Ndërlidhjet

Blinken arrin në Kairo


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka arritur të mërkurën në Egjipt teksa vazhdon vizitën e tij në Lindje të Mesme, me qëllim të sigurimit të armëpushimit që u ka dhënë fund sulmeve ajrore 11 ditëshe në mes të Izraelit dhe militantëve palestinezë, më herët gjatë këtij muaji.

Egjipti ka luajtur rol në ndërmjetësimin e armëpushimit që ka nisur së zbatuari më 21 maj, pas luftimeve më të këqija në mes të Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës.

Blinken ka arritur në Kairo më 26 maj, pas ndalesës në Jerusalem dhe Ramallah. Ai pritet të vizitojë edhe Jordaninë.

“Egjipti ka luajtur rol të madh në ndërmjetësim të armëpushimit dhe Jordania ka ngritur zërin tash e sa kohë për paqe dhe stabilitet në rajon”, u ka thënë ai gazetarëve një ditë më parë.

Në Ramallah, diplomati amerikan ka thënë se Uashingtoni do të ndajë miliona dollarë ndihmë për palestinezët, si dhe ka bërë të ditura planet për të rihapur konsullatën amerikane në Jerusalem, e cila ka shërbyer si kanal diplomatik i SHBA-së për palestinezët.

Luftimet e fundit në mes të Izraelit dhe militantëve palestinezë kanë nisur më 10 maj pasi Hamasi, grup islamist që kontrollon Gazën, ka nisur të gjuajë raketa pas disa javëve të tensioneve izraelito-palestineze në Jerusalemin Lindor.

Sulmet më pas kanë nxitur sulmet ajrore hakmarrëse nga Izraeli.

Dhuna ka lënë të vdekur më shumë se 250 persona, kryesisht palestinezë.

XS
SM
MD
LG