Ndërlidhjet

Kryeministri Johnson me ofertë përfundimtare për Brexit-in


Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson. Fotografi nga arkivi.

Qeveria britanike ka prezantuar propozimet e saj drejtuar BE-së për procesin e Brexit-it, duke përfshirë planet e reja për çështjen e kufirit irlandez.

Sipas planit, Irlanda Veriore në thelb të qëndrojë në tregun e vetëm evropian për mallra, por do largohet nga bashkimi doganor.

Asambleja e Irlandës Veriore do të duhet të miratojë së pari marrëveshjen dhe të jetë në gjendje të votojë çdo katër vjet për të mbajtur rregullat.

Më herët, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se nuk duhet të ketë "asnjë dyshim" se alternativa e vetme, sa u perket propozimeve për Brexit-in, do të jetë edhe largimi pa marrëveshje.

Duke iu drejtuar konferencës së partisë së tij në Manchester, kryeministri tha se plani i tij do të ishte një "kompromis nga Britania e Madhe", por ai shpresonte se BE-ja "do ta kuptonte atë dhe do të bënte kompromisin nga ana e saj".

Komisioni Evropian tha se "do të shqyrtojë propozimet në mënyrë objektive".

Britania e Madhe duhet të largohet nga BE-ja më 31 tetor.

Gjatë fjalimit, kryeministri Johnson tha se një dalje pa marrëveshje nga BE-ja nuk është një rezultat të cilin po e kërkon qeveria britanike, mirëpo "është një rezultat për të cilin ne jemi gati".

Oferta më e re britanike për Bashkimin Evropian paraqet edhe mundësinë e fundit për arritjen e një ujdie, për daljen e Britanisë nga BE-ja me marrëveshje.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë më herët se oferta e tij është "përfundimtare" në përpjekjet për arritjen e një kompromisi "të drejtë dhe të arsyeshëm" për procesin e Brexit-it.

Kryeministri britanik iu drejtua konferencës së partisë konservatore përpara se të paraqesë propozimet e reja, të paracaktuara për të formuar tekstin ligjor të një marrëveshje të re të Brexit-it, me Brukselin.

Udhëheqësi i partisë Tory, James Cleverly, tha se Britania e Madhe ka qenë “fleksibile dhe pragmatike”, dhe tani BE-ja duhet të tregohet e tillë.

Në prag të fjalimit të tij, Johnson tha se shpresonte të arrinte një marrëveshje me BE-në gjatë "ditëve të ardhshme".

Qeveria britanike ka këmbëngulur se nuk do të negociojë një vonesë të mëtejshme për afatin e daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, që është 31 tetori, duke thënë se kjo do të ishte e panevojshme dhe e kushtueshme për Londrën.

Sidoqoftë, bazuar në një ligj të miratuar nga parlamenti britanik, muajin e kaluar, kryeministri detyrohet të kërkojë një zgjatje tjetër të afatit të Brexit-it, përveç nëse ligjvënësit mbështesin kushtet e largimit deri më 19 tetor, dy ditë pas një samiti të liderëve evropianë.

Çështja kyçe e bllokadës së procesit të Brexit-it është kufiri irlandez dhe kontrollet që duhet të funksionojnë aty pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Në një intervistë për BBC,Johnson konfirmoi se plani i Britanisë së Madhe do të përfshijë disa kontrolle doganore në ishullin e Irlandës, pas Brexit-it.

Por ato, sipas tij, do të ishin "absolutisht minimale" dhe "nuk do të përfshijnë infrastrukturë të re".

Bashkimi Evropian nuk ka pranuar deri më tani të rinegociojë marrëveshjen e dakorduar me ish-kryeministren, Theresa May. Marrëveshja nuk është mbështetur as nga ligjvënësit britanikë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG