Ndërlidhjet

BE-ja thotë se pret proces të drejtë në rastin e drejtorëve të institucioneve serbe në Kosovë  

Flamuj të BE-së. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Flamuj të BE-së. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Bashkimi Evropian tha se po e ndjek me kujdes rastin e ndalimit të shtatë drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Kosovë, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë. Drejtorët u ndaluan nën dyshimet se kanë ndikuar në vullnetin e lirë të votuesve.

Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se Misioni për Sundim të Ligjit i bllokut në Kosovë (EULEX) po e monitoron rastin në terren.

“Ne presim që autoritetet e Kosovës të respektojnë dhe të sigurojnë një proces të drejtë ligjor gjatë gjithë procedurës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare. Kjo nënkupton po ashtu se çdo vendim për paraburgim duhet të jetë i domosdoshëm dhe proporcional”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 maj caktoi një muaj paraburgim për shtatë drejtorët e institucioneve serbe, me arsyetimin se ekziston rrezik real që të pandehurit, nëse lirohen, mund t’i shmangen përgjegjësisë penale ose ta përsërisin veprën penale.

Të dyshuarit për ndikim në vullnetin e lirë të votuesve u arrestuan më 19 maj me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila, siç ka thënë, ka vepruar sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mediale për pretendimet e liderit të partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq se Lista Serbe po ushtron presion dhe po shantazhon mbështetësit e tij.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e autoriteteve në Serbi, e ka dënuar caktimin e paraburgimit për drejtorët e institucioneve serbe dhe ka thënë se bëhet fjalë për “përndjekje dhe frikësim”.

Institucionet arsimore dhe shëndetësore në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë dhe pothuajse janë të vetmet që kanë mbetur, pasi autoritetet kosovare kanë mbyllur institucione të tjera, duke vlerësuar se ato janë “paralele dhe të paligjshme”.

Ndërkaq, Rashiq, i cili është edhe ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka pretenduar se rreth 20 persona që e mbështesin atë janë larguar nga puna në këto institucione serbe, si dhe se në të ardhmen pritet që edhe rreth 40 persona të tjerë të marrin vendime për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.

Lista Serbe i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka thënë se Rashiq po përpiqet të “justifikojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë (REL) më 18 maj publikoi dëshmi të disa personave që thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit.

Ata kishin punuar për dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit udhëhiqen kryesisht nga anëtarë dhe zyrtarë të Listës Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë mbahen më 7 qershor, ndërsa nga subjektet politike serbe marrin pjesë vetëm Lista Serbe dhe partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiqit.

Autoritetet në Kosovë e kanë përshëndetur reagimin e Prokurorisë Themelore lidhur me rastin e drejtorëve, ndërsa zyrtarët e Serbia i kanë cilësuar arrestimet si të motivuara politikisht.

XS
SM
MD
LG