Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që të pezullohet procesi i zgjedhjes së anëtarëve të bordit të Komisionit të Pavarur për Media dhe të Radio Televizionit të Kosovës, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se po tenton “të kapë” këto dy borde të pavarura.
Në një konferencë për media para Kuvendit të Kosovës, kreu i AGK-së, Xhemajl Rexha, shprehu shqetësim për procesin që po vazhdon.
“AGK dhe shoqëria civile kërkon që ky proces të pezullohet si i tillë për momentin dhe të rinisë kur të sigurohet që do të ketë një proces fer, transparent dhe me kohë të përshtatshme për përgatitje, si të deputetëve për t’i marrë në pyetje ata që duan të bëhen pjesë e këtyre dy bordeve, gjithashtu edhe e atyre që kanë garuar për të qenë pjesë e tyre”, tha ai.
Sipas Rexhës, LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti, po synon që ta përfundojë këtë proces javën e ardhshme, para 28 prillit, para një shpërndarjeje të mundshme të Kuvendit.
Një ditë më parë, Komisioni ad hoc për KPM-në vendosi që të shtyjë procesin përpara dhe sipas Rexhës, bëhet fjalë për mbi 70 kandidatë që kanë garuar për bordin e RTK-së dhe mbi 30 për KPM-në, që sipas tij, nuk u është dhënë koha e duhur që të përgatiten për intervista.
Ndërkaq, komisioni për bordin e RTK-së dështoi, në mungesë kuorumi.
“RTK-ja dhe KPM-ja në syrin e AGK-së dhe komunitetit të gazetarëve janë kruciale për lirinë e medias në Kosovë dhe ne dëshirojmë që më të mirë të ketë vonesë për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve sesa të ketë një proces, që tashmë është i kompromentuar, dhe që ka për synim, e shohim, një kapje politike të këtyre bordeve nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Rexha.
AGK shprehu shqetësim për kohën e kufizuar në 15 minuta për përgjigjen në pyetje të kandidatëve për KPM-në, për kohën e shkurtër të deputetëve për të shqyrtuar dosjen e kandidatëve, pasi tha se dosjet u janë dorëzuar të premten e kaluar.
Sipas Ligjit për transmetuesin publik të Kosovës, bordi i RTK-së ka 11 anëtarë, ndërkaq ai i KPM-së shtatë.
Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL, që ka monitoruar procesin, paraqiti disa nga mangësitë e procesit, që e vlerësoi si të komprometuar.
Sipas saj, është vendosur që të gjithë kandidatët të përjashtohen nga gara, nëse nuk kanë plotësuar dokumentacionin dhe pasi u është dhënë mundësia për t’i plotësuar, disave edhe pse nuk kanë pasur as dokumentet bazike, sikurse CV-ja, u është mundësuar të kalojnë tutje.
“Në këto raste, komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim duke favorizuar në mënyrë të hapur disa kandidatë dhe një nga ta është përjashtuar në mënyrë të kundërligjshme”, tha Demolli.
Duke folur për procesin e intervistimit, që zhvillohet sot dhe nesër, Demolli tha se praktikat e deritanishme kanë qenë që deputetët kanë përzgjedhur pyetje dhe për të gjithë kandidatët kanë qenë njësojë. Por, tani kjo ka ndryshuar dhe administrata e komisionit është udhëzuar që të përgatisë 20-30 pyetje nga të cilat secili kandidatë zgjedh tre, duke shtuar se edhe deputetët mund të bëjnë pyetje shtesë, gjë që nuk ka qenë në të kaluar. Përzgjedhja e pyetjeve nga kandidatët, sipas Demollit, bën që ata të mos trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Po ashtu, komisioni ka paraparë vetëm dy ditë për intervistim të 75 kandidatëve, pra 37 kandidatë në ditë dhe vetëm 15 minuta do të kenë kohë që të përgjigjen në intervistë”, tha ajo, duke argumentuar se kjo është kohë e pamjaftueshme.
Ndërkaq, këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, paraqiti ato që i cilësoi si karakteristika që mbështesin idenë se pushteti po synon “të kapë institucione të pavarura”.
Ajo argumentoi se kualiteti i kandidatëve është i ulët, pasi sipas Kusarit, profesionistët “nuk besojnë” se LVV-ja mund të zhvillojë një proces fer, transparent dhe të bazuar në merita.
“Pastaj kemi standarde të shumëfishta. Një kandidat favorizohet sepse qartazi, publikisht dihet që është pro LVV-së dhe dikush tjetër përjashtohet sepse dihet publikisht që anon nga opozita, ndonëse një gjë e tillë është e kundërligjshme”, tha Kusari.
Ajo pretendoi se disa deputetë të LVV-së madje janë takuar nëpër kafene me kandidatë për këto borde, duke e cilësuar si “të papranueshme”.
Kusari tha se nuk mund të ndalin këto veprime por, “ne jemi këtu për ta dokumentuar këtë kapje dhe për të ftuar LVV-në që të reflektojë edhe njëherë dhe t’i pezullojë këto procese sepse Kosova ka qenë kampione e lirisë së mediave në rajon, ne e kemi humbur këtë titull”, tha ajo.
Edhe për Gëzim Shalën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ndërhyrjet në institucionet e pavarura që rregullojnë lirinë e medias në Kosovë kanë ndikuar në rënien e lirisë së medias në Kosovë.
“KPM, si komision i pavarur dhe si rregullator i mediave, ka një rëndësi kruciale në fushën e lirisë së shprehjes dhe rolit të mediave në Kosovë. Së bashku me bordin e RTK-së janë si bazamente të demokracisë”, tha ai.
Viteve të fundit, në indekset për lirinë e medias, Kosova ka pësuar rënie. Në indeksin e Reporterëve pa Kufij më 2025, Kosova shënoi rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit për lirinë e shtypit.
Ky ishte viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.