kishte qenë në Ballkan për gati 20 ditë.

Aty është thënë se kishin vizituar Greqinë, Rumaninë, Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë.

Delegacioni i Forumit Mysliman Evropian njoftoi se është takuar me nënkryetarin e parlamentit serb, Muamer Zukorliq, zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarin e këshillit të qytetit të Sarajevës, Jasmin Ademoviq, si dhe në Sarajevë me Bakir Izetbegoviqin, drejtues i Partisë së Veprimit Demokratik.

“Talat Xhaferi dhe Bakir Izetbegoviq, paraprakisht janë pajtuar të bashkohen me Komitetin tonë Drejtues dhe Shejh Mustafa Ceriq, tashmë është anëtarësuar në Këshillin e Udhëzimeve Shpirtërore të Forumit. Vëllai i dashur Muamer Zukorliq është gjithashtu një anëtar i Këshillit tonë, të cilin ne planifikojmë ta përfshijmë në Bordin e FME-së, në takimi i ardhshëm në Lituani, dashtë Zoti. Padyshim, Forumi Mysliman Evropian tani po forcon pozicionin e tij në Ballkan”, thuhet në njoftimin e këtij forumi.

Më herët, Radio Evropa e Lirë ka shkruar se në Shkup, në fillim të korrikut, Niyazov u pajtua me autoritetet në komunën e Tetovës, që në kuadër të shënimit të 70-vjetorit të udhëheqësit të parë çeçen Ahmad Kadyrov, të ngrihet një monument i miqësisë midis popujve të Ballkanit dhe Kaukazit .

Radioja dhe televizioni çeçen thanë se një nga parqet e qytetit në Shkup, do të quhej “Parku i Miqësisë me emrin e Ahmad Kadyrov”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG