Ndërlidhjet

Kundërshtime mes BE-së dhe Polonisë në debatin mbi sundimin e ligjit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Polonia janë përplasur mbi sundimin e ligjit pasi të dyja palët kanë mosmarrëveshje mbi një vendim të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë që sfidon epërsinë e ligjeve të BE -së.

Zyrtarët evropianë kanë kritikuar vendimin. Ndërkohë dhjetëra mijëra njerëz janë tubuar në të gjithë Poloninë pasi janë të shqetësuar se vendimi mund të jetë hapi i parë drejt largimit të Polonisë nga blloku prej 27 anëtarësh.

Qeveria e krahut të djathtë e mohon një gjë të tillë.

Komisioni Evropian (KE) do t'i përgjigjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, u tha presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ligjvënësve të BE-së dhe kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki të martën (19 tetor) në Strasburg.

"Ne nuk mund, dhe nuk do të lejojmë që vlerat tona të përbashkëta të vihen në rrezik", tha von der Leyen.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, u përgjigj duke thënë se "nuk do t'i lejojë politikanët e BE -së të shantazhojnë Poloninë".

Morawiecki këmbënguli që Varshava respekton traktatet e BE -së dhe hodhi poshtë deklarimet e opozitës se vendimi i gjykatës e ka orientuar vendin drejt një daljeje të mundshme nga blloku.

"Ne nuk duhet të përhapim më shumë gënjeshtra në lidhje me largimin e Polonisë nga BE-ja", tha ai.

"BE-ja është një organizëm i fuqishëm politik dhe ekonomik. Është organizata më e fortë, më e zhvilluar ndërkombëtare në histori. Por BE -ja nuk është një shtet. Ne kemi 27 shtete anëtare në Evropë. Shtetet anëtare mbeten evropianë sovranë. Ata mbeten zotëruesit e traktateve. Dhe janë shtetet anëtare ato që vendosin se cilat janë kompetencat e deleguara në BE. Ne i deleguam shumë kompetenca BE -së, por jo gjithçka. Një numër çështjesh mbeten brenda kompetencave të shteteve anëtare", tha Morawiecki.

Çfarë ka vendosur Gjykata Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka vendosur që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë.

Dhe, sipas saj, gjykatësit polakë nuk duhet ta përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e kolegëve të tyre.

Rasti është paraqitur në Gjykatë nga kryeministri Morawiecki.

"Ky vendim vë në dyshim themelet e Bashkimit Evropian. Është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj unitetit të rendit juridik evropian", tha von Der Leyen.

Sipas von Der Leyen janë tri opsione që mund të merren si masa ndaj Polonisë: hapja e procedurave të reja të shkeljes, veprimi përmes mekanizmit të ri të kufizimit të buxhetit ose përdorimi i procedurës së Nenit 7, i cili në fund të fundit mund t'i heq Polonisë të drejtat e votimit të BE -së.

Kjo është hera e parë në historinë e BE-së që udhëheqësi i një shteti anëtar vë në dyshim traktatet e bllokut në Gjykatën Kushtetuese.

"Ne duhet të flasim, por unë nuk shoh ndonjë mundësi kompromisi", u tha gazetarëve para takimit në Strasburg, ministri gjerman për Evropën, Michael Roth.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn paralajmëroi se Evropa nuk do t’i mbijetojë një fundi të sundimit të ligjit.

“Evropa do të vdesë nga një zhvillim i tillë", tha ai.

XS
SM
MD
LG