Ndërlidhjet

Rruga e ngadalshme e Kosovës drejt BE-së


Flamuri i Bashkimit Evropian dhe ai i Kosovës, foto nga arkivi
Flamuri i Bashkimit Evropian dhe ai i Kosovës, foto nga arkivi

Perspektiva evropiane dhe procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, në vazhdimësi mbetet pjesë e diskursit të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, si edhe të zyrtarëve të vetë BE-së, por dinamika e këtij procesi ende nuk i ka përmbushur zotimet e të dyja palëve lidhur me këtë proces, vlerësojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe opozitës.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, të cilat u mbajtën në Kosovë, ku vëmendja e partive politike ka qenë tek agjendat elektorale, tashmë pritet një përqendrim më i madh i institucioneve të Kosovë për një dinamikë më të shtuar të procesit të integrimeve. Sipas saj, legjislatura e tashme duhet të punojë shumë që Kosova të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ligjet, të cilat kërkohen, si dhe ndryshimet ligjore, të jenë në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, por gjithsesi të jenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe të kapshme për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, sapo është formuar komisioni i Kuvendit, që do të merret me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si njëra prej marrëveshjeve të para kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Grupet parlamentare kanë vendosur për deputetët që do të jenë, në njëfarë forme, gjatë gjithë kohës që ta monitorojnë këtë proces dhe do të shohim se ku janë sfidat dhe çka po bëjnë institucionet që t’i përmbushin ato kritere që i parasheh kjo marrëveshje”, tha Deliu-Kodra.

Anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Ilir Deda, deputet opozitar nga Alternativa, e cila është pjesë e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që Kosovës i është premtuar perspektiva evropiane, dhe kjo shfrytëzohet nga Bashkimi Evropian që të evitohet komplikimi nga mosnjohja e shteteve të BE-së. Por, sipas tij, lidershipi i Kosovës nuk e kupton se çfarë nënkupton perspektiva evropiane dhe Kosova çalon në dinamikën që kërkon rruga për integrimet evropiane.

Ajo ku Kosova çalon, është zbatimi i obligimeve, të cilat i kemi marrë në këtë proces. Kjo e bën Kosovën më pak kredibile karshi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të BE-së, sepse ne nuk po i përmbushim detyrat, të cilat i kemi marrë. Për shembull, konkretisht, sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila është një e arritur e madhe, Kosova i ka përmbushur vetëm 55 për qind të obligimeve, deri tash. Kjo tregon se shteti ynë nuk është i përkushtuar nëpër rrugëtimin e integrimit evropian”, thotë Deda.

Megjithatë, deputetja Deliu-Kodra, shpreh mendimin se Qeveria e tanishme e Kosovës, është mjaft e përkushtuar që të punojë mjaft për dinamizmin e procesit të integrimeve evropiane, për të cilat integrime, siç thotë ajo, Kosova ka konsensus nacional.

Ajo që duhet të thuhet është se ministrja e Integrimeve Evropiane (Dhurata Hoxha) po tregon një përkushtim të saj. Ka pasur dy vizita të fundit në Bruksel. Së fundi, dje, është takuar me komisionarin Hahn, gjë që në njëfarë forme po e tregon përkushtimin e kësaj Qeverie që agjenda e integrimit evropian të jetë agjendë parësore e institucioneve të Kosovës dhe që ne të punojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës të lëvizin lirshëm, sepse Kosova është një prej shteteve, që qytetarët e saj nuk e kanë të sigurt lirinë e lëvizjes”.

Por, deputeti Deda shpreh mendimin se nuk ka sinjale që ekzekutivi aktual është i përkushtuar ndaj procesit të integrimeve evropiane. Sipas tij, një gjë e tillë është e dukshme edhe për shkak të mënyrës se si janë ndarë mjetet nga buxheti i Kosovës.

Më shumë po del të jetë buxhet për financim të strukturave korruptive dhe buxhet për zhvillim dhe për realizimin e kërkesave nga ana e BE-së. Institucionet e Kosovës e kanë të qartë se cilat janë ato hapa, vendime dhe veprime, të cilat duhet të ndërmerren, që në pranverën e vitit 2018, pasi që të bëhet raporti i ri për Kosovën, të dalë që Kosova është e përkushtuar. Por, ne nuk jemi atje, për shkak të mungesës së dijes dhe të kuptimit të bartësve institucionalë se çka në të vërtetë do të thotë reforma e kërkuar nga ana e BE-së”.

Deda shton se në rast se Kosova edhe më tej nuk tregon lidership në procesin e integrimeve evropiane, atëherë Bashkimi Evropian do të shpikë mekanizma apo dokumente të ndryshme, të cilat do ta bëjnë Kosovën të vendnumërojë në këtë proces.

Megjithatë, sipas tij, një gjë e tillë nuk është problem i burokracisë të BE-së në Bruksel, por mungesë e ndjesisë së politikanëve në Kosovë, që t’i kuptojnë drejt kërkesat e BE-së, zbatimi i të cilave do ta dinamizonte procesin e integrimeve evropiane të vendit.

XS
SM
MD
LG