Ndërlidhjet

Britania do të dërgojë raketa me rreze të gjatë në Ukrainë


Sistemi raketor britanik, M270.
Sistemi raketor britanik, M270.

Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë raketat e para me rreze të gjatë në Ukrainë, pavarësisht kërcënimeve të Rusisë për Perëndimin.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se disa sisteme raketore M270 do të dërgohen në Ukrainë, në mënyrë që ky shtet të mbrohet nga Rusia.

Qeveria britanike nuk ka konfirmuar sa armë të tilla do të dërgohen, mirëpo transmetuesi britanik, BBC, ka marrë vesh që fillimisht do të nisen tri të tilla.

Ky vendim është marrë në koordinim me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë njoftuar javën e kaluar se do të dërgojnë sisteme raketore në Ukrainë.

Veprimi i Shteteve të Bashkuara veçse ka zemëruar Moskën, pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka kërcënuar të dielën për zgjerim të listës së shënjestrave që Rusia do të sulmojë në Ukrainë, nëse shtetet e Perëndimit do t’i dërgojnë Kievit armë me rreze të gjatë.

Qeveria britanike ka thënë se ushtria ukrainase do të trajnohet si të përdorë lansueset e raketave në javët në vazhdim.

Teksa ka bërë të ditur vendimin, Wallace ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është duke marrë rol udhëheqës në furnizim të trupave ukrainase me “armë të rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për të mbrojtur shtetin nga pushtimi i paprovokuar”.

“Teksa taktikat e Rusisë ndryshojnë, ashtu duhet të ndodhë me mbështetjen tonë në Ukrainë”.

“Këto sisteme raketore do t’iu mundësojnë shokëve ukrainas të mbrojnë veten më shumë kundër artilerisë së rëndë, të cilën forcat e Putinit e përdorin pa dallim nëpër qytete”.

Sistemet raketore britanike mund të nisin 12 raketa tokë-tokë brenda një minuti dhe mund të sulmojnë shënjestra brenda 80 kilometrave me precizitet të lartë.

Ky sistem është i ngjashëm me atë që dërgon SHBA-ja në Ukrainë, HIMARS.

Uashingtoni ka thënë se do të dërgojë armë të tilla në Ukrainë pas garancive të marra se raketat do të përdoren për qëllime të mbrojtjes dhe nuk do të sulmojnë shënjestra brenda Rusisë.

E njëjta ndalesë vlen edhe për sistemin britanik.

Në një intervistë për televizionin shtetëror rus të dielën, Putin ka thënë: "Në përgjithësi, të gjitha këto diskutime për furnizime me armë, kanë vetëm një qëllim – për të zgjatur konfliktin e armatosur sa më gjatë që është e mundur”.

Lideri rus ka thënë se sistemet amerikane që po dërgohen në Ukrainë nuk janë “asgjë e re”.

Mirëpo ai ka paralajmëruar kundër dërgimit të raketave me rreze edhe më të gjatë.

“Nëse ata furnizohen, ne do të nxjerrim përfundimet e nevojshme dhe do të përdorim armë, të cilat i kemi të mjaftueshme, për të sulmuar shënjestrat që nuk i kemi sulmuar ende”.

Ky paralajmërim ka ardhur ndërkohë që është raportuar për shpërthime në disa pjesë të Kievit të dielën, duke shënuar sulmet e para në kryeqytet pas disa javësh.

Rusia ka përqendruar ofensivën e saj në lindje të Ukrainës, të njohur si Donbas gati një muaj pas nisjes së luftës.

Disa prej luftimeve më të ashpra janë raportuar në qytetin Severodonjeck.

Marrja e kontrollit të këtij qyteti nënkupton që forcat ruse marrin kontrollin e rajonit Luhansk.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se ai ka vizituar luftëtarët në Donbas.

Mbështetja për hetim të krimeve të luftës

Sekretari britanik i Drejtësisë, Dominic Raab, ka bërë të ditur të hënën se një ekip i avokatëve dhe zyrtarëve policorë britanikë do të angazhohen për t’i ndihmuar Kryeprokurorit Karim Khan për të hetuar krimet e supozuara të Rusisë në Ukrainë.

Në mesin e ndihmës do të ofrohet qasje më e madhe në ekspertizën e policisë dhe ushtrisë britanike, derisa shtatë avokatë me përvojë në ligjin penal do të ofrojnë ndihmë për të identifikuar të dhëna për krimet e kryera në Ukrainë dhe për ndëshkim të përgjegjësve

Në kërkim të provave për krime lufte në Ukrainë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:27 0:00

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka nisur hetimet që mund të shënjestrojnë zyrtarë të lartë rusë, të cilët besohet se janë përgjegjës për krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Mizori dhe varreza masive janë raportuar në disa qytete dhe qyteza në Ukrainë, në zonat e pushtuara fillimisht nga forcat ruse, të cilat më pas janë larguar nga Kievi dhe zonat përreth për të fokusuar luftën në lindje të shtetit.

Masakra civile janë zbuluar në Buça, qytezë afër Kievit, pasi njerëzit janë parë të vdekur nëpër rrugë, me duar të lidhura.

Deri më tani, Ukraina ka raportuar 15,000 krime të dyshuara të luftës, përfshirë rastin e një gruaje ukrainase që dyshohet të jetë dhunuar nga trupat ruse.

Rreth 600 të dyshuar janë identifikuar dhe 80 ndjekje penale janë në proces e sipër.

Deri më tani për këtë luftë është dënuar një ushtar rus, i cili ka vrarë një civil 62-vjeçar.

Gjykata ukrainase e ka dënuar 21-vjeçarin rus, Vadim Shishimarin me burgim të përjetshëm.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG