Banka Botërore ka miratuar ndihmën shtesë prej 530 milionë dollarësh për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Ukrainës, teksa Kievi po përballet me pushtimin rus.
Më 1 tetor, Banka tha se pakoja e re sjell në total ndihmën për Ukrainën – që kur ka nisur pushtimi rus më 24 shkurt – në 13 miliardë dollarë. Nga kjo shumë, 11 miliardë dollarë veçse i janë dhënë Ukrainës.
Drejtori për Evropën Lindore, Arup Banerji, tha se Banka Botërore vlerëson se Ukrainës do t’i duhen tri vjet për rindërtim dhe rimëkëmbje dhe mbi 100 miliardë dollarë.
Ndihma për Kievin vjen një ditë pasi Rusia zyrtarisht aneksoi edhe katër rajone ukrainase që janë pjesërisht të pushtuara nga Moska, gjë që nxiti dënim nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet evropiane.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se kurrë nuk do të pranojë aneksimet e paligjshme të Moskës dhe i bëri thirrje Perëndimit që të pranojë kërkesën e Ukrainës për t’u bërë anëtare e aleancës mbrojtëse të NATO-s.