Ndërlidhjet

Beteja për pushtet në Serbi përmes blerjes së klubit Southampton


Tifozët e Southampton-it gjatë një ndeshjeje. Fotografi nga arkivi.
Tifozët e Southampton-it gjatë një ndeshjeje. Fotografi nga arkivi.

Serbia është e dhënë pas futbollit.

Dy klubet më të mëdha të kryeqytetit, Partizani dhe Cërvena Zvezda (Ylli i Kuq), bëjnë pjesë në një nga derbit më të ashpër sportiv në botë, dhe nëse ecni nëpër rrugët e Beogradit do të shihni mbishkrime të mbështetësve të këtyre dy klubeve në pothuajse çdo mur.

Bastoret, me tabela neoni, janë kudo dhe janë të mbushura me burra që pinë duhan pa ndalur dhe janë të përqendruar në ekranet televizive që shfaqin ndeshjet e asaj fundjave.

Futbolli serb u bë kryelajm në mediat ndërkombëtare javën e kaluar, pas njoftimit se Sport Republik, një firmë investimi e mbështetur nga magnati serb i mediave, Dragan Sollak, kishte blerë 80 për qind të aksioneve në ekipit Southampton F.C, që garon në Premier Ligën angleze. Këto aksione ai i bleu për 135 milionë dollarë.

Në Angli, 57-vjeçari Sollak është thjesht një tjetër miliarder i huaj i panjohur.

Por, pas blerjes së Southampton-it nga Sollak qëndron një betejë e ashpër për të drejtat e Premier Ligës në Serbi – një betejë që nuk ka të bëjë vetëm me paratë, por me një luftë për media të pavarura në një shtet jodemokratik.

Në korrik të vitit 2021, gjiganti i telekomunikimit dhe medias i Sollakut, United Group, humbi nga Telekom Serbia – që mbështetet nga shteti – në një luftë për të drejtën e transmetimit të Premier Ligës angleze (EPL) në rajonin e ish-Jugosllavisë. Telekom e mposhti United Group me një ofertë që mesatarisht arrin në 100 milionë euro për një sezon gjatë periudhës 2022-2028. Kjo raportohet se është një rritje prej 700 për qind në krahasim me ofertën prej 12 milionë eurosh që kanali televiziv SportKlub – që është në pronësi të United Group – pagoi çdo vit në periudhën 2019-22.

Stadiumi i Southampton-it. Fotografi nga arkivi.
Stadiumi i Southampton-it. Fotografi nga arkivi.

Kjo ishte një shumë e madhe për Telekomin, më shumë se transmetuesit që operojnë në territore shumë të pasura dhe me popullsi shumë më të madhe. Në një intervistë për Danas, një gazetë e përditshme në pronësi të United Group, shefi ekzekutiv i SportKlub, Nemanja Simeunoviq tha se “Gjermania, Austria dhe Zvicra që të tria së bashku paguanin 25 milionë euro në vit [për EPL]", ndërkaq Franca “ka paguar 40 milionë euro”.

Shuma vjetore është pothuajse trefishi i të gjitha fitimeve të Telekomit më 2020, që ishin vetëm 35 milionë euro. Banka Qendrore e Serbisë u desh që të emetonte bono qeveritare për të mbështetur ofertën për marrjen e të drejtave për transmetimin e Premier Ligës. Pjesa tjetër e shumës pritet të mbulohet nga kreditë që do të rrisin borxhin publik si dhe nga fondet e marra nga buxheti i shtetit.

Kjo ofertë kaq e shtrenjtë e Telekomit ka ngritur një pyetje të rëndësishme: Pse shteti serb do të paguante një shumë kaq të lartë për të drejtat e Premier Ligës?

Shumë dyshojnë se motivet e Telekomit janë kryesisht politike. United Group, që u themelua nga Sollaku më 2007, ka në pronësi disa media në Serbi që guxojnë ta kritikojnë Qeverinë e presidentit, Alleksandar Vuçiq. Ndër këto media janë Danas dhe stacionet televizive N1 dhe Nova-S, që nga aktivistët shihen si mbrojtës jetikë të demokracisë së paqëndrueshme të Serbisë.

