Ndërlidhjet

Biden i thotë Erdoganit se të dyja vendet duhet të shmangin krizat


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë takimit me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në samitin e G20-ës në Romë të Italisë më 31 tetor.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë takimit me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në samitin e G20-ës në Romë të Italisë më 31 tetor.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha presidentit turk, Reccep Tayyip Erdogan të dielën (31 tetor) se vendet e tyre duhet të menaxhojnë më mirë mosmarrëveshjet.

"Kemi në plan një bisedë të mirë", tha Biden para fillimit të bisedimeve.

Gjatë takimit, Biden ka ritheksuar rëndësinë e Turqisë si aleate e NATO-s, si dhe partneritetin e saj të mbrojtjes me SHBA-në, por ka ngritur shqetësime për blerjen e sistemit raketor rus S-400 nga ana e Ankarasë, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate.

Presidenti turk ndërkaq ka thënë disa herë se vendi i tij planifikon të blejë sistemin raketor rus, pavarësisht kundërshtimeve.

SHBA-ja dhe aleatët e shohin armatimin rus si një kërcënim për sistemin e mbrojtjes së NATO-s, mirëpo Turqia thotë se S-400 mund të përdoren në mënyrë të pavarur pa u integruar në sistemet e NATO-s dhe për këtë arsye nuk paraqet rrezik.

Turqia u përjashtua nga një program i SHBA-së për të blerë avionë luftarakë F-35 dhe zyrtarët turq të mbrojtjes u sanksionuan.

Zyra e Erdoganit tha përmes një deklarate se takimi u mbajt në një "atmosferë pozitive" në të cilën liderët shprehën "vullnetin e përbashkët për të forcuar dhe përmirësuar më shumë raportet Turqi-SHBA”.

Tensionet mes Perëndimit dhe Turqisë janë rritur këtë muaj pasi presidenti Erdogan, urdhëroi shpalljen “non grata” (të padëshiruar) të dhjetë ambasadorëve perëndimor në Turqi, përfshirë atë amerikan, pasi ata kishin kërkuar lirimin e aktivistit të burgosur, Osman Kavalla.

Nëse do të ndodhnin dëbimet e ambasadorëve, atëherë ky do të ishte një veprim i pashembullt në raportet mes vendeve anëtare të NATO-s. Më pas, Erdogan e tërhoqi kërcënimin dhe tensionet u zbutën. Ai tha se qëllimi i Ankarasë nuk ishte të krijonte një krizë.

Mosmarrëveshja nisi kur ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar lirimin e Kavallës.

Filantropi, Kavalla, 64-vjeç, për katër vite po mbahet në paraburgim edhe pse ende nuk ka një vendim për dënimin e tij nga gjykata.

Paraburgosja e tij ndodhi pas protestave dhe tentativës për grusht shtetit në vitin 2016.

Aleanca midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë është tensionuar vitet e fundit për shkak të dallimeve politike në Siri, blerjes së raketave ruse të mbrojtjes dhe të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG