Ndërlidhjet

Hamza: Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së në zgjedhjet e qershorit

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza. Fotografi nga arkivi.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza. Fotografi nga arkivi.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se Fatmir Limaj dhe Nisma Socialdemokrate, nuk do të jenë pjesë e listës garuese të subjektit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Hamza bëri të ditur këtë lajm pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, duke theksuar se në mbledhje u trajtua kërkesa, përkatësisht letra që kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – dikur një eksponent i rëndësishëm PDK-së – i dërgoi atij.

“Sa i përket garimit në këtë listë, është qëndrimi i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, një vullnet i mirë nga Nisma Socialdemokrate, pastaj në zgjedhjet e ardhshme ne do t’i trajtojmë kur të vijnë ato në mënyrën e duhur. Por, kësaj radhe zoti Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, tha Hamza për gazetarët.

Hamza tha se në kërkesën që Limaj i dërgoi PDK-së, ai nuk kërkoi që vet të ishte pjesë e listës garuese.

Megjithatë, udhëheqësi i PDK-së tha se presin përkrahjen e Limajt dhe Nismës Socialdemokrate në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se “jam i bindur që kjo përkrahje do të reflektojë në rritjen e votës për PDK-në”.

Hamza tha se nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen, Nisma Socialdemokrate apo anëtarë të kësaj partie t’i bashkohen subjektit që ai udhëheq.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar eksponentëve të Nismës Socialdemokrate për koment lidhur me vendimin e PDK-së dhe është në pritje të përgjigjes.

Për zgjedhjet e 7 qershorit – që erdhën pasi deputetët dështuan që të zgjedhin një president të ri – sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 22 subjekte politike dhe tri koalicione, teksa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi si të vetme ose në koalicion.

Në mesin e partive që nuk janë regjistruar për garë zgjedhore është Nisma Socialdemokrate.

Belgzim Kamberi nga Instituti joqeveritar për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në Prishtinë, i tha më herët Radios Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje do të përfitojë vota shtesë nga mungesa e Nismës në garë.

“Nga mospjesëmarrja e Nismës, natyrisht që përfiton pushteti, sepse megjithatë nëse konsiderojmë që Nisma do të kishte hyrë më PDK-në votat do shkonin tek ky subjekt, tash disa vota aq sa janë të Nismës ato shkrihen”, theksoi ai.

Sipas tij, këtë drejtim dëmtohet “opozita në përgjithësi, por edhe PDK-ja në kuptimin e pastër elektoral.

Partitë politike pjesëmarrje në zgjedhje

1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

Koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

Limaj ditë më parë ka deklaruar për televizionin Dukagjini se është i interesuar që Nisma Socialdemokrate të shkrihet në PDK.

Ndryshe, Nisma Socialdemokrate garoi e vetme në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Partia e Limajt mori 15.189 vota, apo 1.59 për qind, duke mos e kaluar pragun prej 5 për qind për të hyrë në Kuvend.

Ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025, Limaj garoi së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga tetë mandatet e fituara, tre deputetë ishin nga Nisma Socialdemokrate.

XS
SM
MD
LG