Një ballinë me ngjyrë të zezë e të përditshmes Danas ku shkruan me shkronja të bardha "Kështu duket kur nuk ka liri të medias".
Një ballinë me ngjyrë të zezë e të përditshmes Danas ku shkruan me shkronja të bardha "Kështu duket kur nuk ka liri të medias".

Që kur hyri për herë të parë në Qeveri më 2012, Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka vendosur kontroll pothuajse të plotë mbi mediat vendase, duke ia shitur kompanitë e dikurshme shtetërore oligarkëve ose duke blerë besnikërinë e magnatëve të njohur të mediave me ofrimin e stimujve financiarë si për shembull kredi shtetërore me interes të ulët dhe lehtësime tatimore. Në këmbim, këta magnatë u siguruan që stacionet e tyre televizive dhe gazetat të shndërroheshin në zëdhënëse të Qeverisë, duke mbytur kështu raportimin kritik, duke qëndruar me të njëjtën linjë politike të Vuçiqit dhe duke sulmuar publikisht kundërshtarët e tij.

Kësaj strategjie shpesh i referohen me “kapje e mediave”, gjë të cilën, Anya Schiffrin, një akademike në Universitetin Colombia të Nju-Jorkut, e ka përshkruar si “një situatë në të cilën qeveritë ose interesat e lidhura me politikën e kontrollojnë median”.

Ajo ka thënë se “përderisa format tradicionale të censurës para publikimit të informacioneve nuk ekzistojnë më në shumë pjesë të botës, media nuk është ende vërtetë e lirë” kur ajo është kapur.

Sipas këtyre parimeve, mosdhënia e të drejtave të transmetimit të Premier Ligës nga United Group mund të jetë një përpjekje e Qeverisë për të ushtruar presion ndaj mediave që ka në pronësi kjo kompani dhe duke i marrë pjesë të tjera të të ardhurave të saj.

"[Telekom Serbia] drejtpërdrejt kontrollohet nga Qeveria [serbe] dhe Alleksandar Vuçiq”, tha profesori Marko Millosavlleviq, udhëheqës i Departamentit të Komunikimit në Universitetin e Lubjanës në Slloveni.

“Arsyetimi [prapa të drejtës së transmetimit] nuk është vetëm që Telekom të bëhet më i rëndësishëm, sa i përket tregut, por gjithashtu që të ulë fuqinë dhe prestigjin –kështu duket – të kundërshtarit kryesor politik. Dhe duket se ata e konsiderojnë United Group dhe zotin Dragan Sollak si një lloj kundërshtari politik”.

Përkatësia politike e Sollakut është vështirë të kuptohet. Vuçiq dhe vartësit e tij, në vitet e fundit kanë bërë përpjekje që ta lidhin Sollakun me ish-kreun e Beogradit dhe liderin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, Dragan Gjillas. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, pas blerjes së Shouthampton-it reagoi në Twitter: “Kjo blerje tregon qartë se çfarë lloj oligarike kishim... kur Serbia udhëhiqej nga partnerët politikë dhe biznesorë të Sollakut. E gjithë kjo [blerja e aksioneve] u arrit përmes përdorimit të parave të qytetarëve serbë, keqpërdorimit të burimeve shtetërore [Telekom] dhe fuqisë politike”.

Pretendimet e Bërnabiqit burojnë nga vitet 2000 kur Sollaku u bë i pasur, para se Vuçiqi të vinte në pushtet, dhe në kohën kur ai potencialisht mund të ketë përfituar nga raportet e tij të afërta me Partinë Demokratike, që atëbotë ishte në pushtet. Në vitin 2000, Sollak themeloi televizionin kabllor dhe ofruesin e internetit SBB, pas rënies së regjimit autokratik të Sllobodan Millosheviqit. Më 2007, SBB u bashku edhe me tre kompani të tjera rajonale për të formuar United Group, që më pas u zgjerua në hapësirën mediatike. Sipas një burimi të afërt me United Group që dëshiron të mbetet anonim, që atëherë Sollak ka shitur shumicën e aksioneve në kompani dhe tani është një aksionar i vogël dhe ka rol mbikëqyrës në bordin e kompanisë, por nuk është i përfshirë në operacionet ditore.

Dragan Solak.
Dragan Solak.

Duke u përballur me shtrëngimin nga Qeveria të aseteve të tij lokale në Serbi, blerja e Southampton F.C mund të jetë një mënyrë që Sollak të luftojë kundër Qeverisë serbe. Simon Chadwick, profesor i sportit në Shkollën e Biznesit Emlyon në Paris, tha se duke pasur në pronësi një klub futbolli, “[Sollak] do të marrë pjesë në takime të nivelit të lartë brenda Premier Ligës... ku vendoset për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me dhënien e kontratave të transmetimit. Prandaj, ai do të luajë rol në formësimin e kritereve për dhënien e kontratave të transmetimit”, që do t’ia shtonin përfitimin Southampton-it dhe mund t’i jepte potencialisht avantazh mbi grupin Telekom.

Pavarësisht përpjekjeve të Vuçiqit, burimi anonim i afërt me United Group tha se Telekomi ka bërë pak që të dëmtojë krahun mediatik të United Group në Serbi, teksa tregu lokal përbën vetëm rreth 10 për qind të biznesit të përgjithshëm. United Group ofron shërbime të telekomunikimit, internetit dhe televiziv në mbarë shtetet në juglindje të Evropës, përfshirë të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Bullgarisë dhe Greqisë.

Biznesi i kompanisë në Greqi, për shembull, ka trefish vlerë më të madhe sesa në Serbi.

Burimi anonim tha se hyrja e Sollakut në Premier Ligë është krejtësisht një lëvizje komerciale dhe nuk lidhet me mosmarrëveshjet me Telekomin dhe se Sport Republic është një entitet krejtësisht i ndarë në United Group, që nuk ka asnjë lidhje financiare me Southampton.

Duke shpjeguar logjikën pas kësaj blerjeje, Nick Harris nga ueb-faqja Sporting Intelligence, tha se bazuar në performacën në ligë, “Southampton do të fitojë ndërmjet 100 milionë funte dhe 160 milionë funte çdo sezon nga transmetimi i Premier Ligës”. Nëse ky ekip arrin të dalë në top-tetëshen më të mirë, Sollak “do të ketë një aset që mund të jetë fitimprurës në baza vjetore, por po ashtu një aset që do të vlejë mbi 200 milionë funte”, tha Harris.

Blerja e Southampton-it është vetëm lëvizja e fundit nga një magnat i huaj që blen një klub futbolli në Premier Ligën Angleze. Më 2021, kjo ligë mori vendimin kundërthënës për të miratuar shitjen e Newscastle United te një fond sovran i Arabisë Saudite, që gjithashtu është në pronësi të Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman. Bin Salman kaloi kriteret e vendosura nga liga pavarësisht se ishte i përfshirë në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, trupi i të cilit thuhet se është gjymtuar në ambasadën saudite në Stamboll më 2018. Kritikët pretendojnë se kjo ngjarje tregon se ai nuk do të duhej të kishte kaluar kriteret e ligës angleze.

Përderisa bota e ka hequr vëmendjen nga abuzimet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite dhe rastit të tmerrshëm të Khashoggit, ka po ashtu akuza në Serbi lidhur me shqetësimet për dështimet etike sa i përket shitjes së të drejtave televizive ndaj Telekomit, me pretendimet se EPL e ka lejuar veten që të përdoret nga Vuçiqi në përpjekjet e tij për të heshtur opozitën politike dhe për çimentuar qeverisjen jodemokratike.

“Besoj se Premier Liga është bashkëfajtore – jo ligjërisht sepse nuk ka sanksione ndërkombëtare kundër regjimit të Vuçiqit apo Telekom Serbia, por në terma etikë”, tha profesor Millosavlleviq. “Premier Liga përmes shitjes së të drejtave të transmetimit, po lejon praktika të dyshimta biznesore dhe po rrit kapjen e medias në rajon, duke e shndërruar futbollin britanik në një mjet direkt politik për fuqi dhe kontroll”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG