Ndërlidhjet

Biznesmeni turk i kërkuar në Turqi gjeti strehim në Kosovë   


Sedat Peker (në qendër) gjatë një vizite në qytetin e Prizrenit.
Sedat Peker (në qendër) gjatë një vizite në qytetin e Prizrenit.

Biznesmeni kontrovers turk, Sedat Peker i cili në Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve mafioze’ që nga vitet e 90-ta, në dy vjetët e fundit ka gjetur strehim në Kosovë dhe vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Peker e ka një leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, e së fundmi, ai është pajisur edhe me një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, me identitet të rremë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, disa herë është takuar me disa zyrtarë nga Kosova.

Kush është Sedat Peker?

Në një shkrim të publikuar në muajin shkurt të vitit 2019, organizata Nordic Monitor e përshkruan Pekerin si personin më të fuqishëm të mafias turke. Nordic Monitor është një faqe lajmesh në internet dhe faqe përcjellëse, që drejtohet nga Rrjeti Nordik i Kërkimeve dhe Monitorimit me qendër në Stokholm. Kjo media mbulon lëvizjet ekstremiste fetare, ideologjike e etnike dhe grupet radikale, me një fokus të veçantë në Turqi.

Në vitin 1997, Peker u akuza për një vrasje që bëri që ai të largohej drejt Rumanisë, por pak muaj më vonë, një gjykata në Turqi e shpalli të pafajshëm.

Siç raporton BBC në gjuhën turke, një hetim i nisur kundër krimit të organizuar në fillim të viteve 2000, çoi në arrestimin e Pekerit pesë vjet më vonë.

Në fund të procesit gjyqësor, Peker u dënua me 14 vjet burgim për veprën penale “Formimi i një grupi të armatosur terrorist”, por dënimi iu reduktua dhe ai u lirua në vitin në vitin 2014.

Raportimet mediale thonë se Peker në të kaluarën kishte raporte të afërta me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Por, së fundmi situata ka ndryshuar pasi Peker dhe grupi i tij kriminal po ndiqen nga autoritetet e Turqisë për veprimtari të ndryshme kriminale.

Kjo e ka shtyrë atë që të largohet nga shteti dhe të kërkojë strehim në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Iku nga Turqia dhe u strehua në Kosovë

Pas largimit nga Turqia, në dy vjetët e fundit, Peker gjeti strehim herë në Mal të Zi, herë në Shqipëri, herë në Maqedoni të Veriut e pjesërisht edhe në Kosovë, ku ende ka një leje të përkohshme qëndrimi me të cilën u pajis në vitin 2014.

Leja e tij e qëndrimit është valide deri më 29 dhjetor, 2021.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh.

Mediat në Maqedoni të Veriut kishin raportuar se Peker ishte arrestuar të njëjtën ditë për shkak të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe se ai ishte deportuar për në Kosovë.

Aktualisht Peker është në arrati dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

E kaluara kriminale s’i pengoi politikanët që ta takojnë

E kaluara kriminale nuk ishte pengesë për disa politikanë nga Kosova që të takojnë biznesmenin turk, Peker.

Fikrim Damka, udhëheqës i Partisë Demokratike Turke në Kosovës, tani ministër i Zhvillimit Rajonal, në të kaluarën ka pasur disa takime me Sedat Pekerin. Në internet gjenden disa fotografi në të cilat Peker shihet i shoqëruar nga ministri Damka.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur ministrin Damka se në çfarë cilësie i ka zhvilluar takimet me Pekerin. Damka po ashtu është pyetur nëse ka pasur takime të tjera në muajt apo vitet pasues. Ministri Damka nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike e as nuk është përgjigjur në mesazhet e dërguara.

Në njërin nga takimet që u zhvillua mes Pekerit dhe Damkës, i pranishëm ka qenë asokohe edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Yildiray Bayram, që po ashtu është pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë.

Në vitin 2019, Peker ka vizituar edhe Komunën e Mamushës, komunë kjo që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit turk. Aty është pritur zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Abdylhadi Krasniç.

Krasniç ka pranuar të flasë për këtë takim, duke thënë se nuk kishte njohuri se kush ishte mysafiri që e priste në zyrën e tij.

“Një herë ka qenë një takim, ka qenë përmes disa shokëve. Një shok i yni që jeton tash në Turqi ka qenë këtu dhe tha po dëshiron të ju vizitojë, thash në rregull. Një herë ka qenë në Mamushë dhe kaq”, tha Krasniç.

Krasniç insiston se Peker kishte kërkuar takim me të vetëm si biznesmen dhe mohon çdo mundësi të jenë takuar sërish.

Gjatë një vizite tjetër në Kosovë, Peker, kishte takuar edhe kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Pas reagimeve dhe interesimit të mediave, Komuna e Hanit të Elezit fshiu nga ueb-faqja dhe rrjetet sociale njoftimin e takimit.

Në një reagim të tij, Suma kishte mohuar të ketë njohur apo pasur informacione për Sedat Pekerin para se ta takonte.

Njëjtë si Komuna e Hanit të Elezit edhe Komuna e Mamushës si dhe personat e përmendur në këtë tekst, kanë fshirë njoftimet dhe fotografitë e takimeve me Sedat Pekerin.

Në Turqi iu arrestuan bashkëpunëtorët

Të premten, më 9 prill, 2021, autoritetet e Turqisë realizuan një operacion të gjerë në të cilin u bastisën më shumë se 120 lokacione.

Gjatë aksionit u arrestuan rreth 60 persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Sedat Pekeri, i cili ndodhet në arrati.

Policia turke bastisi edhe shtëpinë e Pekerit, ku jeton gruaja dhe fëmijët e tij.

Më 12 prill, 2021, REL i ka shkruar gruas së Pekerit, Özge Peker për të pyetur nëse di vendndodhje e burrit të saj dhe për faktin se a vazhdojnë të kenë biznese aktive në Kosovë, mirëpo kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Peker dyshohet se mori pasaportë të Maqedonisë së Veriut

Më datë 7 prill, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar nëntë zyrtarë policorë, të cilët dyshohet se kanë pajisur me pasaporta false pjesëtarët e një grupi kriminal, të përfshirë në kontrabandë me drogë dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, këta zyrtarë policorë kishin pajisur me pasaporta false 215 persona, 214 prej të cilëve shtetas të huaj.

Në mesin e atyre që kanë marrë pasaportë maqedonase, sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, është edhe Sedat Peker.

Sipas MPB-së në Maqedoni të Veriut, Peker ishte pajisur me një pasaportë me identitet të rremë të një qytetari nga Shkupi me emrin Djadin Ademovski.

Në Kosovë nuk japin informacione

Pas operacionit të zhvilluar në Maqedoni të Veriut, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione për Sedat Pekerin në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Prokurorinë e Shtetit si dhe Policinë e Kosovës.

Por, marrja e përgjigjeve është e vështirë.

Radio Evropa e Lirë, më 12 prill, 2021, ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës disa pyetje sa i takon mënyrës së pajisjes me leje të përkohshme të qëndrimit, evidencat e hyrje-daljeve në territorin e Kosovës si dhe faktin nëse Peker po hetohet nga institucionet e Kosovës.

MPB-ja është pyetur gjithashtu nëse autoritetet e Maqedonisë së Veriut apo Turqisë kanë kërkuar bashkëpunim me Kosovën për të identifikuar vendndodhjen e Pekerit.

Ky institucion deri më tani nuk është përgjigjur.

Njëjtë ka vepruar edhe Prokuroria e Shtetit.

Në një përgjigje të shkurtër ka dhënë Policia e Kosovës. Ky institucion, më 13 prill, 2021, ka thënë se nuk mund të ndajë informacione për hyrje-daljet e Sedat Pekerit, pasi kjo sipas tyre, kjo bie ndesh me Ligjin e të dhënave personale.

