Ndërlidhjet

BE-ja dhe Britania urojnë Kurtin për Qeverinë e re, përmendin dialogun me Serbinë dhe Planin e Rritjes

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas dhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves e kanë uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re të vendit.

Përmes një postimi në X – dikur Twitter – Kallas ka thënë se është krijuar momentum i ri për t’i avancuar marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës si dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, prandaj vetë ajo është e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë.

Mes tjerash, Kallas e ka përmendur edhe rëndësinë e kryerjes së reformave.

“Kjo është rruga më e shpejtë për t’ia hapur rrugën mbështetjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej qindra miliona eurove dhe të ketë përparim në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Kallas.

Kurtin e ka uruar edhe Komisionarja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjithashtu e ka përmendur nevojën për reforma dhe përfitime nga Plani i Rritjes i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Mezi pres ta vizitoj Kosovën shpejt”, ka thënë ajo përmes një postimi në X.

Ambasadori britanik ka thënë se Britania është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën teksa çon përpara reforma, forcon institucionet demokratike dhe punon në interes të të gjitha komuniteteve.

“Mezi presim që të shohim përkushtimin e Kosovës për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për nxitjen e stabilitetit, prosperitetit dhe bashkëpunimit rajonal”, ka thënë mes tjerash ambasadori Hargreaves, përmes një postimi në Facebook.

Qeveria e re, në krye me Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

Krejt çka ndodhi në Kuvend më 11 shkurt:

Mbledhja e parë e Qeverisë është planifikuar të mbahet në paraditen e së enjtes.

Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në ditët e para është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova me BE-në dhe Bankën Botërore. Të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove.

XS
SM
MD
LG