Teksa Uashingtoni dhe Teherani duket se po afrohen drejt një marrëveshjeje paraprake, rifillimi i luftimeve në Liban ka nxitur pasiguri rreth rrugës diplomatike. Irani ka paralajmëruar se shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit në Liban mund të pengojnë bisedimet indirekte me SHBA-në, përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, këmbëngul se negociatat po ecin me një ritëm “të shpejtë”.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me Kirsten Fontenrose, ish-drejtoreshë e lartë për Gjirin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Trumpit, lidhur me atë nëse diplomacia mund t’i mbijetojë përshkallëzimit të fundit, si po përpiqet Irani të lidhë zhvillimet në Liban me çështjen bërthamore dhe cilat shenja ajo do të vëzhgojë nga afër në ditët në vijim.
Radio Evropa e Lirë: Dyzet e tetë orë më parë, dukej se lajmi ishte se Uashingtoni dhe Teherani po afroheshin drejt një marrëveshjeje. Sot, pyetja është nëse bisedimet mund t’i mbijetojnë krizës në Liban. Çfarë ka ndryshuar dhe sa duhet të shqetësohemi se diplomacia po rrëshqet drejt dështimit?
Kirsten Fontenrose: Në fakt, mendoj se zhvillimet e kësaj fundjave janë një shenjë se diplomacia është ende shumë e gjallë. Pamë zhvillime në dy fronte të ndryshme. Së pari, është çështja e Libanit. Izraeli po avanconte më thellë në jug të Libanit se më parë dhe po merrte nën kontroll territor që e kishte mbajtur dikur midis viteve 1992 dhe 2000, kur për herë të parë e dëboi Hezbollahun nga ajo kështjellë e epokës së kryqëzatave, të cilën Hezbollahu e përdorte për ta sulmuar Izraelin.
Më pas pamë presidentin Donald Trump t’i kërkonte Izraelit të mos hynte në Bejrut, sepse ekziston shqetësimi në frontin diplomatik se mbajtja nga Izraeli e një pjese të territoreve që ka rimarrë nën kontroll do t’i ndalte negociatat dhe do ta eliminonte mundësinë për paqe. Presidenti Trump në esencë ka thënë: ‘Ju lutem, mos hyni në Bejrut. Ka shumë njerëz atje që nuk duam t’i humbasim. Ne nuk po përpiqemi të frikësojmë popullin libanez. Kjo është mes Izraelit dhe Hezbollahut, jo mes Izraelit dhe popullit libanez, jo me banorët e Bejrutit. Dahieh është një lagje e vogël. Le ta trajtojmë këtë në një mënyrë tjetër’. Kjo nënkupton se diplomacia është ende gjallë. Nuk do të thotë se gjithçka është zgjidhur, por të paktën tregon se diskutimet po ndodhin.
Ndryshimi tjetër ishte se presidenti Trump mbajti një takim në Shtëpinë e Bardhë më 29 maj për të diskutuar draft-kornizën që po qarkullon. Shumë kundërshtarë të këtij drafti ishin të interesuar të shihnin se çfarë do të dilte nga ai takim dhe ajo që doli prej tij ishte në thelb mungesa e një vendimi. Më 31 maj, pas atij takimi, presidenti Trump u dërgoi ndërmjetësve një listë kërkesash për një kornizë për memorandum mirëkuptimi, që t’ia përcillnin Iranit. Nga sa kuptohet, ky version është disi më i rreptë. Kërkesat janë bërë më të vështira. Presidenti Trump ngriti disa pyetje të vështira gjatë takimit. Për shembull, ai vuri në dyshim formulimet e paqarta që lidhen me programin bërthamor. Nëse Irani pranon të eksportojë ose të hollojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, çfarë ndodh nëse sanksionet lehtësohen ose bllokada hiqet dhe të ardhurat rifillojnë? Çfarë e pengon Iranin që thjesht të blejë një armë bërthamore nga një shtet tjetër?
Disa nga ne që ndjekim çështjet bërthamore mendojnë për vende si Koreja e Veriut, Kina apo edhe Pakistani, varësisht nga rrethanat globale. Për këtë arsye, ekipi punoi për ta bërë gjuhën e dokumentit më të saktë dhe më të fortë. Tani, në projektin amerikan ka më shumë hollësi lidhur me vendin dhe mënyrën se si do të eksportohej uraniumi i pasuruar, si dhe më shumë detaje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Nga sa kuptohet, bëhet fjalë më shumë për një strukturë të llojit shpërblim për veprim. Irani nuk do të marrë mbështetjen ekonomike që po kërkon përpara se të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar.
Ata që e kanë ndjekur Iranin për një kohë të gjatë e këshilluan presidentin se sapo Teherani ta marrë këtë mbështetje ekonomike – sapo të largohen sanksionet ose bllokada – ai nuk do të bëjë më lëshime për çështje të tjera. Nuk do të shihni lëshime lidhur me programin bërthamor, programin e raketave apo mbështetjen për grupe si Hezbollahu, Hamasi, Huthët apo milicitë në Irak. Presidenti i dëgjoi këto shqetësime. Prandaj, tani po shohim që pala amerikane po thotë se nuk është e gatshme ta ndajë plotësisht çështjen e bllokadës dhe të rikthejë rrjedhën e të ardhurave pa garanci për kornizën e negociatave që do të pasojnë. Për shembull, mund të mos jetë e mjaftueshme që thjesht të rifillojnë bisedimet për çështjen bërthamore pas 30 ditësh. Mund të nevojiten rezultate konkrete dhe e gjithë kjo varet nga përgjigja e Teheranit.
Ne nuk e dimë se kur mund të pritet ajo përgjigje, sepse nga sa kupton Uashingtoni, pjesët e mbetura të regjimit iranian janë të vështira për t’u kontaktuar. Ata po tregohen shumë të kujdesshëm që të mos zbulojnë vendndodhjen e tyre. Po fshihen në bunkerë dhe nuk mund të mbështeten te teknologjia për të dërguar draft-marrëveshje apo mesazhe. Mund të kalojë një javë para se të vijë një përgjigje dhe më pas Uashingtoni do të duhet të përcaktojë nëse ajo përgjigje ka ardhur nga dikush që vërtet ka autoritet.
Radio Evropa e Lirë: Irani po argumenton se ajo që ndodh në Liban ndikon në aftësinë e tij për të negociuar me Uashingtonin. A po krijon Teherani një levë të re ndikimi për veten? A mund t’i trajtojnë ende negociatorët amerikanë këto kriza si çështje të ndara, apo kjo tashmë është bërë e pamundur?
Kirsten Fontenrose: Po prekni një pikë vërtet shumë të rëndësishme, sepse pikërisht këtë po përpiqet t bëjë Teherani. Nëse ju jeni Teherani, kjo është e kuptueshme. Së pari, krijon përçarje mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, që është një nga objektivat tuaja. Së dyti, i jep një litar shpëtimi Hezbollahut, i cili është grupi më i rëndësishëm në rrjetin e organizatave që sponsorizohen nga Teherani. Për momentin, për shkak se Irani nuk është në gjendje ta furnizojë sërish Hezbollahun, ky grup ndodhet në një pikë shumë të dobët.
Izraeli po argumenton se ky është momenti për t’i përfunduar operacionet e tij ushtarake dhe për t’ia zhdukur Hezbollahut aftësinë për të paraqitur kërcënim terrorist. Teherani nuk dëshiron që kjo të ndodhë sepse investimi i tij më i madh do të shkatërrohej. Hezbollahu nuk është vetëm mjeti më i fuqishëm i Iranit kundër Izraelit, ai është gjithashtu një lloj qendre trajnimi. Është grupi që Teherani e dërgon në vende të ndryshme të botës – qoftë në rajon apo në Amerikën Latine – për të trajnuar operativë të tjerë dhe për të kryer veprimtari që i lejojnë Iranit të mbajë duart e veta të pastra.