“Bazuar në Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe në Sistemin e Menaxhimit Kufitare i cili përmban të dhëna të klasifikuara, ne nuk mund të japim informacione të tilla që janë të mbrojtura me ligj, me përjashtim kur këto i kërkon organi kompetent, i cili udhëheq ndonjë procedurë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Por, pavarësisht se këto institucione nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, Ministria e Punëve të Brendshme kishte folur për Sedat Pekerin në muajin janar të këtij viti.

Asokohe, Peker ishte arrestuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pasi kishte shkelur rregullat e qëndrimit.

Siç ishte raportuar, Peker kishte refuzuar që të deportohej në Turqi me arsyetimin se atje rrezikonte të përballej me torturë çnjerëzore.

Siç kanë raportuar mediat në Maqedoni të Veriut, më kërkesë të tij, Peker është deportuar në Kosovë.

Asokohe u raportua se Sedat Peker kishte shtetësi të Kosovës, gjë që u mohua nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në muajin janar të këtij viti, përmes një reagimi, MPB-ja sqaroi se Sedat Peker nuk kishte nënshtetësi të Kosovës, por konfirmoi se ai ka një leje qëndrim të përkohshëm, me të cilën ishte pajisur në vitin 2014.

“Ministria e Punëve të Brendshme mund të konfirmoj se personi në fjalë nuk posedon pasaportë kosovare, siç është raportuar, por i njëjti posedon vetëm leje qëndrimi të përkohshëm, në emër të një biznesi të regjistruar në Prizren, nga viti 2014 dhe të vlefshëm deri më 29/12/2021”, thuhej në njoftimin MPB-së të datës 20 janar, 2021.

Në mungesë të përgjigjeve zyrtare nga institucionet kosovare, Radio Evropa e Lirë ka provuar që të identifikojë biznesin e Sedat Peker të cilin MPB-ja e përmend si justifikim për marrjen e lejes së përkohshme të qëndrimit.

Përkundër shumë përpjekjeve, asnjë biznes nuk është gjetur se ekziston në Kosovë, e që është i regjistruar në emrin e biznesmenit kontrovers turk.

Pas operacionit të autoriteteve të sundimit të ligjit në Turqi kundër grupit të Sedat Peker, Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e Turqisë në Prishtinë nëse kanë kërkuar bashkëpunim për identifikim e vendndodhjes së Sedat Pekerit.

REL i ka sqaruar Ambasadës turke se sipas MPB-së së Kosovës, Peker ka leje qëndrim dhe besohet se ka një biznes të regjistruar.

“Ambasada nuk ka informacione për pyetjen tuaj”, ka qenë përgjigja e vetme.

Pekeri i rrjeteve sociale

Ndonëse ka një të kaluar kriminale, kjo nuk i ka penguar më shumë se dy milionë përdorues të rrjeteve sociale që të ndjekin aktivitetet e Sedat Pekerit.

Që nga lirimi i tij nga burgu në vitin 2014, Peker në vazhdimësi ka rritur numrin e ndjekësve.

Në profilin e tij në rrjetin social Instagram ai ka rreth 970 mijë ndjekës. Në Facebook rreth 1.6 milion si dhe në Twitter më shumë se 200 mijë ndjekës. Peker ka prezencë të papenguar edhe në Youtube, ku ka më shumë se 61 mijë ndjekës.

Llogaria e Sedat Peker në Instagram.
Llogaria e Sedat Peker në Instagram.

Në çdo platformë sociale ku ka prezencë, Pekeri publikon materiale, reagime si dhe fotografi nga aktivitetet dhe takimet e tij me personalitete të ndryshme.

Peker u bë shumë i njohur për një kërcënim që ai ua bëri akademikëve turq në vitin 2016 ku tha se: “Ne do të derdhim gjakun tuaj dhe do të notojmë në të!”.

Ky kërcënim lidhje me Deklaratën e Akademikëve për Paqe përmes së cilës 1,200 akademikë akuzuan qeverinë turke për kryerjen e operacioneve të ashpra në rajonin juglindor të Turqisë, rajon ky i banuar kryesisht me popullatë kurde.

Kjo deklaratë, asokohe kishte acaruar edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i cili përdori gjuhë fyese ndaj intelektualëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG