Bashkimi Evropian, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe të tjerë e kanë dënuar gjuhën e përdorur nga një anëtar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ndaj mediave, pasi ai i kishte cilësuar ato si “kriminale" dhe "vrasës me pagesë”.
Në një reagim në Facebook, Zyra e BE-së në Prishtinë bëri thirrje të enjten t’i jepet fund një gjuhe të tillë, duke shtuar se liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE) tha se sjellja e Kurteshit ndaj gazetarëve ishte e “papranueshme”.
“Liria e medias dhe diskursi publik i përgjegjshëm janë thelbësore për demokracinë e Kosovës. Përfaqësuesit politikë në institucionet e pavarura duhet t'i mbajnë standardet më të larta të profesionalizmit dhe respektit”, tha OSBE në Facebook.
Çfarë ndodhi?
Gjithçka nisi në një mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 2 dhjetor, kur Kurteshi nuk i lejoi gazetarët të merrnin pamje afër tryezës së Komisionit dhe kërkoi që mediat të vendosen në atë që ai e quajti këndi i mediave.
Por, ishte gjuha e përdorur nga ai gjatë diskutimit të nxehur me gazetarë që nxiti reagime.
Me një ton të ashpër, Kurteshi iu kërkoi me këmbëngulje gazetarëve të largohen në atë që tha se ishte këndi i tyre dhe iu drejtua si “mediat që po bëjnë shpifje shumë të mëdha”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi menjëherë duke thënë se “Kurteshi është recidivist në sulmet ndaj gazetarëve” dhe i bëri thirrje LVV-së së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, “ta ndalojë këtë praktikë”.
“AGK-ja është e shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve nga ana e anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi”, shkroi organizata në Facebook më 2 dhjetor.
Kurteshi, më pas, shkoi në Facebook dhe bëri kritika të ashpra ndaj AGK-së, duke e cilësuar atë si “Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK) në mbrojtje të vrasësve me pagesë!”.
Ai madje tha se AGK-ja po i mbron “pronarët e altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit”, duke i renditur me emër disa media, pronarët e të cilave i cilësoi si “vrasës me pagesë”.
Kurteshi po ankohej për mënyrën se si ishte mbuluar incidenti i tij me gazetarët në mbledhjen e KQZ-së më 2 dhjetor.
Reagimet tjera
Përveç Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe OSBE-së, ndaj gjuhës së Kurteshit reagoi sërish AGK-ja dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë (FGE), Ricardo Gutierrez.
Gutierrez shkroi në Facebook, drejtuar kryeministrit në detyrë, Kurtit, duke thënë se “duhet t’i jepni menjëherë fund fushatës së njollosjes që po zhvillohet nga një anëtar i partisë suaj kundër gazetarëve”.
“Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po minoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj, duke i lejuar anëtarët e partisë suaj, LVV-së, të denigrojnë këdo që guxon t’ju kërkojë juve dhe politikëbërësve të tjerë llogari. Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje t’i jepni fund kësaj frikësimi para se të jetë tepër vonë”, shkroi Gutierrez.
Në një reagim tjetër, AGK-ja tha se deklaratat e Kurteshit janë “të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”.
“Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend”, tha ajo.
Ajo u bëri thirrje LVV-së, Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani ta shqyrtojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, shkroi në Facebook se “AGK-ja nuk është aleancë e grupeve kriminale, por një organizatë e fuqishme, profesionale dhe me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në mbrojtjen e gazetarëve”.
“Gazetarët nuk janë vrasës me pagesë; ata janë njerëz që e kanë për obligim t’i kërkojnë pushtetit llogari”, tha ajo.
Liria e medias në Kosovë
Kosova ka shënuar ngecjen më të madh në 15 vjet sa i përket lirisë së shtypit këtë vit, sipas organizatës joqeveritare Reporterët pa kufij.
Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, Kosova renditet e 99-ta nga 180 vende.
Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, "akuzohen padrejtësisht për 'bashkëpunim me armikun', retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare".
Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan i Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, sa i përket Kosovës thuhet se autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa të qëndrueshëm për t’i identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Në raportin e DASH-it u tha se në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria e medias.