Nëse Irani e humb Hezbollahun, ai humb një mekanizëm të rëndësishëm për përhapjen e ndikimit dhe për aktivitete destabilizuese në nivel global. Prandaj, Teherani dëshiron shumë t’i lidhë këto çështje, sepse e di që presidenti Trump dëshiron një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Iranin. Teherani nuk beson se mund ta bindë atë të ndalë operacionet izraelite në Liban, përveç nëse këto dy procese lidhen me njëra-tjetrën. Pikërisht këtë po përpiqet ta bëjë Irani. Ndërkaq, Izraeli po përpiqet me çdo kusht ta pengojë këtë. Në Uashington, ky është subjekt i një debati shumë intensiv.
Radio Evropa e Lirë: Përpara një rundi të ri diplomatik, raportimet sugjerojnë se Hezbollahu mund të jetë i gatshëm t’i ndalë sulmet në mënyrë reciproke. A mund të krijojë kjo hapësirë të re diplomatike apo mungesa e besimit është tashmë shumë e madhe?
Kirsten Fontenrose: Mungesa e besimit është jashtëzakonisht e madhe. Megjithatë, çdo gjë që krijon hapësirë diplomatike është e mirëpritur. Sfida është se bisedimet mes Izraelit dhe Libanit nuk janë bisedime me Hezbollahun. Armëpushimi mes qeverive të Izraelit dhe Libanit nuk e përfshin Hezbollahun.
Sinqerisht, Hezbollahu nuk ka një vend në këto bisedime mes qeverive. Prandaj, Hezbollahu duhet të ofrojë diçka ose rrezikon të mbetet plotësisht jashtë procesit. Përndryshe, komuniteti ndërkombëtar do të ushtrojë presion mbi Qeverinë libaneze për ta frenuar Hezbollahun.
Grupi duhet ta bëjë veten të rëndësishëm duke thënë: ‘Do të ofrojmë diçka’ ose ‘do të prishim diçka’, sepse ndryshe nuk ka zë në tryezën e negociatave. Ai është një qeveri.
Radio Evropa e Lirë: A po bëhet Izraeli pika vendimtare nëse këto bisedime përfundojnë me sukses apo dështojnë? A ka ai në, në esencë, një veto mbi procesin?
Kirsten Fontenrose: Izraeli ka fjalën e vet thjesht sepse nuk është pjesë e SHBA-s[. Çfarëdo që Uashingtoni të bjerë dakord, Izraeli nuk është i detyruar automatikisht ta pranojë. Megjithatë, shumica e analistëve besojnë se Izraeli do të shmangte që hapur të kundërshtonte SHBA-në sepse nuk do të donte që ta dëmtonte këtë raport.
Në të njëjtën kohë, Qeveria izraelite ka thënë vazhdimisht se Izraeli nuk mund të vendoset në një situatë ku pritet të përballojë sulme pa pasur aftësinë për t’u përgjigjur. Kjo, sipas saj, do ta bënte një objektiv të pambrojtur. Mendoj se ekziston një pikë në të cilën Izraeli mund të thotë: ‘Në rregull, president Trump, ju na kërkuat të mos hyjmë në Bejrut dhe ne nuk do ta bëjmë. Ju dëshironi një armëpushim ndërsa vazhdojnë bisedimet dhe ne do ta respektojmë atë’. Por, nëse Izraeli vazhdon të përballet me sulme nga Hezbollahu apo të tjerë – edh teksa SHBA-ja po synon një armëpushim – unë besoj se Izraeli do të vepronte.
Radio Evropa e Lirë: Kemi parë pengim të raketave, sulme ndaj anijeve dhe akuza për shkelje të armëpushimit. Sa i brishtë është aktualisht armëpushimi?
Kirsten Fontenrose: E di që tingëllon kundërproduktive, por mendoj se fakti që të gjitha palët vazhdojnë t’i përshkruajnë këto incidente si shkelje të armëpushimit – në vend që të thonë se armëpushimi ka vdekur – është një sinjal i mirë. Kjo sugjeron se të gjitha palët duan ta mbajnë të kufizuar përshkallëzimin. Nuk po kërkojnë një konflikt më të gjerë.
Sipas përkufizimeve tradicionale, disa nga këto veprime nuk janë në përputhje me një armëpushim. Por, për sa kohë që asnjëra nga palët nuk reagon në mënyrë vërtet përshkallëzuese dhe të gjithë vazhdojnë të pretendojnë se armëpushimi është ende në fuqi, kjo në vetvete është një tregues pozitiv për drejtimin ku ata duan të shkojnë.
