Ndërlidhjet

A mund të ndodhë Polexit-i?


Flamuri i Polonisë dhe ai i BE-së para Parlamentit në Varshavë.
Flamuri i Polonisë dhe ai i BE-së para Parlamentit në Varshavë.

Mosmarrëveshjet midis Qeverisë së Polonisë dhe Bashkimit Evropian janë përshkallëzuar seriozisht, pasi kryeministri i këtij vendi, Mateusz Morawiecki, ka sfiduar disa parime ligjore të bllokut.

Situata e krijuar ka nxitur tani shqetësimet se Polonia po shkon drejt daljes nga BE-ja, apo “Polexit”-it.

Për Francën, dalja e tillë është “një rrezik de facto”.

Të enjten e javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka vendosur që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë.

Dhe, sipas saj, gjykatësit polakë nuk duhet ta përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e kolegëve të tyre.

Rasti është paraqitur në Gjykatë nga kryeministri Morawiecki.

Është hera e parë në historinë e BE-së që udhëheqësi i një shteti anëtar vë në dyshim traktatet e bllokut në Gjykatën Kushtetuese.

Komisioni Evropian ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë ngre “shqetësime serioze”.

“Ligji i BE-së ka përparësi mbi ligjin kombëtar, përfshirë dispozitat kushtetuese”, ka thënë Komisioni Evropian.

Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Gjermanisë e kanë qortuar ashpër Poloninë, duke thënë se anëtarësimi në BE mbështetet në “respektimin e plotë dhe të pakushtëzuar të vlerave dhe rregullave të përbashkëta” dhe se ky “nuk është thjesht një angazhim moral; është gjithashtu angazhim ligjor”.

Të dielën, në Poloni janë mbajtur protesta masive kundër politikës qeveritare dhe në mbështetje të anëtarësisë së Polonisë në BE. Rreth 100,000 veta janë tubuar vetëm në Varshavë.

Patryk Wachowiec, studiues në Qendrën Bingham për Sundimin e Ligjit, thotë për BBC-në se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, në aspektin praktik, “prezanton aspekte të një Polexit-i ligjor, sepse do të thellojë problemin e bashkëpunimit gjyqësor midis gjykatave polake dhe evropiane”.

Morawiecki dhe Jaroslaw Kaczynski, kryetar i Partisë në pushtet për Ligj dhe Drejtësi, thonë se Polonia dëshiron të mbetet në BE.

Ata akuzojnë opozitën për përhapje të “lajmeve të rreme”, me qëllim frikësimin e elektoratit, që në masë të madhe mbështet anëtarësinë në BE.

Kaczynski konsiderohet si politikani më i fuqishëm në Poloni.

“Operacioni i planifikuar nga Jaroslaw Kaczynski për ta larguar Poloninë nga Evropa ka filluar të marrë hov. Nëse mbetemi joaktivë, asgjë nuk do ta ndalojë atë”, ka thënë Donald Tusk, ish-president i Këshillit Evropian, tani kryetar i grupit më të madh opozitar të Polonisë, Koalicioni Qytetar.

“Diktatura e Brukselit”

Atëherë, nëse udhëheqësit e Polonisë këmbëngulin se nuk duan “Polexit”, pse dy besnikët e Kaczynskit, Marek Suski dhe Ryszard Terlecki, nxisin ndjenja kundër BE-së?

Muajin e kaluar, Suski ka folur për luftimin e “Brukselit si okupator”, ndërsa Terlecki ka thënë se Britania e Madhe ka treguar se “diktatura e burokracisë së Brukselit” mund të mposhtet duke u larguar.

Terlecki, i cili është udhëheqës i grupit parlamentar të Partisë për Ligj dhe Drejtësi, ka këmbëngulur se Polonia dëshiron të qëndrojë në BE, por ka thënë se duhen kërkuar “zgjidhje drastike” nëse konflikti nuk zgjidhet.

Nacionalistët që mbajnë pushtetin në Poloni qysh në vitin 2015, janë në konflikt me Brukselin për një numër çështjesh - nga pavarësia e gjykatave, liria e mediave, të drejtat e komunitetit homoseksual, e deri te politikat për klimën.

Jacek Karnowski, kryeredaktor i së përjavshmes pro-qeveritare polake, Sieci, thotë se Polexit-i është “i paimagjinueshëm dhe jorealist”, por pranon se çështja është temë diskutimi.

Polonia, si Mbretëria e Bashkuar, ka qenë një komb krenar i pavarur, thotë ai, por “shumë më i dobët, fatkeqësisht”.

Strategji e Partisë për Ligj dhe Drejtësi është se Polonia duhet ta mbrojë sovranitetin e saj dhe të mos trajtohet si një anëtare e klasës së dytë, thotë Karnowski.

“Zyrtarët qeveritarë mendojnë se po mashtrohen nga Brukseli. Vendimi i së enjtes [i Gjykatës Kushtetuese] është marrë në njëfarë mënyre nga pozicioni i BE-së”, thotë ai.

Protestat në Varshavë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 10 tetor, 2021.
Protestat në Varshavë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 10 tetor, 2021.

Në një mënyrë apo tjetër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të ngjarë t'i kushtojë Varshavës.

Komisioni Evropian nuk e ka miratuar ende planin e Polonisë për rimëkëmbje, i cili i mundëson asaj të përfitojë miliona euro nga blloku, që do ta ndihmonin për ringjalljen e ekonomisë së dëmtuar nga pandemia e koronavirusit.

“Nëse ne nuk e mbështesim parimin e BE-së, që rregullat e barabarta të respektohen njëjtë kudo në Evropë, e gjithë Evropa do të fillojë të shembet”, tha nënpresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova.

“Kjo është arsyeja përse do të duhet të reagojmë ndaj këtij kapitulli të ri që ka filluar të nxjerrë Gjykata Kushtetuese në Poloni”, tha Jourova, përgjegjëse për vlerat dhe transparencën në Komisionin Evropian.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG