Ndërlidhjet

Bizneset humbin miliona euro nga mosliberalizimi i vizave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Sylejman Konushevci është i detyruar të punësojë shoferë nga vendet tjera, pasi ata nga Kosova nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Kompania e Konushevcit, Inter Company, merret me prodhimin e vajit ushqimor Flori dhe Bilur. Ai tregon se për shkak të kushteve jo të favorshme të të bërit biznes në tregun kosovar është obliguar të shpërngulë një degë të kompanisë edhe në Bullgari.

Pamundësia për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së e ka detyruar atë që të largojë nga puna qytetarë nga Kosova dhe të punësojë qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe nga rajoni.

“Të gjithë shoferët që kemi për transport ndërkombëtar i kemi nga shteti i Maqedonisë dhe Bullgarisë, kurse maunet i kemi të regjistruara në Kosovë. Pra, për shkak të mungesës se liberalizimit detyrohemi të punësojmë qytetarë nga vende të ndryshme, që kanë mundësi të lëvizin pa viza”, thotë Konushevci.

Sipas afaristëve kosovarë, pamundësia për të qarkulluar pa viza në vendet e Bashkimit Evropian po ndikon në pamundësinë e krijimit të lidhjeve të reja më partnerët e mundshëm që mund të kenë marrëdhënie tregtare.

Edhe kompania tjetër Frutex nga Suhareka, një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike në Kosovë, është duke eksportuar në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Pronari i saj, Shaqir Palushi, tregon për Radion Evropa e Lirë se stafi i kompanisë, jo gjithmonë apo në kohën e duhur mund të pajisen me viza për të udhëtuar në shtete ku ka ndonjë panair apo takim me përfaqësues të kompanive që eksportojnë produkte.

Shaqiri thotë se kjo ndikon në moskrijimin e partnerëve të rinj apo edhe humbjen e partnerëve aktualë.

“Në shumë raste ndodh që ose refuzohen vizat ose ka ndodhur që vizat janë lëshuar për një periudhë pesë ditore. Po ashtu, edhe pritjet nëpër ambasada zgjasin shumë, por edhe e rrisin koston e shpenzimeve sepse çdo aplikim për vizë e ka edhe një kosto”, thotë shprehet Palushi.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq thonë se mbi 50 milionë euro në vit humbin bizneset nga mosliberalizimi i vizave.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë shprehet se në pamundësi të lëvizjes se lirë, prodhuesit nga Kosova nuk po arrijnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre afariste në tregun evropian.

Sipas tij, ata po ashtu nuk kanë mundësi për promovimin e produkteve “Made in Kosova” në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Bizneset e Kosovës kanë humbje të mëdha edhe pse nuk mund të qarkullojnë vet lirshëm në Evropë, por edhe pse mallrat e tyre janë shumë të kufizuara të qarkullojnë në Evropë. Mosliberalizimi i vizave ndikon në bizneset e Kosovës që në vit të humbnin mbi 50 milionë euro”, thotë Shahini.

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit janë kushtet e fundit që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

XS
SM
MD
LG