Radio Evropa e Lirë: Kur negociatat duken se janë afër një marrëveshjeje, shpesh tensionet rriten. A po i shohim të dyja palët duke maksimalizuar levat e tyre të ndikimit para një marrëveshjeje, apo është diçka më e rrezikshme?
Kirsten Fontenrose: Mendoj se është pikërisht ajo që përshkruat. Këtë e kemi parë në këto negociata dhe në shumë të tjera. Çdo negociator i mirë përpiqet ta maksimizojë levën e tij, dhe në këtë rast të gjitha palët janë negociatorë të fortë. Secila palë e shijon procesin e negociatave.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare ekziston një e vërtetë se pala që është më e gatshme për të bërë një marrëveshje shpesh ka më shumë avantazh, sepse beson se marrëveshja do të jetë e favorshme. Sfida është të bindet pala tjetër.
Pala iraniane po përpiqet të shfrytëzojë dobësitë e SHBA-së, përfshirë presionin e brendshëm politik dhe shqetësimet për çështje si çmimet e naftës. Ata po zhvillojnë operacione psikologjike me synim amplifikimin e këtyre shqetësimeve te publiku amerikan.
Në anën tjetër, SHBA-ja e kupton se dobësia e Iranit është situata e tij ekonomike. Për këtë arsye po shihni një bllokadë detare që mund të mbetet në fuqi për muaj të tërë pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake. Ajo synon të pengojë Iranin të fitojë të ardhura nga eksporti i naftës sepse Uashingtoni e di sa shumë ka nevojë Teherani për ato para.
Të dyja palët po përpiqen të maksimalizojnë levën e tyre të ndikimit duke goditur dobësitë e njëra-tjetrës. Aktualisht, po zhvillohet një garë për të parë se kush arrin ta shtyjë tjetrin deri në dëshpërim.
Radio Evropa e Lirë: Irani ka kërcënuar se mund të aktivizojë fronte të tjera, përfshirë rreth boshteve kyç detare si Ngushtica e Bab el-Mandebit. Sa duhet të shqetësohen politikanët se kjo krizë mund të zgjerohet përtej Libanit?
Kirsten Fontenrose: Sinqerisht, jam e habitur që kjo nuk ka ndodhur tashmë. Kushdo që po fillon të shqetësohet vetëm tani, nuk e ka ndjekur situatën me kujdes. Fakti që Huthët nuk janë përfshirë më fuqishëm më sugjeron se ata nuk janë të bindur që Irani do të dalë fitues. Në të njëjtën kohë, ata kanë qenë duke rindërtuar në heshtje rezervat, duke prodhuar dronë, duke qëndruar nën radar dhe duke mbajtur një front relativisht të ftohtë me Arabinë Saudite. Ata mund të jenë duke u përgatitur për skenarë të ardhshëm.
Nëse ata ndjekin udhëzimet e Teheranit është një çështje tjetër. Ata mund të vendosin që përfshirja nuk i shërben objektivave të tyre të brendshme politike dhe se do të sillte vetëm presion nga Arabia Saudite, SHBA-ja dhe vendet perëndimore.
Irani mund të aktivizojë gjithashtu milicitë në Irak ose potencialisht celula të heshtura gjetkë, përfshirë në Amerikën Latine. Kërcënimi asimetrik global i Iranit mbetet i fuqishëm, sepse është e pamundur të dëshmohet se celulat nuk ekzistojnë.
Nëse ju jeni Irani dhe pjesa më e madhe e kapaciteteve tuaja ushtarake konvencionale janë degraduar, përdorimi i kartës së kërcënimit asimetrik është i fuqishëm, sepse e detyron botën të qëndrojë në gatishmëri kudo dhe gjatë gjithë kohës, edhe nëse në realitet pas këtij kërcënimi mund të mos ketë veprime konkrete.
Radio Evropa e Lirë:Shtetet e Gjirit kanë një interes të madh për të parandaluar një luftë më të gjerë rajonale. Çfarë roli po luajnë ato prapa skenave dhe a mund të ndihmojnë në shpëtimin e përpjekjeve diplomatike?
Kirsten Fontenrose: Mund ta bëjnë. Ajo që është interesante është se ato po përdorin pothuajse mjete nga të dyja manualet, ai iranian dhe amerikan. Kjo do të thotë se ato i kuptojnë të dyja palët më mirë sesa Uashingtoni dhe Teherani e kuptojnë njëri-tjetrin.
Disa shtete të Gjirit po i dënojnë veprimet iraniane dhe në disa raste po marrin pjesë në sulme kundër kapaciteteve sulmuese të Iranit. Në të njëjtën kohë, ato po inkurajojnë diskutime për një marrëveshje që do të adresonte raketat me rreze të shkurtër që i kërcënojnë.
Dhe, siç e dini shumë mirë, shtetet e Gjirit nuk janë një bllok i njëtrajtshëm. Secili vend ka interesa të ndryshme. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përballuar pjesën më të madhe të presionit iranian, sepse kanë rrugë alternative eksporti. Irani mund të besojë se duhet t’i godasë më fort Emiratet për të shkaktuar dëm real ekonomik. Katari, Bahrejni dhe Kuvajti janë më të varur nga qasja përmes ngushticës, kështu që Irani mund t’i dëmtojë thjesht duke e mbyllur atë.
Irani po ashtu dëshiron të shmangë provokimin e një përgjigjeje ushtarake në shkallë të gjerë nga Arabia Saudite, pasi Arabia Saudite ka kapacitete të konsiderueshme ushtarake dhe përfaqëson një fuqi të madhe rajonale. Omani zë një pozicion tjetër. Teherani është përpjekur ta afrojë Muskatin duke argumentuar se bashkëpunimi do t’i sillte përfitime ekonomike Omanit. Në të njëjtën kohë, Omani nuk dëshiron të prishë marrëdhëniet as me Iranin dhe as me Shtetet e Bashkuara. Prandaj, çdo shtet i Gjirit po ndjek strategjinë e vet, qoftë përmes ndërmjetësimit, pjesëmarrjes ushtarake, qëndrueshmërisë ekonomike apo presionit diplomatik.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do t’ju bindte se diplomacia po fiton momentum, në vend që të rrëshqasë drejt një konflikti më të gjerë rajonal?
Kirsten Fontenrose: Do të vëzhgoj nëse Irani pranon një formulim në një memorandum mirëkuptimi që jo vetëm të thotë se do të asgjësojë uraniumin e pasuruar, por edhe se nuk do të kërkojë të ketë një armë bërthamore nga diku tjetër. Kjo do të na tregonte nëse pretendimet e Teheranit se ambiciet e tij bërthamore janë vetëm civile janë të vërteta, qoftë edhe pjesërisht.
Do të vëzhgoj gjithashtu nëse bllokada detare bëhet pjesë e një marrëveshjeje që do të zbatohej hap pas hapi. Për shembull, nëse Irani redukton rezervat e tij në një masë të caktuar, bllokada lehtësohet proporcionalisht. Detajet kanë rëndësi. Nëse Irani ofron lëshime në çështjet bërthamore, të raketave apo dronëve, mund të ndodhë që pjesë të bllokadës të hiqen. Në atë rast, regjimi do të kishte një shans të vogël për mbijetesë.
Në fund, gjithçka lidhet me kohën dhe renditjen. Tri gjëra mund të ndodhin – lehtësimi i sanksioneve, heqja e bllokadës dhe negociatat bërthamore – por, renditja e tyre ka më shumë rëndësi sesa vetë ngjarjet.
Nëse sanksionet hiqen dhe bllokada largohet përpara se të zgjidhen çështjet bërthamore, atëherë Irani në thelb fiton, sepse rimerr ekonominë e tij dhe ka pak nxitje për të negociuar. Nëse çështjet bërthamore trajtohen së pari, e më pas lehtësohet bllokada dhe bëhet lehtësimi i sanksioneve, atëherë kemi një marrëveshje ku Shtetet e Bashkuara arrijnë objektivin e tyre për të parandaluar një armë bërthamore iraniane, ndërsa Irani rimerr pjesërisht ekonominë e tij. Gjithçka varet nga renditja.